Shtyllat e Islamit
Haxhi
Kush e ka obligim haxhin, kushtet, shtyllat, llojet, umra dhe harta e riteve.
Sipas shariatit islam, me Haxh kuptojmë vizitën e Qabesë (Kabes) në Mekë në një kohë të caktuar, sipas disa rregullave të caktuara, për hir të Allahut të Madhërishëm. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Vizita (haxhi) në Shtëpinë (e shenjtë, Kabe) është detyrë për njerëzit që kanë mundësi ta kryejnë atë. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd." (Ali Imran, 97)
Haxhi është një nga shtyllat mbi të cilat është ndërtuar Islami, një adhurim i veçantë dhe tepër madhështor. Haxhi konsiderohet si kongresi vjetor i muslimanëve nga e gjithë bota. Gjithashtu, haxhi është tubimi dhe manifestimi më i madh paqësor në botë, gjë e cila përsëritet në syrin e botës çdo vit, duke i lënë njerëzit të mahnitur tek shikojnë nënshtrimin dhe përkushtimin e muslimanëve dedikuar Krijuesit të tyre, Allahut të Plotfuqishëm.
Të mos harrojmë se Qabeja ku haxhinjtë shkojnë është simboli i vetë adhurimit, sepse shtylla e Islamit, namazi, lidhet ngushtë me Shtëpinë e Shenjtë në Mekë. Kjo, sepse të gjitha namazet, farze apo nafile qofshin, falen duke u drejtuar pikërisht në drejtim të Qabesë. Për këtë arsye Qabeja quhet kibleja (drejtimi) i muslimanëve anembanë botës.
Është e vërtetë që haxhi kërkon durim, përkushtim dhe mund. Askush nuk mund ta kryejë këtë rit të shenjtë pa u lodhur, mirëpo ky adhurim i veçantë lë gjurmë dhe një ndikim tepër të thellë në shpirtin e besimtarit. Jo më kot i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhissalatu uesselam), ka thënë: "Kush bën haxh në Shtëpinë e Shenjtë duke mos folur me fjalë të ndyra dhe duke mos bërë mëkate, do të kthehet sikur të ishte në ditën që e ka lindur nëna e tij." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
Në haxh mblidhen miliona njerëz nga e gjithë bota, të cilët paraqiten të barabartë, pa dallim race, ngjyre, vendi, posti apo pozite. Të gjithë veshin një uniformë dhe që të gjithë lëvizin, veprojnë e zbatojnë të njëjtat rite, të bashkuar nga një gjë e vetme dhe e madhe: teuhidi (njësimi) dhe adhurimi i Allahut të Plotfuqishëm. Veshja e ihramit të bardhë, pa mëngë dhe pa qepje, tregon përulësinë dhe robërinë para Allahut Fuqiplotë, si dhe simbolizon veshjen e qefinit dhe daljen nga kjo botë pa marrë gjë me vete, përveç punëve të mira.
Rregullat e Haxhit
Haxhi është bërë detyrë për muslimanët në vitin e nëntë të hixhretit, pra në fund të jetës profetike. Ndryshe nga adhurimet e tjera, haxhi është detyrë për muslimanët një herë në jetë. Haxhi përfshihet nga kushte paraprake dhe shtylla të brendshme që duhet të realizohen gjatë riteve të tij. Nëse mungon njëra nga kushtet apo shtyllat e haxhit, ai konsiderohet i pavlefshëm.
Kushtet që e bëjnë haxhin detyrë janë:
- Islami. Nuk pranohet haxhi vetëm se nga muslimanët. Jobesimtarët nuk mund ta vizitojnë Qabenë pa pranuar më parë Islamin.
- Mosha madhore. Nëse njeriu nuk ka mbushur akoma moshën e pjekurisë (bulug), nuk e ka detyrë të kryejë haxhin. Ndërkohë, haxhi vlen si adhurim për fëmijët, mirëpo nuk ua rrëzon atyre detyrimin pasi të rriten.
- Mençuria. Haxhin nuk e ka detyrë i çmenduri dhe njeriu me të meta mendore, por ai që është i shëndoshë mendërisht.
- Liria. Haxhi nuk është detyrë për robërit dhe skllevërit. Mirëpo, nëse ata arrijnë të bëjnë haxhin, atëherë u rrëzohet detyrimi edhe pasi të fitojnë lirinë.
- Mundësia. Çdo njeri që kërkon të shkojë në haxh duhet të ketë së pari mundësinë financiare dhe shëndetësore. Mundësia financiare do të thotë që ai të ketë siguruar mjetin e udhëtimit dhe harxhimet e tjera, si: ushqimi, fjetja etj. Çdokush që ka vënë mënjanë shpenzimet e rrugës për në haxh e ka detyrë t'i lërë familjes të holla, të paktën aq sa të mund të jetojnë normalisht deri në kthimin e tij. Në këtë kusht përfshihet dhe siguria e udhëtimit. Në rastin kur njeriu i ka të gjitha mundësitë financiare, por nuk ka fizik të mirë për të përballuar ritet e haxhit, ose është i moshuar apo me sëmundje të përhershme, atëherë dërgon në vend të tij një zëvendës, i cili quhet bedel. Bedeli duhet ta ketë bërë haxhin për veten e tij më parë. Këto kushte vlejnë edhe për gruan që kërkon të kryejë detyrimin e haxhit; mirëpo, ajo duhet të jetë e shoqëruar nga pjesëtarë meshkuj të familjes së saj, të cilët njihen me termin mahrem. Në rast se nuk mund të gjendet askush prej tyre, atëherë lejohet t'i bashkëngjitet karvanit ose grupit të haxhinjve, e shoqëruar me gra të tjera të besueshme.
Shënim: Një pjesë tjetër e dijetarëve mendojnë se haxhi është bërë obligim në vitin e gjashtë të hixhretit.
Shtyllat e Haxhit
- Nijeti bashkë me veshjen e ihramit. Njeriu vendos me zemër dhe shquan veprimin që është duke bërë, pasi ka veshur njëkohësisht pëlhurën e bardhë që quhet ihram. Ndryshe nga adhurimet e tjera, nijeti në haxh bëhet me gojë.
- Qëndrimi në Arafat.
- Tavafi — rrotullimi rreth Qabesë shtatë herë.
- Sa'ji — shtatë ecejaket mes kodrës Safa dhe Merve.
Shpjegimi i shtyllave
Nijeti: Njeriu duhet të jetë i qartë se po bën nijet të bëjë haxhin, umren apo të dyja bashkë, si dhe të dallojë nëse është duke e bërë për veten e tij apo për dikë tjetër. Me fjalën ihram kuptojmë dy pëlhura të bardha me të cilat mbulohet haxhiu: njëra mbulon pjesën e poshtme të trupit, kurse tjetra pjesën e sipërme. Ihrami nuk duhet të ketë mëngë dhe s'duhet të jetë i qepur. Personi që vesh ihramin dhe fillon të kryejë ritet e posaçme quhet muhrim.
Qëndrimi në Arafat është kushti themelor i haxhit, sepse Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Haxhi është vetë Arafati." Transmetuan Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Në ditën e nëntë të muajit hënor Dhul-Hixhe të gjithë haxhinjtë e kanë detyrë të mblidhen në fushën e Arafatit. Koha e qëndrimit fillon kur Dielli anon nga kupa e qiellit në ditën e nëntë të Dhul-Hixhes dhe përfundon në agim të ditës së dhjetë. Nëse besimtari arrin në Arafat gjatë ditës, e ka detyrë të qëndrojë deri në perëndim të Diellit. Në qoftë se nuk arrin të kapë asnjë moment të Arafatit, brenda kohës së përmendur, atëherë haxhi prishet dhe konsiderohet i pavlefshëm.
Tavafi nënkupton rrotullimin rreth Qabesë 7 herë. Kemi tre lloje tavafi: tavafi i mbërritjes në Mekë, tavafi ifada (i haxhit) dhe tavafi i lamtumirës. Tavafi që konsiderohet shtyllë e haxhit është tavafi ifada. Ky tavaf bëhet pasi janë hedhur guralecët në Akabe, pas kurbanit dhe pas rruajtjes apo shkurtimit të flokëve, në ditën e 10-të të Dhul-Hixhes, që është dita e Bajramit.
Sa'ji janë shtatë ecje në formë vajtje-ardhjeje ndërmjet dy kodrave, Safa dhe Merve, duke filluar nga Safa dhe përfunduar te Merve. Nëse haxhiu bën sa'jin dy herë — atë të umres dhe atë pas tavafit ifada — është sa'ji i dytë ai që konsiderohet nga shtyllat e haxhit. Ai që kryen haxhin sipas ritit kiran ose ifrad nuk e ka detyrë sa'jin pas tavafit ifada, nëse e ka bërë më parë sa'jin me rastin e futjes në Mekë.
Shënim: Arafati është një vend i hapur dhe i gjerë që ndodhet rreth 25 km larg Mekës.
Gjërat e ndaluara gjatë ihramit
- Veshja e rrobave të zakonshme të qepura. Këtu futen edhe çorapet, këpucët dhe mestet që mbulojnë nyjen e këmbës. Lejohen shapkat dhe pantoflat që nuk e mbulojnë nyjen. Këto rregulla lidhen vetëm me meshkujt, sepse femrat janë të lira të veshin rrobat që për meshkujt janë të ndaluara.
- Mbulimi i kokës për meshkujt me çfarëdo gjëje: kapele, shami etj. Kurse për gratë është i ndaluar mbulimi i fytyrës dhe i pëllëmbëve të duarve.
- Heqja, prerja ose shkulja e qimeve të kokës dhe të trupit, kudo qofshin ato.
- Prerja e thonjve të duarve dhe të këmbëve.
- Parfumosja e trupit ose e ihramit. Nëse është parfumosur përpara veshjes së ihramit dhe era vazhdon të ndihet, nuk përbën problem.
- Marrëdhëniet seksuale.
- Paraveprimet që të çojnë te marrëdhëniet seksuale, si: puthjet, ledhatimet, fërkimet etj.
- Bërja e ceremonisë së fejesës ose lidhja e aktit të martesës.
- Gjuetia dhe vrasja e kafshëve të tokës. Kafshët e detit dhe të ujit janë të lejuara. Është e ndaluar edhe ngrënia e gjahut të tokës që e ka vrarë tjetërkush enkas për muhrimin. Kafshët e dëmshme e të rrezikshme, si: gjarpri, akrepi etj., lejohen të vriten gjatë ihramit.
Shpagimi i gabimeve të haxhit quhet kefare. Për pesë ndalesat e para, kush bën njërën prej tyre duhet të shpaguajë duke agjëruar tre ditë, ose të ushqejë gjashtë persona të varfër, ose të bëjë kurban një dele (i lirë të zgjedhë). Marrëdhëniet seksuale para çlirimit të parë nga ihrami e prishin haxhin; muhrimi duhet t'i vazhdojë ritet e tjera dhe të bëjë kurban një deve (në mungesë, një lopë; në mungesë, shtatë dele; në pamundësi, të agjërojë dhjetë ditë), pastaj ta përsërisë haxhin kaza vitin pasardhës. Nëse marrëdhëniet kryhen pas çlirimit të parë, haxhi nuk prishet, por shpaguhet me kurban një dele. Për pikën e shtatë shpaguhet me një dele. Për pikën e tetë (fejesa/martesa) nuk ka kefare, por pendim dhe kërkim falje. Për gjuetinë e kafshëve të tokës, muhrimi flijon një kafshë të ngjashme për nga madhësia me atë që ka vrarë.
Kushtet e Tavafit
- Nijeti — të përcaktohet tavafi dhe lloji i tij.
- Mbulimi i auretit ashtu si në namaz, sepse tavafi është një lloj namazi.
- Pastrimi i trupit, rrobës dhe vendit — të ketë marrë abdes ose gusël sipas nevojës. Nuk mund të bëjë tavaf ai që nuk ka abdes, ose është xhunub, ose gruaja me menstruacione.
- Tavafi të bëhet duke e pasur Qabenë në krahun e majtë.
- Fillimi i tavafit nga Guri i Zi dhe përfundimi po aty.
- Të plotësohen shtatë xhiro. Nëse dyshon për numrin, të llogarisë numrin më të pakët për të cilin është i sigurt.
- Tavafi të jetë brenda territorit të xhamisë.
Kushtet e Sa'jit
- Të bëhet sa'ji pas tavafit të rregullt.
- Të respektohet radhitja, duke filluar me Safanë e duke mbaruar me Merven.
- Të plotësohen shtatë ecejake.
- Të plotësohet distanca e plotë mes Safasë dhe Merves, pa lënë asnjë pjesë pa ecur.
Abdesi nuk është kusht te sa'ji. Madje, sa'jin mund ta kryejë si xhunubi ashtu edhe gruaja me menstruacione, pasi kanë kryer tavafin duke qenë të pastër.
Mikati
Me fjalën Mikat kuptojmë vendin dhe kohën e caktuar për të veshur ihramin dhe për të bërë nijetin për haxh ose umre. Muajt e haxhit janë: Shevval, Dhul-Ka'deh dhe 10 ditët e para të Dhul-Hixhes. Vendet përkatëse për veshjen e ihramit janë caktuar nga vetë Profeti (alejhissalatu uesselam):
- Dhul-Hulejfe — për banorët e Medines dhe ata që kalojnë nga kjo anë.
- El-Xhuhfeh — për banorët e Shamit, Egjiptit dhe Veriut të Afrikës deri në Marok.
- Karnul-Menazil — për banorët e Nexhdit dhe ata që shkojnë nga kjo anë, si irakenët.
- Jelemlem — për banorët e Jemenit dhe ata që shkojnë nga kjo anë.
- Xhamia e Shenjtë (ose shtëpitë e tyre) — për banorët e Mekës dhe të atyre që jetojnë rreth saj.
Haxhinjtë që udhëtojnë me avion lajmërohen kur arrijnë mbi zonën e mikatit; mund të vishen më parë ose në avion dhe, kur kalojnë mbi mikat, bëjnë nijetin e ihramit dhe të haxhit.
Telbija
Telbija është një lloj lutjeje në formë madhërimi që i kushtohet Allahut gjatë gjithë kohës së ihramit.
لَبَّيْكَ اللَّهُمَّ لَبَّيْكَ، لَبَّيْكَ لا شَرِيكَ لَكَ لَبَّيْكَ، إِنَّ الْحَمْدَ وَالنِّعْمَةَ لَكَ وَالْمُلْكَ لا شَرِيكَ لَكَ
Lebbejkell-llahumme lebbejk. Lebbejke la sherike leke lebbejk. Innel-hamde uenni'mete leke uel-mulk la sherike lek.
Të përgjigjem Ty, o Allah, të përgjigjem. Të përgjigjem e Ti nuk ke shok (ortak). Vërtet të gjitha falënderimet janë për Ty. Mirësitë dhe sundimi janë të Tuat. Ti je i pashoq.
Vaxhibet e haxhit
- Veshja e ihramit dhe bërja e nijetit nga pikat e mikatit.
- Hedhja e guralecëve në xhemeratet gjatë ditëve të teshrikut.
- Fjetja në Muzdelife.
- Qëndrimi në Mina në netët e teshrikut.
- Tavafi i lamtumirës.
Të gjitha veprimet e tjera në haxh janë sunete dhe mustehabe. Nëse njëri prej kushteve apo shtyllave nuk realizohet, haxhi është i pavlefshëm. Nëse ndonjëra nga vaxhibet nuk kryhet, shpaguhet duke bërë kurban një dele. Për lënien e riteve sunete nuk ka shpagim.
Llojet e Haxhit
- Temetu' — haxhiu në mikat vesh ihramin duke bërë nijet fillimisht umren. Pas kryerjes së umres çlirohet nga ihrami, pastaj e vesh sërish në ditën e Tervijes (dita e tetë e Dhul-Hixhes) dhe bën nijet të kryejë haxhin. Nijeti shprehet: "Lebbejkell-llahumme biumreh."
- Ifrad — haxhiu vesh ihramin në mikat dhe bën nijet të kryejë vetëm haxhin, pa umren. Nijeti shprehet: "Lebbejkell-llahumme bihaxhxhin."
- Kiran — haxhiu vesh ihramin dhe bën nijet për haxhin dhe umren bashkë. Nijeti shprehet: "Lebbejkell-llahumme bihaxhxhin ue umretin."
Umra
Ashtu si haxhi, umra është detyrë për muslimanin një herë në jetë. Ndryshe nga haxhi, umra lejohet të bëhet gjatë gjithë vitit, mirëpo më e pëlqyeshme është në muajin e Ramazanit. Nëse muslimani e bën umren në haxh nëpërmjet llojit temetu' ose kiran, atëherë e ka hequr detyrimin e tij nga ky rit.
Shtyllat e umres: nijeti bashkë me veshjen e ihramit, tavafi, sa'ji.
Vaxhibet e umres: veshja e ihramit dhe bërja e nijetit nga pikat e mikatit (për ata që banojnë jashtë kufijve të mikatit); rruajtja ose qethja e flokëve.
Harta e itinerarit për ritet e haxhit (lloji temetu')
Në mikat
- Heq të gjitha rrobat e qepura, këpucët që mbathin këmbët dhe çdo gjë të qepur që mbulon nyjen e këmbës.
- Pastron pjesët intime, sqetullat, shkurton thonjtë dhe mustaqet.
- Merr gusël (sipas mundësisë) ose abdes dhe parfumoset me erë të mirë.
- Vesh ihramin dhe bën nijetin e umres me gojë: "Lebbejkell-llahumme biumreh." Më pas bën telbije në mënyrë të vazhdueshme.
- Fal dy rekate namaz me nijetin e veshjes së ihramit (në rekatin e parë sureja Kafirun, në të dytin sureja Ihlas, pas Fatihasë).
Hyrja në Mekë
- Kur futesh në Mekë, drejtohesh për në Qabe. Aty e ndërpret telbijen dhe drejtohesh te Guri i Zi, nga ku fillon tavafi. Nëse nuk arrin ta puthësh Gurin, bën me shenjë me dorë dhe thua: "Bismil-lah, Allahu Ekber."
- Fillon tavafin (pasi ke marrë abdes) dhe bën shtatë xhiro rreth Qabesë. Në tre xhirot e para zbulon krahun e djathtë (vetëm në këtë tavaf).
- Pas tavafit, fal dy rekate namaz, mundësisht pas Mekamit Ibrahim (Kafirun dhe Ihlas).
- Nëse mundesh, pi nga uji i zemzemit.
- Kalon te dy kodrat Safa dhe Merve dhe bën sa'jin, shtatë ecejake nga Safa te Merve. Mes dy vijave të gjelbra ecet me nxitim ose vrap të lehtë; në fund ecje e zakonshme.
- Pas sa'jit rruan ose shkurton flokët (femra shkurton veç majat). Pas kësaj heq ihramin dhe konsiderohesh i liruar; të lejohet çdo gjë që e kishe të ndaluar gjatë ihramit. Deri këtu kanë mbaruar ritet e umres.
Dita e Tervijes (dita e tetë e Dhul-Hixhes)
- Heq rrobat e qepura, pastrohesh si në mikat, merr gusël ose abdes.
- Vesh ihramin duke bërë nijetin e haxhit me gojë: "Lebbejkell-llahumme bihaxhxhin." Fillon telbijen, e cila vazhdon deri në ditën e Bajramit.
- Shkon në Mina dhe fal drekën, ikindinë, akshamin dhe jacinë, çdo namaz në kohën e vet, duke shkurtuar në dy rekate namazet katërrekatëshe. Aty qëndron deri të nesërmen ku fal edhe sabahun.
Arafati (dita e nëntë e Dhul-Hixhes)
- Pas lindjes së diellit nisesh për në Arafat (e pëlqyeshme të merret gusël).
- Aty fal drekën dhe ikindinë të shkurtuara e të bashkuara (ikindia në kohën e drekës), me një ezan dhe dy ikamete.
- Qëndron deri në perëndim të diellit duke bërë dhikr, istigfar dhe shumë dua.
Fjetja në Muzdelife
- Pas perëndimit të diellit nisesh për në Muzdelife duke bërë istigfar.
- Fal akshamin dhe jacinë të bashkuara (jacia e shkurtuar), me një ezan dhe dy ikamete. Akshamin e vonon në kohën e jacisë.
- Qëndron gjithë natën deri në sabah, ku fal namazin e sabahut, pastaj qëndron te "El-mesh'arul haram" duke bërë dhikr deri kur të lindë dielli.
Dita e Bajramit (dita e dhjetë e Dhul-Hixhes) — Mina
- Pas lindjes së diellit nisesh për në Mina. Aty gjuan shtatë guralecë te "El-xhemretul-kubra". Për çdo hedhje thua: "Allahu ekber."
- Pas hedhjes së gurëve bën kurbanin. Koha e kurbanit zgjat deri në tri ditë pas Bajramit. Një pjesë e mban për vete, pjesën tjetër ua shpërndan nevojtarëve. Ai që s'ka mundësi për kurban agjëron tri ditë në haxh dhe shtatë ditë kur të kthehet.
- Rruan ose qeth flokët (femra shkurton veç majat; për meshkujt rruajtja është më e pëlqyeshme). Me këtë je liruar nga ihrami, përveç marrëdhënieve seksuale — ky quhet çlirimi i parë.
Tavafi Ifada
- Pas rruajtjes shkon në Mekë dhe, pasi ke marrë abdes, bën tavafin ifada, shtatë herë rreth Qabesë.
- Pas tavafit fal dy rekate (Kafirun dhe Ihlas), mundësisht pas Mekamit Ibrahim.
- Nëse mundesh, pi ujë zemzemi.
- Bën sa'jin, shtatë ecejake nga Safa te Merve. (Ai që bën haxhin sipas ritit kiran ose ifrad nuk e ka më detyrë sa'jin, nëse e ka bërë më parë.)
- Pas sa'jit haxhiu lirohet përfundimisht nga çdo gjë.
Kthimi në Mina
- Kthehet në Mina ku qëndron dy ditë e dy netë. Për çdo ditë gjuan shtatë guralecë te shtylla e parë, shtatë te e mesmja dhe shtatë te e treta. Të sëmurët, gratë apo pleqtë mund të ngarkojnë dikë ta kryejë këtë.
- Namazet falen të shkurtuara, por jo të bashkuara.
- Nëse del nga Mina para perëndimit të diellit pas dy ditësh, nuk e ke detyrë të gjuash guralecët të nesërmen. Nëse të zë perëndimi aty, qëndron atë natë dhe të nesërmen gjuan sërish.
Tavafi i lamtumirës
Kur haxhiu vendos të dalë nga Meka, merr abdes dhe bën tavafin e lamtumirës, shtatë xhiro rreth Qabesë. Pas tij nuk kryhet asnjë rit tjetër, por del përfundimisht nga Meka.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë