Shtyllat e Islamit
Agjërimi
Obligimi i agjërimit, kush përjashtohet, nijeti, çfarë e prish dhe vlera e Ramazanit.
Në sheriatin islam, agjërim do të thotë të braktisësh ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet seksuale nga agimi e deri në perëndim të Diellit. Agjërimi është njëra nga pesë shtyllat themelore mbi të cilat është ndërtuar Islami. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm." (El Bekare, 183)
Agjërimi i muajit Ramazan është bërë detyrim për muslimanët në vitin e dytë të hixhretit (emigrimit). Agjërimi është një adhurim krejt i veçantë nga adhurimet e tjera, dobitë e të cilit janë të shumta. Agjërimi ka dobi fetare, morale, sociale dhe shëndetësore. Agjërimi është një adhurim i veçantë që bashkon devotshmërinë me përsosjen morale, e cila manifestohet nëpërmjet sakrificës, durimit, mëshirës, bujarisë etj.
Agjërimi e forcon më shumë besimtarin në sinqeritetin e tij ndaj Allahut, e bën atë më të durueshëm nga uria dhe etja, që të forcohet e kalitet më shumë për sprovat e jetës. Agjërimi e bën besimtarin të mendojë më shumë për njerëzit e varfër, të cilët janë të uritur dhe të etur. Agjërimi e pastron besimtarin nga veset e liga dhe e nxit atë të ndjehet më afër me besimtarët e tjerë.
Shikimi i Hënës
Agjërimi bëhet detyrim kur shikohet fillimi i hënës së muajit Ramazan dhe vazhdon deri kur të shihet fillimi i hënës së muajit pasardhës Sheval. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Mos agjëroni derisa të vëreni hënën e re (të Ramazanit) dhe mos e ndërpritni agjërimin derisa të vëreni hënën e re (të Shevalit). Nëse pengoheni nga shikimi i saj (për shkak të reve apo mjegullës), përcaktojeni (përllogariteni) atë." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
Për sa i përket fillimit të muajit Ramazan, ai përcaktohet fetarisht me shikimin e hënës së re (hilalit) dhe në rast se ajo nuk shihet për arsye atmosferike, atëherë duhen plotësuar tridhjetë ditë të muajit paraardhës Sha'ban.
Mbyllja e agjërimit të Ramazanit, gjithashtu, përcaktohet me pamjen e hënës së re të muajit që pason Ramazanin, muaji Sheval.
Nijeti (qëllimi) i agjërimit
Nijeti është detyrë themelore si për agjërimin ashtu edhe për adhurimet e tjera, sepse nëpërmjet qëllimit dallohet se për kë është adhurimi, për Allahun apo për dikë tjetër. Po ashtu, nëpërmjet qëllimit dallohet adhurimi i detyruar (farz) nga ai vullnetar (nafile). Nijeti bëhet para agimit (imsakut), sepse Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kush nuk vendos (bën nijet) për agjërim para agimit, atij nuk i vlen agjërimi." Transmetuan Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Sidoqoftë, duhet të kuptojmë që agimi është afati i fundit për të bërë nijetin, ndërkohë që koha e nijetit është gjatë gjithë natës. Nata fillon që me futjen e akshamit e deri në agimin e vërtetë.
Kush e ka detyrim agjërimin dhe kush e ka të lejuar të mos agjërojë
Dijetarët, në bazë të argumenteve fetare, kanë rënë në konsensus se agjërimi është detyrim për çdo musliman që ka arritur moshën e pjekurisë (pubertetin), që është i shëndoshë fizikisht e mendërisht dhe është rezident (jo udhëtar) në një vend.
Ndërsa personat që nuk e kanë detyrim agjërimin janë:
- Fëmijët të cilët nuk kanë mbushur moshën e pjekurisë. Sidoqoftë, fëmijët pak të rritur (mbi moshën 7 vjeç) është e pëlqyeshme që të mësohen e të ushtrohen me agjërimin.
- Njeriu me të meta mendore: Të paaftët mendërisht nuk e kanë detyrim agjërimin, pasi mendja është një kusht i domosdoshëm që njeriu të jetë nën përgjegjësi (të jetë mukel-lef). Në këtë kategori futet edhe rënia e të fikëtit. Nëse një personi i bie të fikët vetëm në një pjesë të ditës, atij nuk i prishet agjërimi. Nëse kjo gjendje vazhdon gjatë gjithë ditës, atëherë ai duhet ta zëvendësojë këtë ditë.
- I sëmuri: Çdo person që vuan nga një sëmundje e përhershme për shkak të së cilës nuk mund të agjërojë, duhet ta kompensojë agjërimin duke i dhënë për çdo ditë një të varfëri një sasi ushqimore që caktohet sipas vendit dhe momentit dhe sipas gjendjes ekonomike të çdo njeriu. Ky gjykim vlen edhe për pleqtë e thyer në moshë, ata që nuk mund ta mbajnë dot agjërimin. Ndërsa personat e sëmurë përkohësisht e ndërpresin agjërimin për aq ditë sa janë sëmurë dhe pastaj i agjërojnë ato kaza, kur të bëhen mirë.
- Gratë shtatzëna dhe gjidhënëse: Gratë shtatzëna, të cilat kanë frikë përkeqësimin e shëndetit të tyre ose të foshnjes në bark, si dhe gruaja gjidhënëse, e cila ka frikë për shëndetin e saj apo të fëmijës së vogël. Të dyja këto kategori mund ta ndërpresin agjërimin dhe ta zëvendësojnë atë më vonë.
- Gruaja me cikël menstrual dhe gruaja lehonë: Gratë të cilat janë duke kaluar ciklin menstrual ose janë në periudhën e lehonisë e kanë të ndaluar kategorikisht të agjërojnë. Ato duhet t'i zëvendësojnë ato ditë më pas, sepse Aishja (Allahu qoftë e kënaqur me të) ka thënë: "Kur ishim me menstruacione, Profeti (alejhissalatu uesselam) na urdhëronte që të zëvendësonim agjërimin për ato ditë që nuk i agjëronim dhe nuk na urdhëronte për të zëvendësuar namazin." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
- Udhëtari: Çdo njeriu që plotëson kushtet e udhëtimit i lejohet ta çelë agjërimin. Udhëtimi i konsiderueshëm për çeljen e Ramazanit është ai udhëtim në të cilin namazi mund të shkurtohet dhe të bashkohet, siç kemi shpjeguar te namazi i udhëtarit. Sidoqoftë, çelja e agjërimit për udhëtarin është sunet dhe jo vaxhib. I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Çelja e agjërimit në udhëtim është lehtësim nga Allahu i Madhëruar. Kush dëshiron ta pranojë këtë lehtësim, ka bërë punë të mirë dhe kush dëshiron të agjërojë, nuk ka gjynah për të." Transmetoi Muslimi.
Duhet theksuar se, në rast se agjërimi i Ramazanit e mundon dikë aq shumë saqë mund t'ia dëmtojë rëndë shqisat, trurin ose çdo gjë tjetër, atëherë atij i lejohet ta çelë këtë ditë dhe ta plotësojë më pas. Këtu futen punët e rënda për të dënuarit me burgim, detyrimi nga dikush tjetër (presioni) etj. Madje, disa dijetarë e kanë lejuar çeljen për shpëtimin ose dhënien ndihmë ndonjërit që është në rrezik për jetën, kur nuk ekziston mundësi tjetër, përveçse duke e çelur agjërimin.
Shënim: Të gjithë ata njerëz të cilët kanë arsye për ta çelur agjërimin dhe, më pas, e zëvendësojnë atë, koha e zëvendësimit është deri sa të vijë Ramazani tjetër. Në të kundërtën, nuk lejohet ta kapë Ramazani që vjen pa zëvendësuar ditët që ka lënë nga Ramazani i shkuar, vetëm në rast se ka arsye të pranuar në sheriatin islam.
Çfarë e prish agjërimin
- Të ngrënët dhe të pirët me qëllim: Këtu futen edhe ilaçet apo çdo lloj sendi tjetër i cili kalon në bark nëpërmjet fytit. Ndërsa ai që ha ose pi me harresë ose i detyruar me dhunë nuk ka prishur agjërimin dhe nuk e ka detyrë ta kompensojë. Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë: "Kush ha edhe pi gjatë agjërimit me harresë, le ta vazhdojë agjërimin se atë e ka ushqyer Allahu i Lartësuar." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
- Marrëdhëniet seksuale: Ai që kryen marrëdhënie seksuale, duke e ditur se është i agjërueshëm dhe duke e ditur se ato e prishin agjërimin, duhet të agjërojë një ditë tjetër pas Ramazanit. Përveç kësaj, duhet ta shlyejë këtë gabim të madh duke liruar një skllav. Në mungesë të kësaj gjëje duhet të agjërojë dy muaj rresht pa shkëputje. Në qoftë se edhe këtë nuk e realizon dot, duke pasur arsye të pranueshme në sheriatin islam, atëherë ai duhet të ushqejë 60 të varfër sipas sasisë ushqimore që përdoret në atë vend. Ndërsa ai që prish një ditë agjërimi nëpërmjet masturbimit apo ndonjë mënyre tjetër të ngjashme ka detyrë vetëm ta zëvendësojë atë ditë, duke agjëruar një ditë kaza më pas.
- E vjella me qëllim: Kur kjo ndodh pa qëllim, atëherë agjërimi është i saktë. Profeti (alejhi selam) ka thënë: "Kush vjell pa e provokuar, nuk ka prishur agjërimin dhe kush e provokon atë, le të agjërojë një ditë kaza." Transmetuan Ahmedi dhe Ebu Davudi.
- Dalja e gjakut te femra për arsye menstruale apo të lindjes. Edhe në qoftë se kjo ndodh pak çaste para se të perëndojë dielli, ajo duhet ta zëvendësojë atë ditë më pas.
- Ejakulimi i spermës: Kjo përfshin çdo lloj epshi, qoftë edhe kur nuk kryhen marrëdhënie seksuale, si për shembull ejakulimi nga ngacmimet vetjake apo të huaja, fërkimet, puthjet etj. Nëse ejakulimi vjen si pasojë e sëmundjes, gjumit apo rrëzimit, kjo gjë nuk e prish agjërimin.
- Ikja e mendjes apo të rënët të fikët. Këtu përfshihet edhe rasti kur njeriu kalon në gjendje kome.
- Të vendosësh (të bësh nijet) për ta prishur agjërimin. Kjo gjë e prish, edhe nëse nuk ka futur gjë në gojë, sepse nijeti është kusht për agjërimin. Por, nëse mendon se mund ta prishë gjatë ditës, pa e vendosur prerë, atëherë kjo nuk e prish agjërimin.
- Futja e ujit në bark gjatë abdesit si pasojë e neglizhencës. Kjo bazohet në hadithin e Profetit (alejhissalatu uesselam) ku ai thotë: "Kur të shpëlash hundën (në abdes), çoje ujin sa më lart, përveçse kur je me agjërim." Transmetuan Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
- Pirja e duhanit. Dijetarët bashkëkohorë të fikhut kanë rënë dakord se pirja e duhanit futet tek ato gjëra të cilat e prishin agjërimin.
- Dalja nga feja: D.m.th., nëse njeriu bën kufër të madh me vetëdije, duke dalë nga feja dhe pastaj e rinovon sërish besimin e tij, e ka prishur atë ditë agjërimi. Atij i kërkohet ta zëvendësojë atë ditë më pas.
Çfarë nuk e prish agjërimin
- Të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale me harresë: Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë: "Kush harron gjatë agjërimit dhe ha ose pi diçka, le ta vazhdojë agjërimin sepse atë e ka ushqyer Allahu i Lartësuar." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
- Të vjellët pa provokim: Kjo bazohet në hadithin e përmendur më lart.
- Futja e pluhurit, grimcave të rërës apo e ndonjë insekti pa dashje në bark: Dihet se është e vështirë që njeriu të ruhet prej këtyre gjërave. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Dhe nuk ju ka bërë juve vështirësi në fe." (El-Haxhxh, 78)
- Përdorimi i misvakut nuk e prish agjërimin: Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka përdorur atë gjatë agjërimit dhe ka thënë: "Misvaku është pastrues për gojën dhe kënaqësi për Allahun." Transmetuan Nesaiu dhe Ibn Khuzejme.
- Përdorimi i gjilpërave joushqyese për trupin, të cilat vendosen në damar ose në mish, nuk e prish agjërimin, për arsye se nuk konsiderohet ushqyese për trupin. Nuk duhet harruar se transfuzioni i gjakut dhe serumi e prishin agjërimin, pasi janë ushqyes për trupin e njeriut.
- Përcjellja e pështymës ose e ushqimit që ndodhet ndërmjet dhëmbëve, nëse është shumë pak, nuk e prish agjërimin.
- Futja e ujit në gojë, me kusht që të mos shkojë në fyt: Kjo ndodh kur marrim abdes apo kur shpëlajmë gojën për shkak të vapës. Lejohet, gjithashtu, edhe larja e trupit për freskim.
- Puthja e gruas, prekja, përqafimi etj. Kjo vlen për ato raste kur njeriu e kontrollon veten. Aishja (Allahu qoftë e kënaqur prej saj) thotë: "Profeti (alejhissalatu uesselam) ka puthur gjatë agjërimit dhe ka qëndruar në intimitet, por ishte më i vetëpërmbajturi ndaj epshit të tij krahasuar me ju." Transmetoi Ahmedi.
- Ai që ha, pi ose bën diçka tjetër nga ato gjëra që e prishin agjërimin me mendimin se akoma nuk ka filluar dita e agjërimit, nuk e ka prishur agjërimin, pasi origjina është vazhdimi i natës dhe dyshimi i tij nuk merret në konsideratë.
- Provimi i shijes së ushqimit, duke mos lejuar të kalojë gjë në bark, nuk e prish atë.
- Larja e dhëmbëve, me kusht që pasta e dhëmbëve të mos kalojë fytin.
- Shkulja e dhëmbëve ose kurimi i tyre, në qoftë se lëndët e përdorura nga stomatologu nuk kalojnë fytin.
Agjërimi i ditëve të lëna nga muaji i Ramazanit duhet plotësuar me çdo kusht. Në qoftë se dikush ka nga Ramazani ditë të paagjëruara, ai mund t'i agjërojë ato kur t'i krijohet mundësia, por është e pëlqyer që të shpejtohet agjërimi i tyre. Nuk është kusht që agjërimi i këtyre ditëve të bëhet një pas një, por mund të ndahen sipas mundësisë, sepse Allahu i Madhëruar thotë: "Nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas." (El Bekare, 184)
Nata e Kadrit
Nata e Kadrit është nata më e mirë në të gjithë vitin. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj." (El-Kadr, 3). Pra, veprat më të vlefshme te Allahu, si: namazi, leximi i Kuranit, përmendja e Zotit, istigfari (kërkimi falje) etj., janë pikërisht në këtë natë. Përveç kësaj, Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Urtë në këtë natë të madhërishme përcakton fatin dhe ecurinë e krijesave të Tij për një vit. Andaj dhe rëndësia e kësaj nate është e madhe dhe besimtari duhet ta kalojë zgjuar me adhurime, përkushtim dhe lutje të ndryshme. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kush e kalon natën e Kadrit me adhurime, me besim tek Allahu dhe duke pritur shpërblimin prej Tij, atij i falen gjynahet e mëparshme." Transmetoi Buhariu.
Nga lutjet më të rëndësishme që mund të bëjë besimtari në këtë natë është ajo që na ka treguar Aishja (Allahu qoftë e kënaqur prej saj), kur e pyeti Profetin (alejhissalatu uesselam): "O i Dërguari i Allahut! Çfarë të them në Natën e Kadrit po e rastisa atë?" Ai u përgjigj: "Thuaj:
اللَّهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ تُحِبُّ الْعَفْوَ فَاعْفُ عَنِّي
Allahumme inneke afuvvun tuhibbul afue fa'fu anni.
O Allah, Ti je Falës i madh dhe e do faljen, më fal mua!
Transmetoi Ahmedi.
Kërkimi i natës së Kadrit
Prej urtësisë së Allahut të Gjithëdijshëm është që të mos jetë e përcaktuar qartë se kur është nata e Kadrit. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut Muhamedi (alejhissalatu uesselam) na ka porositur duke na thënë: "Kërkojeni atë në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, në netët teke." Transmetoi Ahmedi. Sidoqoftë, shumica e dijetarëve islamë janë të mendimit se nata e Kadrit është në natën e 27-të të Ramazanit, sipas argumenteve të tërthorta, të marra së bashku, që japin shenjë më shumë për këtë natë. Gjithsesi, besimtari i mirë është ai që ndjek traditën profetike dhe tregon përkushtim e devotshmëri duke iu lutur Allahut të Madhëruar në të gjitha netët.
Agjërimet sunete dhe nafile
- Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval. Kjo mund të kryhet menjëherë pas ditës së Bajramit ose në gjashtë ditë të ndara. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kush agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell më pas atë me gjashtë ditë nga muaji Sheval, është sikur ka agjëruar gjithë vitin." Transmetoi Muslimi.
- Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte. Profeti (alejhissalatu uesselam) e kishte zakon të agjëronte çdo ditë hënë dhe të enjte.
- Tri ditët e mesme (13, 14, 15) të çdo muaji, sipas muajve të kalendarit hënor.
- Dita e Arafatit, e cila është dita e nëntë e muajit të Dhul-Hixhes, muaji në të cilin kryhen ritet e haxhit.
- Dita e Ashurasë në muajin Muharrem, sipas kalendarit hënor. Kjo është dita kur Allahu i Madhëruar shpëtoi Musain (alejhisselam) dhe popullin e tij nga Faraoni. Është e pëlqyeshme që kjo ditë të agjërohet duke e shoqëruar me një ditë tjetër para ose pas saj.
Ditët në të cilat është e ndaluar të agjërohet
I Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhissalatu uesselam), në hadithet e tij profetike na ka ndaluar të agjërojmë në disa ditë të caktuara. Ato janë:
- Agjërimi i dy ditëve të Bajramit.
- Tri ditët e teshrikut që pasojnë kurban Bajramin.
- Dita e dyshimtë (jeumu shek), dita e cila dyshohet të jetë dita e parë e Ramazanit ose jo.
- Dita e shtunë, nëse veçohet me agjërim dhe nuk shoqërohet me ditë tjetër para ose pas saj.
- Dita e Xhuma, nëse veçohet me agjërim dhe nuk shoqërohet me ditë tjetër para ose pas saj.
- Agjërimi i vazhdueshëm, pa ndërprerje, kur njeriu vendos të agjërojë çdo ditë të vitit pa ndërprerje.
Itikafi
Itikaf nga ana gjuhësore do të thotë të qëndrosh mbyllur në një vend të caktuar. Ndërsa, sipas përkufizimit të sheriatit islam, do të thotë të qëndrosh për një kohë të caktuar brenda në xhami duke bërë adhurime. Qëllimi i itikafit është që besimtari të arrijë qetësinë shpirtërore, të lidhë zemrën me Allahun, duke u vetmuar me Të në adhurime, si dhe duke i ndërprerë lidhjet me krijesat.
Koha e itikafit nuk është e përcaktuar, por mund të qëndrohet për një kohë të shkurtër ose të gjatë, sipas nijetit. Sipas traditës profetike, është që të qëndrohet në itikaf 10 ditët e fundit të Ramazanit, bashkë me netët e tyre, sepse në to gjendet Nata e Kadrit. Imam Buhariu përcjell se Profeti (alejhissalatu uesselam) ka hyrë në itikaf në xhaminë e tij çdo Ramazan 10 ditët e fundit, ndërsa në vitin në të cilin ka ndërruar jetë ka hyrë në itikaf 20 ditët e fundit.
Itikafi mund të bëhet në çdo xhami ku falet xhumaja dhe pesë namazet e ditës me xhemat. Gjatë itikafit nuk mund të dilet nga xhamia, vetëm nëse është e nevojshme. Gjatë itikafit besimtari duhet të bëjë sa më shumë adhurime, të falë namaze vullnetare, të këndojë Kuran, të përmendë Allahun sa më shumë, të kërkojë falje për gjynahet dhe t'i drejtohet Atij me lutje të ndryshme.
Itikafi lejohet të bëhet edhe nga gratë. Çdo grua që dëshiron të qëndrojë në itikaf brenda në xhami është e lirë ta bëjë këtë. Çdo musliman që futet në itikaf i lejohet të hajë, të pijë dhe të flejë në xhami gjatë kohës së itikafit, por duhet të ketë kujdes të ruajë pastërtinë, rregullin dhe respektin ndaj xhamisë si vend adhurimi. Duhet të kemi parasysh edhe diçka tepër të rëndësishme: nuk lejohet që burri ose gruaja të qëndrojë në itikaf duke neglizhuar detyrimet dhe përkujdesjen ndaj familjes, sepse itikafi është sunet, ndërsa kujdesja për familjen është vaxhib (detyrim). Nëse mund të realizohet vaxhibi edhe suneti bashkë, atëherë kjo është mirësi e madhe.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë