Shtyllat e Islamit
Zekati
Kush e ka obligim zekatin, sa jepet, nisabi, llojet e pasurisë dhe kujt i jepet.
Fjala Zekat në origjinën e saj gjuhësore do të thotë: shtim, rritje, pastrim. Ndërsa nga ana terminologjike në sheriatin islam, me zekat kuptojmë dhënien e një pjese të pasurisë një herë në vit disa kategorive të caktuara njerëzish.
Zekati është bërë obligim për muslimanët në vitin e dytë të hixhretit. Fillimisht është bërë obligim zekati i fitrit bashkë me agjërimin. Menjëherë pas kësaj, në të njëjtin vit, është bërë farz dhënia e zekatit, si një detyrë dhe adhurim më vete që përfshihet nga rregulla të posaçme.
Argumentet që flasin për detyrimin e zekatit nga Kurani dhe Suneti Profetik janë të shumta. Vetëm në Kuran, fjala zekat është përmendur bashkë me namazin në 28 ajete.
Si zekati, ashtu dhe detyrimet apo adhurimet e tjera islame kanë ardhur në dobi të njeriut, dobi të cilat lidhen me jetën e kësaj bote dhe botën tjetër. Zekati, ky adhurim dhe obligim i veçantë, rregullon dukshëm problemet sociale të njerëzve. Zekati lufton varfërinë, ndihmon në uljen e papunësisë, rrit mirëqenien e njerëzve, largon armiqësinë dhe zilinë nga zemrat e nevojtarëve, si dhe forcon unitetin, solidaritetin dhe humanizmin mes njerëzve. Zekati forcon vëllazërinë dhe ul ndjeshëm praninë e vjedhjeve, grabitjeve, mashtrimeve dhe krimeve në përgjithësi. Nga ana tjetër, atij që e jep zekatin do t'i zbutet zemra e do të bëhet më e ndjeshme. Ai do të bëhet i dhembshur, më i mëshirshëm dhe do të pastrohet nga koprracia, mendjemadhësia dhe sëmundjet e tjera shkatërruese.
Siç përmendëm më sipër, zekati jepet si lëmoshë në sasi të caktuar, në kohë dhe kategori të caktuar njerëzish. Kurse lëmosha që jepet vullnetarisht në çdo kohë quhet sadaka.
Pasuria asnjëherë nuk pakësohet kur jepet zekat ose sadaka; përkundrazi, ajo shtohet dhe Allahu jep begati në të. I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Sadakaja nuk e pakëson aspak pasurinë." Transmetoi Muslimi. Mbi të gjitha, njeriu që jep zekatin fiton kënaqësinë e Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër do të shpërblehet shumëfish. Në të kundërtën, ai meriton dënim të dhimbshëm.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Ata që tregojnë koprraci me të mirat që u ka dhënë Allahu, të mos mendojnë se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me të cilën bëhen koprracë, në Ditën e Kijametit do t'u mbështillet në qafën e tyre. Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka. Allahu është i njohur mirë me atë që ju veproni." (Al Imran, 180)
Zekati në vetvete është një detyrim, që i pasuri duhet t'ia paguajë shtetit islam. Pas mbledhjes së zekatit, janë instancat shtetërore ato që merren me ndihmat sociale dhe politikat fiskale. Duke u bazuar te kjo, kuptojmë se në mungesë të shtetit islam, zekati është më i dobishëm kur ai mblidhet në formë të organizuar e të përbashkët. Më pas, ai shpërndahet, gjithashtu, në formë të organizuar e të studiuar, sipas nevojave të muslimanëve. Kjo metodë bën që të ruhet sadopak uniteti dhe solidariteti, me të cilat karakterizohet shteti islam, që duhet ta ruajë në mungesë të tij bashkësia islame.
Kushtet që e bëjnë zekatin detyrë
- Të jetë musliman. Që të japësh zekatin duhet të jesh musliman, sepse ky është një adhurim i cili ka nevojë për bindje dhe nijet. Bindja e plotë ndaj Allahut dhe nijeti bëhen atëherë kur njeriu ka pranuar Islamin.
- Të jetë njeri i lirë, d.m.th. të mos jetë skllav. Në kohët e mëparshme skllavi dhe çdo gjë që ai zotëronte ishin pronë e zotërisë së tij, andaj dhe detyrën për të dhënë zekatin e kishte zotëria dhe jo skllavi.
- Të jetë në zotërim të plotë të pasurisë. Kur muslimani nuk gëzon drejtpërdrejt statusin e plotë të zotërimit të pasurisë, ai nuk e ka detyrë të japë zekatin derisa ta zotërojë plotësisht atë. Shembull për këtë kemi pasurinë e konfiskuar nga armiku, shteti etj. Këtu futet edhe ajo pjesë e pasurisë që i është dhënë borxh dikujt tjetër, mirëpo nuk ka shpresa të forta se do t'i marrë ato para.
- Plotësimi i nisabit. Nisab quhet kuota minimale që duhet të zotërojë muslimani për të dhënë zekatin. Pra, zekati bëhet detyrë kur pasuria arrin kuotën e nisabit, siç do të shpjegojmë atë më poshtë.
- Plotësimi i vitit (haulit). Haul quhet përmbushja e vitit, d.m.th. muslimani që plotëson nisabin nuk e jep zekatin menjëherë, por duhet të presë të përmbushet një vit i plotë sipas kalendarit hënor. Pasi të plotësohet viti nga data e plotësimit të nisabit, ai shikon nëse pasuria e tij është në të njëjtën kuotë apo është shtuar dhe më pas jep zekatin. Në qoftë se pasuria e tij është pakësuar nën kuotën e nisabit, atëherë nuk e ka detyrë të japë zekat. Hauli është kusht vetëm për zekatin e parave, bagëtive dhe mallrave të tregtisë.
Urtësia e dhënies së zekatit një herë në vit
Dijetarët islamë kanë shpjeguar se urtësia e pritjes për një vit është një drejtësi më vete dhe një zgjidhje e përshtatshme për shoqërinë. Nëse zekati do të jepej një herë në muaj, atëherë pasuria e shumë njerëzve do të dëmtohej. Nga ana tjetër, po të jepej zekati një herë në jetë, do të ishin të varfërit dhe nevojtarët ata që do të dëmtoheshin. Po ashtu, në qoftë se zekati do të jepej, bie fjala, një herë në muaj apo një herë në javë, njerëzit do të bëheshin përtacë e nuk do të punonin, për arsye se ata do të shpresonin përfitimin e zekatit. Ndërkohë, periudha njëvjeçare e bën nevojtarin të lëvizë e të përpiqet të gjejë punë dhe burime financiare për veten dhe familjen. Nëse nuk japin fryte përpjekjet e tij, atëherë është zekati ai që i vjen në ndihmë për momentin.
Llojet e pasurisë për të cilat duhet të jepet zekat
- Ari, argjendi dhe paratë, që kanë zëvendësuar dy të parat.
- Bagëtitë.
- Drithërat, frutat dhe të mbjellat.
- Mallrat e tregtisë.
- Thesaret e fshehura dhe mineralet.
Të gjitha kategoritë e përmendura më sipër kanë nisabin e tyre të caktuar. Në nisab nuk futet pasuria apo sendet që janë në përdorim, si: banesat bashkë me orenditë e tyre, pasuritë e tjera të patundshme, kafshët që shërbejnë për punë, mjetet e transportit, mjetet e ndryshme të punës ose zanatit dhe të gjitha veshjet e ndryshme të cilat nuk janë destinuar për tregti.
Zekati i arit, argjendit dhe parave
Për sa i përket arit dhe argjendit, masa e caktuar nga Sheriati është si vijon: 20 monedha ari (mithkalë) përbëjnë nisabin e floririt; 200 monedha argjendi përbëjnë nisabin e argjendit. Kur të plotësohet viti (hauli) është e detyrueshme të jepet 2.5% e pasurisë në ar ose argjend. Pra, për çdo 20 monedha ari jepet gjysmë monedhe dhe për çdo 200 monedha argjendi jepen 5 monedha.
Në kohën e Profetit (alejhissalatu uesselam) 20 mithkalë (monedha ari) ishin të barabarta me 200 monedha argjendi; mirëpo kjo masë ka ndryshuar nga një kohë në tjetrën, pasi dallimi mes vlerës së arit dhe argjendit është bërë tepër i dukshëm. Konvertimi i vlerës së arit dhe argjendit për kohën tonë është: 83 gram flori përbëjnë nisabin e arit dhe 595 gram argjend përbëjnë nisabin e argjendit.
Përdorimi i dikurshëm i arit dhe argjendit është zëvendësuar në kohët e sotme me prerjet e kartëmonedhave. Pra, pasuria e sotme në para, nëse plotëson nisabin, duhet të jepet zekat 2.5% prej saj, ose me fjalë të tjera 1/40. Nisabi i parave është i barabartë me 83 gram ar. Për nisabin e parave duhet të merret parasysh vlera e arit dhe jo e argjendit, sepse ari e ka ruajtur gjithnjë vlerën e tij reale, kurse argjendi ka rënë shumë poshtë vlerës së vet. Pra, nëse 83 gramë ar i pastër konvertohen në para në shumën, bie fjala, 4 milionë lekë, atëherë kjo shumë quhet nisabi i parave nga ku fillon detyrimi i zekatit. Për këtë mund të përmendim një shembull praktik: nëse personi ka në gjendje 5 milionë lekë, atëherë ai duhet të japë 125 mijë lekë; d.m.th. pjesëtohet shuma totale e pasurisë me 40 dhe shuma e dalë nga pjesëtimi jepet zekat.
Shënime: Disa dijetarë janë të mendimit se konvertimi i vlerës së arit për kohën tonë është 96 gramë. Disa të tjerë mendojnë se është 85 gramë. Të gjitha këto janë caktime të përafërta, por duke qenë se 83 gramë është minimumi i masës së përcaktuar sipas konvertimit, atëherë është vendosur kjo masë për llogaritjen e nisabit për të qenë më të sigurt. Edhe për argjendin ka mendime të tjera të përafërta; disa e kanë konvertuar në 672 gramë.
Zekati i bagëtive
Devetë
Nisabi i deveve fillon me pesë deve.
| Numri i deveve (nga) | Deri | Zekati |
|---|---|---|
| 5 | 9 | Një deve njëvjeçare |
| 10 | 14 | Dy deve njëvjeçare |
| 15 | 19 | Tre deve njëvjeçare |
| 20 | 24 | Katër deve njëvjeçare |
| 25 | 35 | Një deve që ka hyrë në vitin e dytë |
| 36 | 45 | Një deve që ka hyrë në vitin e tretë |
| 46 | 60 | Një deve që ka hyrë në vitin e katërt |
| 61 | 75 | Një deve që ka hyrë në vitin e pestë |
| 76 | 90 | Dy deve që kanë hyrë në vitin e tretë |
| 91 | 120 | Dy deve që kanë hyrë në vitin e katërt |
Nëse devetë janë më shumë se 120, atëherë për çdo 40 deve jepet një deve që ka hyrë në vitin e tretë, ndërsa për çdo 50 deve jepet një deve që ka hyrë në vitin e katërt.
Shënim: Tek ne nuk ekzistojnë deve, prandaj zekatin për to e kemi përmendur si informacion.
Zekati i lopëve
Nisabi i lopëve fillon nga numri 30.
| Numri i lopëve (nga) | Deri | Zekati |
|---|---|---|
| 30 | 39 | Një viç që ka hyrë në vitin e dytë |
| 40 | 59 | Një viç që ka hyrë në vitin e tretë |
Nëse lopët janë më shumë, atëherë për çdo 30 kokë jepet një viç që ka hyrë në vitin e dytë (femër ose mashkull qoftë) dhe për çdo 40 kokë jepet një lopë që ka hyrë në vitin e tretë (femër ose mashkull qoftë).
Zekati i bagëtive të imëta
| Numri i deleve (nga) | Deri | Zekati |
|---|---|---|
| 40 | 120 | Një dele njëvjeçare, ose një dhi dyvjeçare |
| 121 | 200 | Dy dele njëvjeçare |
Më pas, për çdo 100 kokë jepet një dele.
Shënim: Duhet të kemi parasysh se bagëtitë që caktohen të jepen zekat duhet të jenë të mesme. Pra, jo më të mirat e as të majmet dhe as më të dobëtat ose të sëmurat. Përveç kësaj, bagëtitë bashkohen në kategoritë e zekatit sipas llojeve më të përafërta. Për shembull: bagëtitë e imëta, siç janë delet dhe dhitë, bëhen bashkë, ndërsa lopët bashkohen me buajt, pastaj jepet zekati duke llogaritur në nisab llojin më të madh.
Zekati i drithërave, frutave dhe të mbjellave
Argumenti që obligon zekatin e këtyre kategorive është ajeti kuranor ku Allahu i Madhëruar thotë: "O besimtarë! Jepni pa u kursyer nga të mirat që keni fituar dhe nga ato që jua kemi nxjerrë Ne nga frytet e tokës." (El-Bekare, 267). Në një varg tjetër, Allahu urdhëron duke thënë se Ai është Ai që ka krijuar kopshte vreshtash të larta e të shtruara, hurma dhe bimë me shije të ndryshme, ulliri e shegë, të ngjashme dhe të ndryshme, dhe se njerëzve u kërkohet të hanë nga fryti i tyre e të japin atë që u takon si detyrim ditën e vjeljes (El-En'am, 141).
Nga ajetet e sipërpërmendura kuptohet qartë se zekati i prodhimeve bujqësore jepet menjëherë dhe nuk pritet të plotësohet viti. Tek drithërat dhe frutat futen vetëm zahiretë dhe tëmotjet, të cilat thahen dhe përgatiten për një kohë të gjatë, si: rrushi i thatë apo hurmat arabe. Kurse për frutat e zakonshme, si: shegët, mollët, dardhat, shalqitë etj., nuk jepet zekat. Gjithashtu, nuk jepet zekat për zarzavatet dhe as për perimet.
Ndërkohë, dijetarët islamë kanë opinione të ndryshme mes tyre nëse duhet të jepet zekat për mjaltin. Shumica e tyre janë të mendimit se duhet të jepet zekat edhe për mjaltin, sepse mjalti është ushqim që përgatitet për t'u ruajtur gjatë, si zahiretë dhe tëmotjet. Ata mendojnë se nga mjalti duhet të nxirret zekat një e dhjeta (1/10), kur mjalti është produkt i maleve, bjeshkëve, pyjeve dhe livadheve të lira, por nëse bletët e marrin nektarin nga lulet dhe pemët e fushave të punuara, atëherë jepet një e njëzeta (1/20).
Në qoftë se të mbjellat ujiten vetvetiu, me anë të shiut, lumit, burimeve etj., atëherë për to jepet zekat një e dhjeta (1/10). Kurse për të mbjellat që vaditen me mundin e njeriut, jepet zekat një e njëzeta (1/20).
Nisabi i drithërave dhe tëmotjeve apo zahireve që vlejnë për zekat është një masë e quajtur uesek. Fjala uesek në arabisht është shumësi i fjalës sa'. Fjala sa' nënkupton një njësi matëse të vjetër që është e barabartë me katër grushta të mbushura plot me drithë. D.m.th. 5 uesuk (me të cilën është plotësuar nisabi) janë të barabarta me 300 sa'. Kjo masë, në bazë të konvertimit të sotëm, është 613 kg. Pra, nisabi i drithërave dhe frutave është 613 kg, nga i cili duhet të jepet një e dhjeta ose një e njëzeta, në varësi të ujitjes apo vaditjes së tyre. Për shembull, nga 613 kg drithëra jepet zekat 61.3 kg, ose 30.65 kg, në varësi të ujitjes apo vaditjes siç u shpjegua më lart.
Zekati i mallrave të tregtisë
Të gjitha prodhimet apo artikujt industrialë, ushqimorë, shkollorë, veshmbathje etj., të cilat janë caktuar enkas për t'u shitur apo për t'u shkëmbyer në forma të ndryshme tregtie, konsiderohen pasuri nga e cila duhet të nxirret zekati. Nëse vlera e mallrave të ndryshme tregtare arrin vlerën e nisabit, atëherë për to duhet të jepet zekat.
Përveç kësaj, pronari i artikujve të tregtisë duhet t'i ketë ato në pronësi të plotë dhe të kalojë një vit nga zotërimi i tyre.
Tregtari duhet të kontrollojë të gjithë mallin që ka dhe të bëjë bilancin mbi vlerën e tij. Pastaj jep zekatin e artikujve të tregtisë, 2.5% të vlerës së përgjithshme. Pra, zekati i mallrave të tregtisë mund të jepet në vlerë monetare.
Në qoftë se pronari ka pasuri veç nga mallrat e tregtisë, atëherë ai jep zekat 2.5% të vlerës totale. Për shembull, nëse një pronar ka gjendje 4 milionë lekë dhe mallra tregtie që arrijnë vlerën e 6 milionë lekëve, atëherë ai duhet të japë zekat 2.5% të vlerës totale, që në këtë rast është 10 milionë lekë.
Siç kemi përmendur më parë, të gjitha mjetet e punës e të zanatit, makinat ose objektet që shërbejnë në jetën e përditshme për të plotësuar nevojat dhe për të përmbushur kërkesat e njeriut, nuk futen tek artikujt që janë caktuar për tregti. Për shembull, dyqani si objekt, bashkë me mjetet e tjera, si: frigoriferë, peshore, tavolina, rafte etj., nuk llogariten në vlerën e zekatit. Zekati nxirret vetëm nga përfitimet tregtare që arrihen nëpërmjet këtyre mjeteve.
Shënim: Në qoftë se dy njerëz janë ortakë në një tregti dhe vlera e përbashkët e artikujve të tyre ka arritur nisabin, atëherë jepet zekat 2.5% e pasurisë së përbashkët, edhe sikur asnjëri prej tyre, veç e veç, të mos ketë arritur nisabin e zekatit. Pra, të dy ata japin zekatin e pasurisë së përbashkët sikur të ishin një njeri i vetëm. Në rast se ortaku tjetër nuk është musliman, ose është musliman mirëpo në kohën e plotësimit të nisabit nuk do të japë zekatin, atëherë ortaku tjetër ka përgjegjësi të japë zekatin vetëm atëherë kur përqindja e pasurisë së tij plotëson nisabin.
Zekati i thesareve të fshehura dhe mineraleve
Për sa i përket thesareve të fshehura herët, që nuk dihet se të kujt janë, personi që i gjen duhet të japë zekatin e tyre. Sasia e caktuar e zekatit për thesarin e gjetur është një e pesta (1/5), e cila jepet menjëherë, pa pritur të plotësohet viti (hauli).
Ndërsa, për sa i përket mineraleve me vlerë të cilat nxirren nga toka e më pas pastrohen dhe përpunohen, edhe për to gjithashtu duhet të nxirret zekat. Për mineralet jepet zekat 2.5% e vlerës së tyre. Zekati jepet menjëherë pas pastrimit dhe përpunimit të tyre dhe nuk pritet të plotësohet viti (hauli).
Njerëzit që meritojnë t'u jepet zekati
Kategoritë e njerëzve që u takon të përfitojnë nga zekati i ka përmendur Allahu i Lartësuar në Kuran, në ajetin 60 të sures Teube. Ato janë:
- Të varfërit (fukarenjtë). Në këtë kategori futen të gjithë ata që jetojnë në skamje e varfëri ose nuk mund të sigurojnë të ardhurat kryesore të jetesës. Këtyre u jepet zekat për të plotësuar nevojat jetike të tyre.
- Nevojtarët (mesakinët). Në këtë kategori futen të gjithë ata që zotërojnë diçka, por nuk u mjafton për të jetuar një jetë normale. Këtyre u jepet zekat për të rritur mirëqenien e tyre, apo dhe për t'i ndihmuar për kapërcimin e vështirësive në tregtinë e tyre.
- Punonjësit e zekatit. Në këtë kategori futen të gjithë ata që punojnë në administratën e shtetit islam si mbledhës të zekatit dhe shpërndarës të tij. Në qoftë se shteti nuk u ka caktuar këtyre një rrogë bazë, atëherë ata meritojnë prej zekatit në masën që plotëson nevojat e tyre.
- Njerëzit që shpresohet t'u përfitohet zemra. Në këtë kategori futen të gjithë ata që janë dashamirës të Islamit, por ende nuk e kanë pranuar atë. Po ashtu, futen edhe muslimanët e rinj të cilët kanë nevojë që të forcohen më shumë në besim.
- Skllevërit. Dikur ka pasur robër të cilët nënshkruanin kontratë me pronarët e tyre që të fitonin lirinë, kundrejt një shume të caktuar. Atyre u jepej zekati për të plotësuar shumën e mbetur nga kontrata, ose të gjithë shumën.
- Borxhlinjtë. Bëhet fjalë për të gjithë ata njerëz të cilët kanë marrë borxhe dhe që, për arsye të ndryshme, nuk janë në gjendje t'i shlyejnë ato. Këtu futen edhe ata njerëz të cilët futen në borxh për të bërë vepra bamirësie, si pajtimi i gjaqeve etj.
- Në rrugë të Allahut (fi sebilil-lah). Kjo shprehje nënkupton luftën për hir të Allahut. Në qoftë se ka vullnetarë ose ushtarë të cilëve shteti nuk mund t'ua mbulojë të gjitha shpenzimet luftarake, atëherë u jepet zekat për të kryer misionet e shtetit islam. Pra, zekati u jepet edhe luftëtarëve që shkojnë në xhihad dhe kanë nevojë për mjete të luftës apo nevoja të tjera.
- Udhëtarët. Bëhet fjalë për të gjithë ata udhëtarë që kanë ngelur në rrugë, sepse u janë mbaruar paratë. Këtyre u jepet një zekat i mjaftueshëm sa për të vazhduar udhëtimin, ose për t'u kthyer në shtetin e tyre, edhe pse këta mund të jenë të pasur në vendin e tyre.
Këto ishin tetë kategoritë e përmendura në Kuran. Ndërkohë, dijetarët islamë kanë përmendur edhe lloje të tjera kategorish në analogji (kijas) me njërën nga kategoritë e përmendura në tekstin kuranor. Për shembull, zekati mund t'i jepet nxënësit të dijeve të Sheriatit duke i bërë kijas (analogji) me udhëtarin, ose me daljen në rrugë të Allahut. Po ashtu, zekati mund të jepet për të liruar nga burgu dikë që është dënuar padrejtësisht, duke i bërë kijas me lirimin e robërve. Zekati mund të jepet dhe në ato institucione që punojnë për mbrojtjen e fesë ose merren drejtpërdrejt me davetin (thirrjen islame), duke i bërë kijas me kategorinë "fi sebilil-lah" (në rrugë të Allahut).
Rregulla që duhen pasur parasysh në dhënien e zekatit
- Zekati duhet të shpërndahet te kategoritë e caktuara në vendin ku është mbledhur dhe jo të shkojë në ndonjë vend tjetër pa arsye. Argumenti për këtë është se Profeti (alejhissalatu uesselam) e dërgoi Muadh ibn Xhebelin në Jemen dhe, ndër të tjera, i tha se zekati u merret pasanikëve të atij vendi dhe u jepet fukarenjve të atjeshëm.
- Zekati nuk u jepet atyre personave të cilët janë nën përgjegjësinë dhe kujdestarinë e personit që e ka detyrë zekatin, siç janë fëmijët, gruaja dhe prindërit. Nga ana tjetër, gruas i lejohet t'ia japë zekatin burrit të saj, në rastet kur ai është i varfër dhe gruaja ka përfituar pasuri të veten nëpërmjet trashëgimisë, dhurimit ose tregtisë.
- Zekati mund t'u jepet nga pak të gjitha kategorive të njerëzve që e meritojnë, ose mund t'u jepet disave prej tyre, apo edhe një kategorie të vetme.
- Është e pëlqyeshme që zekati t'u jepet në shuma të konsiderueshme njerëzve në nevojë. Madje, mund t'i jepet një shumë e majme një zanatçiu, për të dalë nga kriza dhe për të vazhduar me sukses zanatin ose biznesin e tij. Në këtë mënyrë, në vitin pasardhës atij nuk do t'i jepet më, madje ai vetë mund të bëhet nga ata që japin zekat.
- Nëse vërtetohet që disa njerëz të caktuar rrjedhin nga fisi i Profetit (alejhissalatu uesselam), nuk lejohet t'u jepet atyre zekat, sepse familja e Profetit (alejhissalatu uesselam) nuk e pranon lëmoshën, por vetëm dhuratën.
- Llogaritja e plotësimit të vitit (haulit), që nga momenti i fillimit të nisabit, bëhet me muajt e kalendarit hënor. Kalendari hënor ka dhjetë ditë më pak në vit se ai diellor.
- Lejohet përshpejtimi i dhënies së zekatit pa u mbushur viti (hauli), por nuk lejohet vonimi i tij nga koha e caktuar. Për shembull, nëse një njeri dëshiron të përshpejtojë zekatin në mënyrë që ta japë atë, bie fjala, në muajin Ramazan, mund ta realizojë, por jo ta vonojë atë.
- Zekati i pasurisë së jetimit ose vogëlushit, apo të çmendurit, të cilët posedojnë pasuri nëpërmjet trashëgimisë, testamentit, dhurimit etj., është detyrë të jepet. Zekatin e kësaj pasurie e jep kujdestari i tyre. Ndërkohë, kujdestari duhet të përpiqet që pasurinë e jetimit apo të vogëlushit ta shtojë nëpërmjet tregtisë, në mënyrë që të mos harxhohet nëpërmjet zekatit.
- Nëse bizhuteritë e grave, ato të cilat përbëhen nga ari dhe argjendi, arrijnë vlerën e nisabit, ato e kanë detyrë të japin zekatin. Këtu futen edhe enët e punuara me ar dhe argjend. Në qoftë se vlera e tyre arrin nisabin, është detyrë të jepet zekat për to.
- Nëse një person është aksioner në një shoqëri aksionere, pasi të përmbushet viti (hauli), ai duhet të verifikojë vlerën e aksioneve të tij dhe e jep zekatin në bazë të vlerës që ka.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë