Shtyllat e Islamit
Namazi
Pse namazi është shtyllë, obligimi, pesë kohët, ezani, ikameti, kushtet dhe shtyllat.
Namazi është shtylla kryesore e Islamit, pas shqiptimit të fjalës së shehadetit. Është një adhurim me shumë përmasa, sepse bashkon lëvizjen trupore, këndimin e Kuranit, lutjet dhe madhërimin e falënderimin ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhissalatu uesselam), e ka quajtur namazin "Shtylla e fesë".
Ky adhurim u bë obligim për muslimanët para hixhretit (emigrimit nga Meka në Medinë), pikërisht në natën e Israsë dhe Miraxhit, kur Profetit iu dha mundësia të ngjitej në qiej, të vizitonte Xhenetin dhe t'i drejtohej vetë Allahut pa ndërmjetësimin e engjëllit Xhibril. Ndryshe nga namazi, ritet e tjera – zekati, agjërimi dhe haxhi – iu komunikuan Profetit nëpërmjet Xhibrilit.
Namazi është adhurimi që e mbush muslimanin plot energji besimi, e forcon atë në fenë e tij dhe e ndihmon që të bëjë një jetë islame të rregullt. Kjo, sepse namazi me pesë kohët e tij e bën besimtarin ta kujtojë Allahun e Madhëruar mëngjes e mbrëmje, natën dhe ditën. Me fjalë të tjera, namazi është adhurimi që e mban njeriun të lidhur me Zotin që e krijoi. Përveç kësaj, namazi e bën njeriun të urtë, njerëzor dhe të dobishëm për shoqërinë. Namazi është rregullator i përkryer i jetës së njeriut, është ilaç për zemrën dhe ushqim për mendjen.
Në të vërtetë, ky adhurim është mëshirë e Allahut për robërit e Tij, sepse në këtë botë njeriu nëpërmjet këtij adhurimi ruan besimin e tij dhe në Ditën e Gjykimit do t'i lehtësohet llogaria kur të dalë para Allahut të Plotfuqishëm. I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Vepra e parë për të cilën do të japë llogari njeriu Ditën e Gjykimit është namazi. Në qoftë se njeriu është i rregullt me namazin, ai do të jetë i shpëtuar, e nëse nuk do të jetë në rregull me të, atëherë do të jetë i shkatërruar." Transmetuan Tirmidhiu dhe Nesaiu. Në një version tjetër, që e shënon Taberaniu, thuhet: "Në qoftë se llogaria e namazit do të dalë mirë, për të do jetë më e lehtë në punët e tjera, e nëse llogaria e namazit nuk del mirë, atëherë prishen dhe punët në vazhdim." Kjo do të thotë se Allahu nuk ka nevojë për adhurimin dhe namazin tonë, por jemi ne ata që kemi nevojë të adhurojmë Zotin që na krijoi dhe furnizoi. Namazi nuk është mbingarkesë për njeriun, sepse Allahu i Urtë e i Gjithëdijshëm nuk i ngarkon krijesat përtej mundësisë së tyre. Përkundrazi, Allahu kërkon nga ne shumë më pak nga ajo që kemi mundësi të bëjmë. Ndërkohë, na mëshiron me mëshirën e Tij të gjerë edhe pse nuk e meritojmë atë mëshirë të madhe me punët e pakta që bëjmë.
Shpërblimi i këtij adhurimi kaq të rëndësishëm e madhështor është tepër i madh. Allahu i Lartësuar në Kuranin famëlartë në suren El-Mu'minun na tregon se ata besimtarë, që e falin namazin rregullisht dhe janë të përulur në namazin e tyre, do të jenë të shpëtuar e do të trashëgojnë firdeusin e lartë në Xhenet. Në të kundërt, kur njeriu nuk kujdeset për namazin, e lë atë pas dore dhe nuk e fal, rreziku është tepër i madh, sepse lënia e namazit e çon drejt shthurjes, degradimit moral dhe mosbesimit. Hadithet profetike që flasin për këtë janë të shumta, andaj njeriu duhet të jetë tepër i kujdesshëm me namazin e tij, sepse këshilla, porosia dhe urdhri i fundit i Profetit (alejhissalatu uesselam) në momentet e vdekjes së tij ishte namazi dhe kujdesi ndaj robërve.
Që namazi të jetë sa më i rregullt dhe i pranuar kur të falet, duhet doemos që muslimani të jetë fillimisht i pastër dhe të ketë marrë abdes. I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Allahu nuk e pranon asnjë namaz nëse nuk ka pastërti." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
Kohët e Namazit
Namazet farze gjatë ditës dhe gjatë natës janë pesë: namazi i sabahut, namazi i drekës (ylesë), namazi i mesditës (ikindisë), namazi i mbrëmjes (akshamit) dhe namazi i darkës (jacisë). Të gjitha këto namaze kanë kohë të caktuara si më poshtë:
- Namazi i sabahut fillon që nga agimi i dytë (agimi i vërtetë) deri në lindjen e Diellit.
- Namazi i drekës (ylesë) fillon kur Dielli anon nga kupa e qiellit dhe përfundon kur hija e një sendi bëhet sa vetë sendi.
- Namazi i mesditës (ikindisë) fillon kur mbaron koha e namazit të drekës dhe përfundon me perëndimin e Diellit.
- Namazi i mbrëmjes (akshamit) fillon me perëndimin e plotë të Diellit dhe mbaron kur zhduket muzgu i kuqërremtë.
- Namazi i darkës (jacisë) fillon kur mbaron koha e akshamit dhe përfundon kur del agimi i dytë (agimi i vërtetë).
Feja islame na ka mësuar që njoftimi për futjen e kohëve të namazit të bëhet nëpërmjet fjalëve të ezanit, ndërsa njoftimi për fillimin e namazit farz të bëhet nëpërmjet fjalëve të ikametit. Si ezani, ashtu dhe ikameti, janë dy thirrje me të cilat madhërojmë Zotin Fuqiplotë dhe fjalë që përmbledhin besimin dhe njësimin e Zotit. Ezani dhe ikameti janë shenja treguese të Islamit që nuk kryhen vetëm në xhami, por në çdo vend ku mund të falet namazi.
Fjalët e ezanit
- Allahu ekber, Allahu ekber
- Allahu ekber, Allahu ekber
- Esh'hedu en la ilahe il-lall-llah
- Esh'hedu en la ilahe il-lall-llah
- Esh'hedu enne Muhammeden resulull-llah
- Esh'hedu enne Muhammeden resulull-llah
- Hajje alessalat, Hajje alessalat
- Hajje alel-felah, Hajje alel-felah
- Allahu ekber, Allahu ekber
- La ilahe il-lall-llah
Kuptimi i fjalëve të ezanit është: "Allahu është më i madhi. Dëshmoj se s'ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut. Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Ejani në namaz! Ejani në shpëtim! Allahu është më i madhi. Nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet veç Allahut."
Në namazin e sabahut, pas fjalës Hajje alel-felah, duhet të shtohet dy herë fjalia: "Essalatu khajrun minen-neum", që do të thotë: "Namazi është më i mirë se gjumi."
Fjalët e ikametit
- Allahu ekber, Allahu ekber
- Esh'hedu en la ilahe il-lall-llah
- Esh'hedu enne Muhammeden resulull-llah
- Hajje alessalat, Hajje alel-felah
- Kad kametissalatu, Kad kametissalatu
- Allahu ekber, Allahu ekber
- La ilahe il-lall-llah
Shënim: Personi që thërret ezanin dhe ikametin quhet muezin, kurse personi që u prin besimtarëve në namaz quhet imam. Si ezani, ashtu dhe ikameti, thirren në drejtim të kibles (anës së Qabesë).
Kushtet dhe shtyllat e namazit
Namazi përbëhet nga kushte të jashtme dhe shtylla të brendshme, pa të cilat ai është i pavlefshëm. Madje, nëse mungon njëra prej tyre, namazi konsiderohet i prishur.
Kushtet e jashtme të namazit janë:
- Abdesi ose gusli.
- Mbulimi i pjesëve të turpshme me rrobë të pastër.
- Pastërtia e vendit të faljes.
- Hyrja e kohës së namazit.
- Drejtimi nga kibla (Qabeja).
Shënim: Pjesët e turpshme që duhen mbuluar në namaz, po ashtu edhe nga syri i të tjerëve, quhen auret. Aureti te mashkulli është nga kërthiza deri te gjunjët, ndërsa te femrat është i gjithë trupi, përveç fytyrës dhe dy duarve deri te kyçet.
Shtyllat e brendshme të namazit:
- Bërja e nijetit (pra, njeriu vendos me zemër dhe shquan veprimin që është duke bërë).
- Qëndrimi në këmbë (nëse është e mundur).
- Tekbiri fillestar (duke shqiptuar fjalën Allahu ekber).
- Këndimi i sures el-Fatiha.
- Rënia në ruku duke plotësuar qetësinë minimale.
- Ngritja nga rukuja duke qëndruar drejt në këmbë.
- Rënia në sexhde dy herë duke plotësuar qetësinë minimale.
- Qëndrimi ulur mes dy sexhdeve.
- Ulja e fundit dhe thënia e "ettehijatit".
- Dhënia selam në krahun e djathtë.
- Renditja sipas radhës e gjithë shtyllave që përmendëm.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë