Shtyllat e Besimit
Besimi në Allah
Argumentet e ekzistencës së Zotit, teuhidi, emrat dhe cilësitë e Allahut, si dhe çfarë e prish besimin.
Kushti i parë i Imanit: Besimi në Allah
Besimi në Allah është detyrë mbi detyrat, obligim mbi obligimet dhe parimi themelor i fesë islame. Pa këtë besim nuk kanë kuptim jeta dhe ekzistenca jonë. Besimi në Allah është një domosdoshmëri e patjetërsueshme nga ku burojnë të gjitha parimet e tjera islame dhe kushtet e besimit. Gjithashtu, ky besim është treguesi kryesor i vlefshmërisë së punëve tona dhe i pranimit të tyre.
Argumenti logjik
Argumentet që vërtetojnë dhe faktojnë ekzistencën e Zotit janë të panumërta. Çdo gjë që na rrethon dëshmon për këtë, madje çdo krijesë, sado e vogël apo e thjeshtë qoftë, është argument më vete. Çdo send në këtë botë i përket dikujt. Nëse shtëpia është e një ndërtuesi, thënia e një folësi, libri i një shkrimtari, gravura e një gdhendësi, piktura e një piktori, vepra e një mjeshtri dhe produkti i një prodhuesi, atëherë dhe gjithësia është e një Krijuesi.
Ndër argumentet e shumta që të çojnë në njohjen e Zotit është dhe logjika, fuqia e arsyetimit, kjo dhuratë kaq e madhe që e dallon njeriun nga kafshët. Nëpërmjet kësaj dhurate njeriu njeh dhe kupton vetveten, dallon të keqen nga e mira dhe kupton se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e padrejtë. Arsyeja e pastër e njeriut e bën atë të pyesë: Kush jam unë? Pse ekzistoj? Nga erdha, ku ndodhem dhe ku do të shkoj?
Të gjitha krijesat ndryshojnë me kalimin e kohës nga një gjendje në tjetrën dhe të gjitha janë subjekt i ndryshimit dhe i zhvendosjes. Të gjitha ecin drejt vendit të paracaktuar. Vetë njeriu dhe toka ku jeton, si dhe trupat qiellorë që e rrethojnë, lëvizin sipas një rendi të caktuar. Sa e çuditshme, edhe elektronet, si grimca më të vogla që janë, sillen e rrotullohen rreth bërthamës së atomit ashtu siç rrotullohen planetët në sistemin diellor. Pra, çdo gjë është në lëvizje, ka një fillim dhe një mbarim. A mos vallë kjo është diçka e rastësishme? Asgjë nuk erdhi vetë dhe as vetvetiu, sepse asgjëja nuk jep gjë, pra s'mund të krijojë. Ashtu dhe ajo që është, nuk e krijoi dot veten e vet dhe asgjë tjetër jashtë saj. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "A nuk e përkujton njeriu se Ne e krijuam atë më parë, kur ai nuk ishte asgjë?!" Merjem, 67. Në një verset tjetër Ai thotë: "A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo ata janë krijuesit e vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?!" Et-Tur, 35-36.
Krijesat e panumërta dhe ndryshimi mes tyre, shumëllojshmëria e gjallesave, bimëve dhe kafshëve, e frutave dhe e ushqimeve dëshmojnë për autorin e tyre. Ne, si njerëz, jemi dëshmitarë se në këtë botë asgjë nuk funksionon vetvetiu, por çdo gjë ka një shkak dhe çdo shkak sjell një pasojë. Kush i krijoi qiejt dhe tokën, kush i nënshtroi në lëvizje planetët, yjet, Diellin dhe Hënën? Kush e bëri tokën të banueshme dhe vendosi në harmoni të përkryer malet dhe fushat, lumenjtë, detet dhe liqenet? Cili është ai që e bëri ujin burim të çdo gjallese dhe ajrin aq të rëndësishëm e të pranishëm pikërisht aty ku gjallërojnë gjallesat? Po ashtu dukuritë natyrore: era, shiu, ndryshimi i klimës sipas ndryshimit të relievit, ndryshimi i natës dhe i ditës dhe çdo lëvizje tjetër në natyrë, kush i bëri të veprojnë e të zhvillohen sipas një ligji unik dhe të përpiktë? Logjika jonë do të vendosë pa hezitim se këto dukuri nuk janë produkt i rastësisë, por i Krijuesit të gjithësisë, Allahut të Madhërishëm.
Nga ana tjetër, kur shikojmë përsosmërinë në krijimin e gjallesave, vërtetojmë dijen e plotë, urtësinë dhe përsosmërinë e Krijuesit. Po të vështrojmë me syrin tonë krijesën më të thjeshtë, do të befasohemi në mrekullinë e krijimit të saj. Mendo se ç'mund të thuhet për njeriun që është një qenie tepër komplekse, fizike e biologjike, e për më tepër një qenie me ndjenja dhe arsye?!
E pra, asgjë nuk erdhi vetvetiu, aq më tepër pa një qëllim. Çdo gjë që filloi dhe u krijua, ka ndodhur sipas dijes dhe urtësisë absolute të Zotit Krijues, Allahut të Madhërishëm, i cili thotë: "Mos vallë, menduat se ju krijuam kot dhe nuk do të ktheheshit te Ne (për t'ju gjykuar)?!" El-Mu'minun, 115. Në një verset tjetër Ai thotë: "Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t'u zbavitur! Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë." Ed-Duhan, 38-39.
Argumenti i Fitras
Ndër argumentet e shumta që vërtetojnë ekzistencën e Zotit është dhe "fitra", natyrshmëria e pastër me të cilën njeriu lind. Fitra është pikërisht ajo ndjenjë e natyrshme në brendësinë e njeriut, që e shoqëron atë kudo dhe kurdo për të ndjerë e kuptuar ekzistencën e Krijuesit të tij. Pra, njeriu lind me nevojën që ka dhe që e shpreh herë pas here për Zotin, me besimin tek një qenie e Plotfuqishme që i dha jetën dhe i jep kuptim ekzistencës. Më pas, edukimi familjar, shoqëria dhe rrethi ku njeriu jeton, janë ato që e forcojnë ose e dobësojnë këtë ndjesi të brendshme që e ka çdokush. Fitra, bashkë me arsyen, siç përmendëm më sipër, e bëjnë njeriun të pyesë se pse ekziston, nga erdhi e ku do të shkojë. Të dyja këto janë një shtysë e fuqishme që e bëjnë njeriun jo vetëm të njohë Zotin, por dhe ta kërkojë Atë e të mësojë se çfarë kërkon Krijuesi prej tij. Njeriu në çdo moment ndjen nevojën për Zotin dhe përkujdesjen e Tij dhe këtë ndjesi nuk mund ta fshehë as arroganti, kryeneçi dhe mendjemadhi, i cili, sado të shfaqë mohimin e kësaj ndjesie me arrogancën e tij, i ndodhur në ngushticat e jetës dhe para sprovave të mëdha, do të ndjejë se ka një qenie të Plotfuqishme që mund ta ndihmojë. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Kur njeriun e godet një fatkeqësi, atëherë ai Na lutet shtrirë, ulur ose në këmbë. Por, sapo Ne ia largojmë të keqen, ai vazhdon rrugën, sikur nuk Na ishte lutur për fatkeqësinë që e kishte goditur." Junus, 12.
Fakti historik
Përveç këtyre argumenteve kemi dhe faktin historik që nuk mund të anashkalohet kurrsesi. Askush prej nesh nuk ka jetuar në kohën e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam), as në kohën e Profetëve të tjerë, por as në kohën e figurave të tjera historike. Mirëpo, ne nuk e vëmë në diskutim ekzistencën e asnjërit nga ata, sepse ne posedojmë dëshmi të shumta për ekzistencën e tyre. Të gjithë ata ishin pajisur me fakte të qarta dhe shumë nga ata me mrekulli, që u nevojitej për të kthyer popujt ku ishin dërguar te besimi i një Zoti të vetëm dhe tek adhurimi i Tij. Nuk do të gjesh asnjë popull dhe asnjë kulturë, sado e hershme që ajo të jetë, ku të mos përmendet ekzistenca e Krijuesit të gjithësisë. Në shumicën e rasteve, popujt e lashtë, çdo gjë që për ta ishte mister, e lidhnin me Zotin, pavarësisht se në shumë raste koncepti mbi Zotin ishte i gabuar dhe i devijuar nga injoranca dhe cytja e shejtanëve. Për shembull, egjiptianët e lashtë që herët besojnë se ëndrrat janë mesazh nga Zoti. Besime të tilla kishin dhe popujt e tjerë, si asirianët, babilonasit, persianët etj.
Të gjitha këto bashkë janë dëshmi historike që tregojnë se njerëzit, që në fillimet e tyre, kanë pasur kontakt dhe marrëdhënie të drejtpërdrejta me Krijuesin, dhe kjo nuk është fryt i fantazisë së njeriut, por një trashëgimi historike e pamohueshme, ashtu siç nuk mund të mohohet ekzistenca e perandorëve, mbretërve dhe sundimi i tyre. Po, është e vërtetë se shumë ngjarje e ndodhi janë të deformuara, madje shumë prej tyre të sajuara ose të pavërtetuara, mirëpo nga e gjithë rrjedha historike e njerëzimit që në lashtësi, dy elementë janë të pamohueshëm: marrëdhëniet dhe kontakti i njerëzve dhe popujve me Zotin, si dhe marrëdhëniet dhe kontakti i njerëzve me dinastitë dhe mbretërit e njëpasnjëshme. Ashtu siç nuk mund të mohosh këtë të fundit, po ashtu nuk mund të mohosh dot as të parën, që fundja ka qenë dhe vazhdon të jetë elementi kryesor në jetën e njerëzve.
Kështu, pra, ngado që njeriu të vështrojë, brenda vetes dhe jashtë saj, në gjërat që e rrethojnë dhe në rrjedhat historike si dhe në vetë arsyen dhe logjikën e tij, do të dëshmojë se është një krijesë me mangësi, që ka nevojë për Zotin e tij. Gjithashtu, ai do të kuptojë sa i padijshëm dhe sa i pafuqishëm është para dijes dhe fuqisë absolute të Atij që e krijoi.
Njëshmëria e Krijuesit
Përveç kësaj, logjika e pastër dhe e shëndoshë kupton se Krijuesi dhe Rregulluesi i kësaj bote është dhe duhet të jetë vetëm një. Nuk është e mundur që kjo gjithësi të ketë më shumë se një Zot, sepse s'mundet që të dy njëherësh të kenë krijuar të njëjtën gjë. Gjithashtu, nuk mund të pranohet si rikrijim diçka e krijuar më herët nga dikush tjetër. Po ashtu, nuk mundet që njëri të krijojë një pjesë dhe tjetri të krijojë pjesën tjetër, sepse diçka që krijon njëri s'ka bërë dot tjetri dhe anasjelltas. Kjo do të thotë se çdokush prej tyre është zot në pjesën e tij, pra pjesërisht dhe jo Zot i Plotë dhe Universal. E gjithë kjo çon në rivalitet mes tyre, ndërkohë Zoti i vërtetë është ai që nuk ka shok dhe as rival. Allahu në Kuran thotë: "Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. I lavdëruar qoftë Allahu." El-Enbija, 22. Në një verset tjetër Ai thotë: "Përveç Atij s'ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i Lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!" El-Mu'minun, 91.
Teuhidi
Besimi në një Zot të vetëm dhe pohimi se ky Zot duhet të adhurohet, i Vetëm e pa ortak, quhet Teuhid. Teuhidi shprehet me fjalën "La ilahe il-lall-llah Muhammedun resulull-llah", që do të thotë: "Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut." Kjo quhet "Kelimetut-Teuhid" (Fjala e Teuhidit). Teuhidi mund të shprehet ndryshe dhe me atë që quhet "Shehadeti" (Fjala e dëshmisë), e cila është: "Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah ue esh-hedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu", dhe që do të thotë: "Dëshmoj se s'ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Allahut."
Nga kjo kuptojmë se besimtar i vërtetë është ai që e shfaq dhe e dëshmon besimin e tij, duke pohuar teuhidin, dhe jo ai që vetëm ndjen me zemër dhe pohon me mendje besimin. Allahu i Madhëruar, ashtu siç të dha mendjen që të arsyetosh dhe zemrën që të ndjesh, ashtu të dha gojën që të shqiptosh dhe gjymtyrët që të veprosh. Pra, besimtar është ai që beson me të gjithë qenien e tij, me mendje dhe fjalë, me trup dhe me shpirt. Prandaj dhe përkufizimi i imanit (besimit) në fenë Islame është: "Besim me zemër, shqiptim me gojë dhe vërtetim me vepra. Imani shtohet e forcohet me punë të mira dhe pakësohet e dobësohet me mëkate." Për këtë arsye imani ndryshon nga një besimtar te tjetri.
Teuhidi është detyra e parë dhe më kryesore, nëpërmjet së cilës njeriu futet në Islam. Kur njeriu e pranon teuhidin, sipas kushteve që përmendëm më sipër, ka hyrë në Islam dhe ai quhet musliman. Islam do të thotë t'i dorëzohesh dhe nënshtrohesh tërësisht Allahut, duke pranuar bindjen e plotë ndaj Tij dhe duke u larguar tërësisht nga çdo gjë që e cenon teuhidin. Ky obligim vazhdon me njeriun derisa të vdesë. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për gjë tjetër, por vetëm që të më adhurojnë Mua." Edh-Dharijat, 56. Në një verset tjetër Ai thotë: "Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja." El-Hixhr, 99.
Shumë njerëz mendojnë se kuptimi i fjalës "Teuhid" është: "S'ka Zot tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut." Ky kuptim nuk mjafton sipas argumenteve të shumta të kësaj teme. Ky kuptim i ngushtë nuk është i mjaftueshëm, sepse me të pohohet ekzistenca e një Zoti të vetëm, por jo domosdoshmërish adhurimi i Tij. Ndërsa pohimi se "Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut" është kuptimi i vërtetë, sepse kjo fjalë pohon besimin në ekzistencën e një Zoti të vetëm, që është Allahu, dhe mohon besimin në zotat e tjerë. Në të njëjtën kohë pohon se ky Zot duhet të adhurohet, i vetëm, pa ortak dhe mohon adhurimin e çdo qenie tjetër që pretendohet si Zot. Ajeti 56 i Sures Edh-Dharijat, që përmendëm më sipër, na tregon qartë se shkaku i ekzistencës sonë në këtë botë është njohja e Zotit dhe adhurimi i Tij dhe jo thjesht besimi, duke lënë mënjanë adhurimin. Kjo ishte dhe thirrja e të gjithë Profetëve që dërgoi Allahu i Madhëruar te popujt e tyre. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): 'Adhuroni Allahun dhe shmangiuni idhujve.'" En-Nahl, 36.
Me fjalë të tjera, teuhidi përmban gjerësisht besimin dhe njësimin e Allahut të Madhëruar në veprat e Tij, që quhet Teuhidi Rububijjeh, ku besimtari beson se Allahu është Krijuesi i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Ai është Sunduesi, Rregulluesi, Furnizuesi. Ai jep jetën dhe vdekjen. Ai sjell dëmin dhe dobinë, dërgon dhe ndalon mirësinë, lëshon shiun dhe sjell thatësirën. Ai përcakton gjërat me diturinë e Tij dhe çdo gjë ndodh dhe zbatohet me Urtësinë e Tij, pa pasur shok, as ortak e as rival.
Faktin që Allahu është Krijuesi i kësaj bote dhe i gjithçkaje në të, dhe se Ai është Sunduesi, Rregulluesi, Furnizuesi etj., e besonin edhe idhujtarët në kohën e injorancës, para Islamit. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Nëse do t'i pyesësh ata: 'Kush i krijoi qiejt dhe tokën?', me siguri ata do të thonë: 'Allahu!'" Lukman, 25. Në një ajet tjetër Ai thotë: "Thuaj: 'E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini?' Ata do të thonë: 'Të Allahut!' E ti thuaju: 'Vallë, a nuk po ia vini veshin?' Thuaj: 'Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit Madhështor?' Ata do të thonë: 'Allahu!' E ti thuaju: 'Vallë, a nuk keni frikë ju?' Thuaj: 'Kush është Ai që ka në dorë pushtetin mbi çdo gjë, i Cili mbron, por prej Tij nuk mund të mbrohet askush, nëse e dini?' Ata thonë: 'Allahu.' E ti thuaju: 'Atëherë, përse magjepseni'?!" El-Mu'minun, 85-89.
Problemi i tyre në atë kohë, por edhe i shumë njerëzve sot, qëndron te pjesa tjetër e teuhidit, pra në adhurimin e Allahut, pasi ata i shoqëronin Atij shokë dhe ortakë në adhurim. Pjesë e teuhidit, pra, është dhe njësimi i Allahut në adhurim, që quhet Teuhidi Uluhijje, ku besimtari duhet të besojë se Allahu është i vetmi që meriton të adhurohet. Vetëm Atij duhet t'i lutet dhe vetëm Atij duhet t'i kërkojë ndihmë. Tek Ai mbështetet, nga Ai shpreson dhe vetëm prej Tij duhet të ketë frikë, duke mohuar dhe përgënjeshtruar të gjitha qeniet e tjera që pretendohen si zota. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë, që të mos adhuroni dikë tjetër përveç Tij." El-Isra, 23.
Ndërsa Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kur të lutesh, lutju veç Zotit, e kur të kërkosh ndihmë, kërkoi vetëm Allahut." Transmetoi Tirmidhiu. Të gjithë këtë që përmendëm e përmbledh ajeti i pestë i sures El-Fatiha, ku Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Urtë na mëson si ta lusim Atë duke thënë: "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë." El-Fatiha, 5.
Emrat dhe Cilësitë e Allahut (El-Esmau ues-Sifat)
Pjesë e teuhidit është dhe besimi në emrat dhe atributet e Zotit, ku besimtari duhet të besojë se Allahut i takojnë emrat më të bukur e më të plotë dhe se Ai është i cilësuar me atribute të larta që i përkasin madhështisë së Tij. Nga çdo emërtim i Allahut mund të përfitojmë një cilësi, sipas kuptimit dhe veprimit që jep emri, ndërsa cilësitë janë më shumë, sepse shumica e cilësive tregojnë veprime dhe nuk mund të përfitojmë emër të përveçëm nga çdo cilësi.
Njeriu nuk mund ta emërtojë dhe cilësojë Allahun e as t'i veshë Atij atribute nga ana e vet, por duhet ta emërtojë ashtu siç e ka emërtuar dhe cilësuar vetë Allahu veten e Tij, ose siç na ka treguar për Të i Dërguari i Tij, Muhamedi (alejhissalatu uesselam). Ai është Allahu: i Vetmi, i Përjetshmi, Krijuesi, Formuesi, Shpikësi i Pashembullt, i Plotfuqishmi, Madhështori, i Lartësuari, Më i Madhi, i Gjithëdijshmi, i Urti, Sunduesi, Mbikëqyrësi, Gjykuesi, i Drejti, Dhuruesi, Falësi, Mëshiruesi, Bujari, Bamirësi, Ndihmuesi, Udhëzuesi, i Buti, i Durueshmi, i Lavdishmi. Këto emra dhe të tjera të përmendura në Kuran, si dhe cilësitë hyjnore që dalin nga emrat e bukur të Allahut, apo gjenden në tekstet e Sheriatit, muslimani i beson dhe i pohon të gjitha sa janë, pa mohuar asnjë emër e asnjë cilësi. Nuk ia shtrembëron dhe as ia ndryshon domethënien, është i bindur plotësisht në to dhe s'ka kurrfarë dyshimi në kuptimin e tyre. Gjithashtu, muslimani duhet të besojë në emrat dhe cilësitë e Allahut pa përshkruar dhe pa përkufizuar nga ana e tij se si janë ato (mënyrën, formën, trajtën), sepse askush nuk di për Allahun më shumë se ç'ka treguar vetë Ai për veten e Tij.
Allahu është i Përkryer dhe i Pastër nga të gjitha mangësitë. Ai dëgjon, shikon, flet e vepron me cilësitë e Tij të plota, jo siç dëgjojnë, shikojnë, flasin dhe veprojnë krijesat. Nuk u përngjan aspak atyre dhe asnjë prej krijesave nuk bën dot gjë të ngjashme me veprat e Tij. Madje çdo punë e çdo vepër e krijesave nuk mund të ndodhë nëse nuk do Zoti i Plotfuqishëm. Ndërsa Allahu bën ç'të dojë, kur të dojë dhe si të dojë, nuk pyet njeri, nuk i merr leje askujt dhe nuk është përgjegjës për asgjë. Ai ishte, është dhe do të jetë gjithmonë, pa fillim e pa mbarim. Është i gjallë e nuk vdes kurrë. Nuk është i lindur dhe askënd s'ka lindur, por çdo gjë që ekziston në gjithësi e krijoi me Dijen dhe Urtësinë e Tij të pakufishme. Nuk ka nevojë për askënd dhe për asgjë, ndërsa krijesat kanë nevojë për Të në çdo çast e në çdo moment. Ai është Krijues pa nevojë dhe furnizon kë të dojë. I furnizon krijesat në të njëjtën kohë, sipas masës së caktuar nga vetë Ai.
Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë. Nuk e kap dremitja e as e kaplon gjumi. Ai di gjithçka që ka ndodhur dhe gjithçka që do të ndodhë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe çdo gjë para Tij është e dobët. Ai është Sunduesi i vërtetë dhe vepron me krijesat si të dëshirojë: ia jep pushtetin kujt të dojë dhe ia merr kujt të dojë, lartëson kë të dojë dhe poshtëron kë të dojë. Çdo e mirë është në dorën e Tij. Çfarë do Allahu bëhet dhe çfarë nuk do Ai, nuk bëhet. Kur vendos për diçka, mjafton të thotë: "Bëhu!" — dhe ajo bëhet. Çdo krijesë ia ka caktuar kur do lindë, si do rrojë e sa do jetojë. Askush nuk mund të kthejë mbrapsht caktimin e Tij dhe s'mundet kush ta ndryshojë gjykimin apo të dalë mbi urdhrin e Tij.
Allahu është Ai që e përmban gjithësinë e nuk përfshihet në të, por qëndron mbi të gjitha krijesat, mbi Arshin e Tij. Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë, humb dhe sprovon kë të dojë me drejtësinë e Vet. Allahu gjykon me gjykimin e Tij suprem dhe shpërblen e dënon njerëzit sipas punëve dhe askujt nuk i bën padrejtësi. Ai e di më së miri numrin e atyre që do të hyjnë në Xhenet dhe të atyre që do të futen në Zjarr, dhe këtij numri as i shtohet, as i pakësohet. Allahu do t'u shfaqet besimtarëve Ditën e Gjykimit me pamjen e Tij të bukur, që do të mahnitë çdo shikues.
Kështu, pra, Zotit të Madhëruar i përkasin emrat më të bukur dhe cilësitë e plota dhe Ai vepron sipas dëshirës dhe vullnetit të Tij. Askush nuk është i barabartë me Të. Ai është i pakrahasueshëm dhe nuk ka gjë që i përngjan Atij.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon dhe i sheh të gjitha." Esh-Shura, 11.
"Andaj, mos krahasoni asnjë me Allahun! Në të vërtetë, Allahu di, ndërsa ju nuk dini." En-Nahl, 74.
"Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirrni Atë (lutjuni Atij) me to dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij!" El-Araf, 180.
Çfarë e cenon (dëmton) Teuhidin
Teuhidi dëmtohet kur njeriu bën kufër ose shirk.
Kufër do të thotë të biesh ndesh me bazat e teuhidit duke braktisur imanin (besimin), ose duke mohuar apo përgënjeshtruar njërin prej kushteve të imanit, ose njërën prej shtyllave të Islamit. Allahu në Kuran thotë: "Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër do të jetë i dështuar." El-Maide, 5. Nga kjo kuptojmë se kufri i zhvlerëson të gjitha veprat e mira dhe e fut njeriun përjetësisht në zjarr.
Kufër quhet edhe kur njeriu mohon një kategori të veçantë brenda njërit prej kushteve të imanit, apo njërës prej shtyllave të Islamit. Për shembull, beson të gjithë melekët përveç Xhibrilit, ose beson në mbarë librat hyjnorë përveç Zeburit që i zbriti Davudit, ose beson në të gjithë Profetët, por mohon Isain. E njëjta gjë ndodh edhe me shtyllat e Islamit, kur mohohet njëra shtyllë e tij, qoftë dhe pjesërisht. Të gjitha këto gjëra e nxjerrin njeriun nga Islami dhe, për pasojë, zhvlerësohen punët e mira dhe ai nuk quhet më musliman, por jobesimtar, mohues (kafir), për aq kohë sa ai nuk pendohet dhe nuk rinovon besimin e tij, sipas kushteve të Teuhidit.
Sidoqoftë, veprat që Sheriati i ka emërtuar si kufër, jo gjithmonë të nxjerrin nga Islami, sepse njeriu mund të mos ketë njohuri të mjaftueshme për çdo hollësi. Pra, jo çdo herë kur njeriu bie në kufër konsiderohet domosdoshmërish jobesimtar (kafir). Kufri i mirëfilltë, i cili të nxjerr nga feja, është atëherë kur mohon ose përgënjeshtron një argument të Sheriatit, që është përmendur drejtpërdrejtë në ajete Kuranore, ose në hadithe autentike të Profetit, dhe që njihen domosdoshmërish nga të gjithë, d.m.th. dihen nga të gjithë njerëzit, të mëdhenj e të vegjël, të dijshëm e të padijshëm, dhe s'ka mundësi të injorohet. Vetëm në këtë rast njeriu nuk mund të justifikohet më për kufrin e tij.
Kufri i vogël. Kufër të vogël quajmë çdo mëkat që Sheriati Islam e ka përcaktuar të tillë. Pra, duke qenë se nuk bie ndesh drejtpërdrejtë me teuhidin, atëherë konsiderohet kufër i vogël dhe për rrjedhojë nuk të nxjerr nga feja. Shembuj të kufrit të vogël janë: vrasja e besimtarit, vetëvrasja, polemikat në çështjet e Kuranit, mohimi i atësisë, tradhtia, mosmbajtja e premtimit, të vajtuarit me kuje, goditja dhe shqyerja e rrobave në rast vdekjeje, sharja e farefisit të një personi, mosgjykimi me ligjin e Allahut, mosfalënderimi për mirësitë e Allahut etj.
Nëse dikush beson se të gjitha këto gjynahe të mëdha, por dhe të tjera që në Sheriat njihen si kufër i vogël, nuk janë të ndaluara, atëherë kjo vepër konsiderohet kufër i madh që të nxjerr nga feja. Për shembull, kur dikush nuk gjykon me ligjin e Allahut, duke u justifikuar me gjëra të ndryshme dhe pohon se ligji Islam është i vërteti dhe i duhuri, atëherë ajo vepër konsiderohet si kufër i vogël. Ndërsa ai që nuk gjykon me ligjin e Allahut dhe nuk e pranon atë si ligjin më të mirë e më të përshtatshëm, ose që beson se ligji Islam nuk vlen më për kohën e sotme e të tjera si këto, ka kryer një vepër që konsiderohet kufër i madh që të nxjerr nga feja.
Shirku
Shirk do të thotë t'i bashkëshoqërosh Allahut shok dhe ortak në mënyrën e të besuarit, në vepra dhe adhurime. Shirkun mund ta quajmë në shqip idhujtari, paganizëm ose politeizëm, dhe ai shfaqet në forma të ndryshme, që nga ato më të dukshmet e deri tek ato që nuk njihen mirë nga pjesa më e madhe e njerëzve. Shirku është mëkati më i madh që ekziston, sepse ai prek të drejtën unike të Allahut, që është njëshmëria e Tij në zotërim, plotfuqishmëri, krijim, sovranitet të plotë dhe në cilësitë absolute e të pakrahasueshme të Tij. Thënë ndryshe, shirku është vepra më e shëmtuar dhe padrejtësia më e madhe, sepse shirku nënkupton t'i dedikosh mangësi Allahut të Lartësuar, duke barazuar dikë tjetër me Të. Prandaj Allahu nuk e fal shirkun. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Vërtet Allahu nuk fal kur Atij i bëhet shirk (shoqërohet shok), por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë." En-Nisa, 48. Kjo do të thotë se çdo njeri që vdes në kufër ose shirk, nuk do të përfitojë nga shefaati (amnistia) Ditën e Gjykimit, por do të jetë përgjithmonë në zjarr. Ndërsa gjynahet e tjera të mëdha janë në dorë të Allahut, i Cili mund të dënojë edhe për to, nëse nuk do t'i falë. Mirëpo, në këtë rast dënimi është i përkohshëm dhe vendi përfundimtar i mëkatarit do të jetë Xheneti.
Llojet e shirkut
Idhujtaria apo shirku shfaqet në forma të shumta dhe të ndryshme, aq sa është e vështirë të përmblidhen të gjitha. Në çdo kohë dhe vend, format e idhujtarisë marrin ngjyrime dhe trajta të llojllojshme. Këtu mund të përmendim disa më kryesoret:
- Të besosh se Zoti nuk është një dhe i vetëm, në çfarëdo lloj forme qoftë ky besim.
- Të besosh se Ai ka bashkëshorte ose fëmijë.
- Të adhurosh tjetër kënd veç Zotit, ose të përfshish në adhurim dhe në ndërmjetësim, mes teje dhe Zotit, dikë prej krijesave.
- Të therësh kurban në emër të tij, t'i lutesh atij, të shpresosh prej tij e t'i kërkosh ndihmë e shpëtim për gjëra që ka mundësi t'i bëjë vetëm Allahu.
- Të besosh në fuqi të mbinatyrshme të tjera, veç Zotit.
- Të besosh se njerëzit e mirë ose krijesa të ndryshme kanë pushtet mbi jetën, sëmundjen, shërimin, fatin dhe mbarësinë; të besosh se ata mund të sjellin dëm ose dobi, duke u dhënë kështu atribute hyjnore. Nga kjo lind frika dhe dashuria; të kesh frikë dikë tjetër, veç Allahut, ose ta duash atë si Zotin ose më shumë.
- Të besosh se disa njerëz dinë të fshehtën, të besosh fallxhorët dhe parashikuesit e së ardhmes.
- Të pranosh se mund të ketë gjykues më të mirë apo të ngjashëm me Zotin etj.
Të gjitha këto vepra e besime konsiderohen shirk i madh dhe të nxjerrin nga feja.
Shirku i vogël
Ashtu si kufri i vogël, shirk të vogël quajmë çdo mëkat që Sheriati Islam e ka përcaktuar të tillë. Pra, duke qenë se ai nuk bie ndesh drejtpërdrejtë me teuhidin, atëherë konsiderohet shirk i vogël dhe për rrjedhojë nuk të nxjerr nga feja. Shembuj të shirkut të vogël, që përmenden në hadithet profetike, janë: shtirja në adhurime të ndryshme dhe betimi në emrin e dikujt tjetër, veç Allahut. Shtirja në terminologjinë fetare quhet rija. Ajo është nga mëkatet më të rrezikshme, sepse kur njeriu shtiret, adhurimet dhe punët e tij nuk i bën me sinqeritet për hir të Allahut, por sillet si hipokrit. Pra, nëpërmjet shtirjes njeriu dëshiron ta shohin të tjerët, ta lavdërojnë dhe të flasin mirë për të. Ai kërkon që të jetë njeri i dëgjuar mes njerëzve. Kjo ia shkatërron punët e mira, andaj Ditën e Gjykimit do të përjetojë nënçmim dhe poshtërim. Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) shtirjen e ka quajtur "Shirku i fshehtë", sepse nuk është i dukshëm si punët e tjera, por fshihet thellë në brendësinë e zemrës, prandaj shumë njerëz nuk e kuptojnë kur e kryejnë atë.
Duke qenë se iman do të thotë të besosh me zemër, ta shprehësh atë me gojë dhe të punosh me vepra, atëherë edhe kufri e shirku nuk bëhen vetëm me zemër, por edhe me gojë dhe me vepra. P.sh.: ai që tallet me fenë, shan Zotin, shan Profetët ose Kuranin, nuk shihet nëse e ka pasur qëllim me zemër ose jo. Kjo gjë konsiderohet kufër i madh, sepse bie ndesh drejtpërdrejtë me teuhidin. Po ashtu, edhe kur i bie në sexhde një idhulli ose një krijese çfarëdo, nuk pyetet nëse e ka bërë këtë vepër me zemër ose jo, me qëllim apo jo. Kjo vepër konsiderohet shirk, sepse është një vepër që i dedikohet vetëm Allahut.
Nifaku (dyfytyrësia)
Teuhidin e cenon edhe ajo që quhet në gjuhën e sheriatit "Nifak". Nifak do të thotë dyfytyrësi në veprat e imanit dhe Islamit. Pra, kjo ndodh kur njeriu shfaq besimin, por në zemër fsheh mohimin. Ky njeri quhet munafik (hipokrit në fe). Munafiku mund ta shfaqë hipokrizinë e tij në forma të ndryshme, siç janë: përgënjeshtrimi i Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) dhe fesë Islame, qoftë dhe pjesërisht; urrejtja ndaj Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam), ose fesë islame, qoftë dhe pjesërisht; luftimi i fesë dhe muslimanëve; gëzimi dhe kënaqësia kur muslimanët pësojnë disfatë etj. Munafiku është më i rrezikshëm se një kafir (jobesimtar) i thjeshtë, sepse ai shfaq besim dhe dashuri për Islamin dhe muslimanët, por i lufton ata sa herë që mundet. Për këtë arsye munafiku do të përjetojë dënimin më të ashpër në zjarrin e Xhehenemit. Allahu i Madhëruar thotë: "Pa dyshim që munafikët (hipokritët) do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t'u gjesh atyre ndihmës." En-Nisa, 145.
Është me rëndësi të dimë se jo çdo njeri meriton të quhet munafik për një vepër që në pamje të parë duket si nifak (dyfytyrësi në fe), sepse qëllimin e tij në zemër e di vetëm Allahu. Për shembull, vrasja e një besimtari mund të jetë për arsye nifaku, ose për arsye të tjera të rëndomta. Duke qenë se ne nuk e zbulojmë dot qëllimin e vrasësit në zemrën e tij, atëherë ajo vepër konsiderohet në syrin tonë krim dhe mëkat i madh, por jo nifak.
Besëtytnitë
Mosnjohja e teuhidit dhe e parimeve të tij bën që shumë njerëz të jenë viktimë e besëtytnive. Në shumë raste këto besëtytni bien ndesh me teuhidin dhe për pasojë ato të nxjerrin nga feja. Besëtytnitë janë besime të gabuara dhe të kota për të cilat nuk ka asnjë argument fetar. Më së shumti, ato janë të trashëguara tek njerëzit si pasojë e injorancës dhe e nevojës për të gjetur zgjidhje dhe shpëtim për shumë probleme të jetës së përditshme. Shumë njerëz e lidhin jetën e tyre aq ngushtë me këto besëtytni, saqë ato bëhen dukuri të pandashme dhe të kudoshfaqura. Shumë besojnë se disa njerëz, kafshë, sende apo dukuri të caktuara shërbejnë si shenja të fshehta që parathonë të ardhmen apo sjellin fat ose fatkeqësi. Shumë njerëz përdorin dhe mbajnë në trup ose në vende të ndryshme nuska dhe hajmali me qëllim mbarëvajtjeje, mbarësie dhe suksesi. Disa i vendosin për t'u mbrojtur nga efektet e magjisë dhe syrit të keq, nga të shkelurit e xhindeve, sëmundjet e ndryshme ose tersllëku, apo dhe për të pasur fat të mirë. Këto dukuri e largojnë njeriun nga besimi i vërtetë dhe teuhidi. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhissalatu uesselam), thotë: "Kush var një nuskë (hajmali) ka bërë shirk." Transmetoi Ahmedi.
Llojet e besëtytnive dhe format e tyre janë aq shumë sa nuk mund të përmblidhen të gjitha në një libër të vetëm. Me rëndësi është të dihet nga çdo njeri se fatin, mbarësinë, sukseson, shpëtimin, shërimin, lumturinë dhe dobinë i sjell vetëm Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Urtë e askush tjetër veç Tij. Po ashtu, vetëm Allahu i Plotfuqishëm është Ai që mund të të ruajë nga efektet e magjisë, syrit të keq, fatkeqësisë, tersllëkut, dëmit dhe sëmundjeve të ndryshme. Për këtë arsye kemi përmendur më sipër hadithin profetik ku i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhissalatu uesselam), thotë: "Kur të lutesh, lutju vetëm Zotit, e kur të kërkosh ndihmë, kërkoi vetëm Allahut." Transmetoi Tirmidhiu. Nëse njeriu është i qartë te kjo dhe te domethënia e teuhidit dhe parimet e tij, do të ketë mundësi të dallojë çdo besëtytni dhe ta luftojë atë në çdo kohë dhe në çdo moment, pavarësisht llojit dhe formës. Sidoqoftë, këtu po përmendim disa forma kryesore të besëtytnive që janë të njohura në vendin tonë:
- Vendosja e patkoit të kalit, brirëve të dashit, kokës së gjarprit, specave djegës, hudhrave ose kokërdhokëve plastikë në formën e hudhrave, nuskave e hajmalive, kukullave apo lodrave prej pelushi, mbajtëses së çelësave, varëses së murit e pajisur me një ose dy sy të hapur, apo bishtit të dhelprës etj., në shtëpi, makinë, dyqan, ose vende të ndryshme, për të larguar syrin e keq, të ligat dhe tersllëkun. Shumë fshatarë përdorin dhe vendosjen e dordolecëve në fusha ose oborret e shtëpive, jo për të mbajtur larg shpendët dëmtues, por për të larguar syrin e keq dhe të ligat.
- Djegia e kripës mbi pllakën e nxehtë, shkrirja e plumbit, therja e kurbanit, këndimi i tespive, lagia e tyre me ujë dhe varja në qafë etj., për t'u ruajtur gjithashtu nga syri i keq, nga të këqijat, ndoshta nga vetë magjia. Shumë njerëz luajnë nga vendi, sa herë që dëgjojnë një fatkeqësi, ose fërkojnë hundën lehtë me dorë duke e shoqëruar me fjalën "mashalla" për t'u ruajtur nga syri i keq. Disa të tjerë i fryjnë dorës sa herë që fërkojnë gushën e tyre, që të mos i kapin sëmundje të caktuara. Ka dhe prej tyre që, kur dëgjojnë ose përmendin ndonjë rrezik, qoftë dhe imagjinar, prekin ndonjë gur ose dru duke shprehur disa herë radhazi nëpër dhëmbë formulën: "Gurit e drurit..." Në trevat e Veriut është i njohur zakoni i vizatimit të formave të ndryshme në kurrizin e dorës, që i quajnë "lulebore". Kjo zakonisht bëhet që në fëmijëri, për të pasur fat dhe mbarësi.
- Hedhja e kokës së kurbanit te themelet e shtëpisë apo çfarëdo ndërtese tjetër, ose spërkatja e themeleve me gjakun e kurbanit, për mbarësi dhe ruajtje nga e keqja. Shumë njerëz fusin kokën e prerë të ndonjë gjeli ose pule bashkë me të vdekurin në varr, që të mos marrë dikë tjetër me vete. Ka dhe prej tyre që hedhin oriz brenda arkivolit ku është vënë i vdekuri.
- Vizita në të ashtuquajtura vende të shenjta ose varre, tyrbe etj., me qëllim shërimi, mbarësie, fati ose shpëtimi nga magjia. Në shumë raste të tjera, për shkak të injorancës, njerëzit lidhin fije peri, nyje të ndryshme, ndonjëherë përdorin dhe vënien e një dryni të vogël në kangjellat, dritaret apo portat e tyrbeve, varreve ose vendeve të shenjta. Ka dhe prej tyre që lënë rrobat e brendshme në këto vende, për të gjetur shërim ose fat. Plot njerëz marrin me vete nga dheu i këtyre vendeve, duke menduar se po marrin diçka të shenjtë që do t'i mbrojë ose do t'u sjellë mbarësinë.
- Leximi i dorës dhe i filxhanit, kockave të kafshëve, letrave të bixhozit, horoskopit të yjeve etj., për të njohur gjoja të ardhmen, fatin dhe fatkeqësinë.
Të gjitha këto besëtytni cenojnë drejtpërdrejt besimin e njeriut dhe parimet e teuhidit.
Ka dhe besëtytni të cilat janë më të lehta e më pak të dëmshme se ato që u përmendën më lart, por sidoqoftë ato mbeten të rrezikshme, përderisa nuk kanë bazë fetare, aq më tepër kur mund të të shpien në besime që të nxjerrin nga feja. Në këtë rang besëtytnish futen ato dukuri të cilat tek njerëzit njihen si shenja të mira ose të këqija që vijnë nga Zoti. Thënë ndryshe, besohet se Zoti paralajmëron për ndodhjen e disa gjërave nëpërmjet krijesave të Tij si p.sh.: shfaqja e korbave të zinj ndjell keq; lehja e qenit në formë ulërime drejtuar një ndërtese ndjell vdekje; kruajtja e hundës paralajmëron sherr; udhëtimi ditën e martë del ters; qëndrimi i pëllumbit të bardhë mbi çati ose shtëpi ndjell fat të mirë; rënia e glasës së zogut mbi dikë ose mbi ndonjë send tregon mbarësi; kruajtja e dorës së majtë paralajmëron ardhjen e parave; rënia e një sendi në pozicionin e duhur, sikur të ishte vënë me dorë, paralajmëron ardhjen e një miku ose mysafiri; teshtima gjatë bisedës tregon për vërtetësinë e asaj që po thotë folësi; kur të zë lemza shumë, tregon se diku dikush është duke të përmendur; besimi se njerëzit sybardhë ose ata që kanë pirë qumësht gjiri nga dy nëna hanë mësysh më shumë nga të tjerët, e plot besëtytni të tjera të kota e të pabaza.
Sidoqoftë, duhet pasur parasysh që, nëse dikush beson se janë pikërisht këto krijesa ato që sjellin të mirën ose të keqen, atëherë besimi i tij konsiderohet shirk që të nxjerr nga feja.
Shënim: Rrugët që duhet të ndjekë besimtari për t'u mbrojtur nga syri i keq, cytja e shejtanit, magjia dhe nga të ligat në përgjithësi, janë shënuar në libra të ndryshëm ku tregohet me hollësi kurimi i drejtë dhe i vërtetë. Disa nga lutjet kryesore që duhet të përdorë muslimani për t'u ruajtur nga dukuritë e mësipërme janë të shënuara në librin "Mburoja e muslimanit".
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë