Shtyllat e Besimit
Besimi në Botën Tjetër
Jeta e varrit, Dita e Gjykimit, ura e siratit, Xheneti, Xhehenemi dhe pendimi.
Kushti i pestë i Imanit: Besimi në botën tjetër (Ahiretin)
Besimi në botën tjetër (Ahiretin), e cila njihet ndryshe si Bota e Përjetshme dhe Dita e Gjykimit, është njëra nga bazat dhe kushtet e imanit. Kush mohon ose përgënjeshtron Ahiretin dhe gjithçka që lidhet me Ditën e Gjykimit, ka bërë kufër të madh dhe për pasojë nuk quhet besimtar, përveçse në rastet kur mohon ndonjë detaj në të, nga padija.
Besimi në Ditën e Gjykimit i jep kuptim sprovës së besimit në këtë botë dhe plotëson të gjitha kushtet e Imanit. Gjithashtu, besimi në Ditën e Gjykimit e bën njeriun të kuptojë më mirë qëllimin e jetës, duke e ndihmuar pozitivisht në përmirësimin e veprave të tij. Siç kemi përmendur më parë, krijesat nuk erdhën vetvetiu dhe pa qëllim. Njerëzit dhe xhindet, pasi të kalojnë sprovën e tyre në këtë botë, se kush do besojë e kush jo, do të ringjallen edhe një herë tjetër pas vdekjes në Ditën e Gjykimit, për të dhënë llogari për gjithçka që kanë vepruar. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Dhe ruajuni asaj Dite ku ju do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t'i jepet ajo që ka vepruar dhe askujt nuk do t'i bëhet padrejtësi." El-Bekare, 281. Në një ajet tjetër Ai thotë: "Ajo është Dita në të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit, dhe ajo është Ditë e dëshmuar." Hud, 103.
Bota e Ahiretit ndahet në tre etapa, të cilat mund t'i quajmë ndryshe si stacione ku njeriu patjetër do të kalojë, deri në qëndrimin e tij përfundimtar.
Stacioni i parë: Varri (bota e ndërmjetme e berzahut)
Ahireti për njeriun fillon me vdekjen e tij. Jeta e varrit quhet berzah. Jeta e berzahut vazhdon derisa të bëhet Kijameti (shkatërrimi i botës). Allahu në Kuran thotë: "Pas (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse (berzah), deri në ditën kur do të ringjallen." El-Mu'minun, 100.
I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Varri është banesa e parë nga vendqëndrimet e Ahiretit, nëse shpëton prej tij, çdo gjë më pas do të jetë e lehtë. E, nëse nuk shpëton prej tij, çdo gjë më pas do të jetë e vështirë. Varri është më i frikshëm se çdo pamje që kam parë (në këtë botë)." Transmetuan Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh.
Pasi të varroset, njeriut do t'i kthehet shpirti në varr për aq sa ai të përjetojë pyetjet e varrit, pastaj shpirti i tij ngjitet në qiell. Në varr atij do t'i vijnë dy engjëj që quhen munker dhe nekir, të cilët do ta ulin e do ta pyesin: "Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është Profeti yt?" Atë që është besimtar, Allahu do ta forcojë me fjalën e qëndrueshme dhe ai do të thotë: "Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe Profeti im është Muhamedi (alejhissalatu uesselam)."
Allahu në Kuran thotë: "Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje." Ibrahim, 27.
Në varr besimtarit do t'i hapet një derë për nga Xheneti, prej së cilës do t'i vijnë flladе freskuese dhe erëra të këndshme. Atij do t'i jepet mundësia brenda varrit të shohë deri atje ku i shkon shikimi, si të ishte jashtë tij. Aty do t'i vijë një burrë me fytyrë të bukur, me erë të këndshme dhe rroba të mira, të cilit do t'i thotë: "Kush je ti? Fytyra jote duket që vjen me lajme të mira." Dhe ai do t'i thotë: "Unë jam puna jote e mirë." Atëherë besimtari shprehet duke u lutur: "O Zoti im! Bëje Kijametin sa më parë (që të provoj mirësitë e përjetshme)!" Në atë moment melekët do t'i thonë: "Fli ashtu siç fle dhëndri i ri të cilin nuk mund ta zgjojë veçse personi më i dashur nga familja e tij." Nga aty do të mund të shikojë shtëpinë e vet në Xhenet, mëngjes e mbrëmje, derisa ta ringjallë Allahu.
Ndërsa jobesimtari dhe hipokriti (kafiri dhe munafiku) do të thonë: "Ah! Ah! Nuk e di..." (ai nuk do të mund të përgjigjet). Atëherë do t'i hapet një derë për nga zjarri i Xhehenemit, prej së cilës do t'i vijë nxehtësia dhe t'i ngushtohet varri aq sa brinjët hyjnë te njëra-tjetra. Aty do t'i vijë një burrë me fytyrë të shëmtuar, me rroba të këqija e erë të neveritshme, të cilit do t'i thotë: "Kush je ti? Fytyra jote më duket që sjell lajme të këqija e të shëmtuara." Dhe ai do t'i përgjigjet: "Unë jam puna jote e keqe." Atëherë jobesimtari shprehet duke u lutur: "O Zoti im! Mos e bëj Kijametin." Në atë moment do të fillojë të dënohet dhe do të goditet me një çekiç prej hekuri aq fort, saqë klithmën e tij do ta dëgjojnë të gjitha krijesat përreth, përveç njerëzve dhe xhindeve. Nga aty do të shikojë vendin e tij në zjarr, mëngjes e mbrëmje, derisa ta ringjallë Allahu.
Dënimi i varrit nuk lidhet vetëm me çështjet e besimit, por edhe me mëkatet e mëdha. Në një hadith profetik, i Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) na tregon se, kur ai kishte kaluar pranë dy varreve, Allahu ia kishte bërë të mundur të dëgjonte dënimin e dy personave të varrosur aty. Njëri, për shkak të thashethemeve, dhe tjetri, për shkak se nuk kujdesej për të ruajtur veten nga papastërtia e urinës. Kjo tregon se njeriu në varr mund të dënohet edhe për gjynahe të mëdha.
Për të lehtësuar dhe kuptuar besimin në jetën e varrit, Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Urtë e krijoi njeriun të përjetojë ëndrrat. Çdokush çuditet kur dëgjon se si i vdekuri do të ulet ndenjur, do të pyetet dhe, më pas, në varësi të përgjigjeve, do të përjetojë kënaqësi ose dënim. Kur njeriu është në gjumë, shpirti i tij del nga trupi dhe ngjitet lart. Në gjumë ai sheh ëndrra të ndryshme, ku ndjen përjetime të mira ose të këqija, madje dhe dhimbje të vërteta. Të gjitha këto ai i ndjen nëpërmjet ëndrrës, duke qenë jashtë faktorit kohë. Në ëndërr njeriu mund të udhëtojë nga një vend në tjetrin, brenda një kohe të konsiderueshme që edhe mund të duket e gjatë. Mirëpo, në të vërtetë, ëndrra më e gjatë e njeriut nuk zgjat më shumë se disa sekonda. Pra, njeriu në gjumë nuk është i gjallë plotësisht, sepse shpirti ka dalë përkohësisht dhe organizmi nuk reagon ndaj një numri të madh ngacmimesh të jashtme. Nga ana tjetër, nuk është as i vdekur plotësisht, sepse shpirti do t'i kthehet kur ai të zgjohet, ndërkohë truri i tij funksionon dhe njeriu ëndërron. E njëjta gjë ndodh me njeriun në jetën e berzahut deri në Ditën e Gjykimit. Pra, jeta e tij në varr i përket botës së fshehtë (gajbit), të cilën e besojmë edhe pse përmban një mister, ashtu siç përmbajnë mistere më vete ëndrrat, shpirti etj.
Shënim: Sido që të ndodhë me njeriun kur të vdesë, ai do ta përjetojë jetën e berzahut. Nëse të vdekurin e varrosin, ose e djegin dhe e bëjnë hi, ose e hedhin në det apo e shqyejnë egërsirat nëpër lugina, atij do t'i vijnë melekët për ta pyetur kudo qoftë ai. Për Allahun çdo gjë është e lehtë.
Stacioni i dytë: Fusha e Arasatit në Ditën e Gjykimit
Pasi t'i vijë fundi kësaj bote të përkohshme, Allahu i Plotfuqishëm urdhëron t'i fryhet Surit. Suri është një bri, formën dhe pamjen e të cilit e di vetëm Allahu. Meleku Israfil do t'i fryjë Surit sapo të marrë urdhër nga Allahu dhe, menjëherë, sa hap e mbyll sytë, do të bëhet Kijameti. Pasi të shkatërrohet bota me gjithçka brenda, Allahu urdhëron sërish Israfilin t'i fryjë Surit dhe krijesat do të ringjallen. Allahu në Kuran thotë: "Kur do t'i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen dhe do të presin." Ez-Zumer, 68. Në një verset tjetër Ai thotë: "A nuk mendojnë ata se do të ringjallen, në një Ditë të madhe, Ditën kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!" El-Mutafifinë, 4-6.
Kur t'ia beh Kijameti, qielli çahet e çahet dhe shpërthen, dielli mbështillet dhe errësohet, yjet përhapen e shkapërderdhen. Toka do të rrafshohet, do të nxjerrë çfarë ka brenda saj dhe do të çlirohet. Malet zhduken duke u bërë pluhur në ajër. Detet përzihen dhe vlojnë si zjarr i flakëruar. Devetë e shtrenjta lihen vetëm pa bari dhe egërsirat mblidhen e tubohen të gjitha bashkë. Shpirtrat do të futen në trupa, ndërsa trupat do të grupohen me njëri-tjetrin sipas punëve që kanë bërë në dynja (i miri me të mirin, i ligu me të ligun). Xhehenemi do të ndizet edhe më fort, ndërsa Xheneti do të afrohet. Atë ditë njeriu e di se çfarë ka punuar dhe çfarë ka lënë prapa pa bërë.
Për të treguar rëndësinë dhe madhështinë e kësaj dite, Allahu i Lartësuar e ka emërtuar në Kuran me emra të ndryshëm:
- Ajo është dita e vdekjes së përgjithshme (e më pas e ringjalljes), dita e ndodhisë dhe e krismës së madhe.
- Ajo është dita e tërmetit, e dridhjes së madhe dhe e llogarisë.
- Ajo është dita e takimit, dita e përjetësisë dhe e sprovimit.
- Ajo është dita e Kijametit, dita e vajtimit dhe e pikëllimit.
- Ajo është dita e vajtimit, dita e pendimit dhe e gjykimit dhe e shpërblimit.
Ajetet kuranore dhe hadithet profetike na përshkruajnë njerëzve Ditën e Gjykimit, pasi t'i jetë fryrë Suri herën e parë e pasi të bëhet Kijameti.
Atë ditë njerëzit dalin nga varret e tyre sikur të ishin karkaleca të shpërndarë për t'u paraqitur te thirrësi, të nxituar e të frikësuar. Nuk do të kenë veshur më ato me të cilat u varrosën, por do të ringjallen këmbëzbathur, të zhveshur e të pabërë synet. Njerëzit nuk do të shikojnë njëri-tjetrin, pasi çështja është më e vështirë se sa ajo çka mund të mendojnë. Çdo njeri do të jetë i zënë me çështjen e tij. Dielli do të afrohet aq sa largësia mes tij dhe krijesave është një milje dhe njerëzit do të zhyten në djersë sipas punëve që kanë bërë. Allahu do t'i tubojë të parët dhe të fundit në një tokë të bardhë (si të ishte e pashkelur). Melekët do të zbresin e do të qëndrojnë radhë-radhë. Xhehenemi do të sillet aty, njeriu do të rikujtohet, ndërsa jobesimtarit e mëkatarit nuk u vlen më rikujtimi! Shumë nga njerëzit do të dëshirojnë t'i çojnë menjëherë në zjarr, në mënyrë që punët e tyre të shëmtuara të mos paraqiten para të Plotfuqishmit, të Madhërishmit. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet. Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet." Abese, 34-37. Në një ajet tjetër Ai thotë: "Atë ditë njeriu do të thotë: 'Ku të iki?' Askund! S'ka strehë! Atë ditë, streha është te Zoti yt. Atë ditë, njeriu do të vihet në dijeni për veprat që ka bërë dhe për ato që ka lënë pa bërë." El-Kijame, 10-13.
Llogaria e Ditës së Gjykimit
Paraqitja e veprave
Vendi ku do të grumbullohen të gjithë njerëzit Ditën e Gjykimit quhet arasat. Arasat do të thotë vend i gjerë dhe i hapur. Quhet kështu, sepse toka nuk do të ketë më trajtën e tanishme, por do të sheshohet e do të ketë një hapësirë gjigante.
Të gjithë njerëzit janë të tubuar para Zotit të Plotfuqishëm. Allahu do t'u flasë robërve të Tij, secilit në veçanti, pa ndërmjetësimin e askujt. Njerëzit do të thirren me emrat e tyre dhe të baballarëve të tyre. Çdo lëvizje do të pushojë. Një frikë e llahtarshme do të sundojë. Ndërsa zemrat janë të mbushura plot tmerr dhe frikë. Njeriu shikon djathtas e majtas, por nuk do shohë gjë tjetër veç veprave të tij. E, kur të hedhë shikimin përballë, shikon zjarrin e Xhehenemit që flakëron.
Allahu do t'ia përmendë besimtarit dhe do t'ia paraqesë të gjitha veprat e tij. Besimtari do t'i pranojë dhe do të miratojë çdo gjë. Nëse ka mëkate mes tij dhe Allahut dhe askush nuk di gjë për to, atëherë Zoti Mëshirues do t'ia falë e do t'ia mbulojë ashtu siç ia mbuloi në dynja. Në qoftë se janë mëkate të shfaqura, atëherë ato janë në dorë të Allahut, për t'ia falur ose për ta dënuar për to. Ndërsa, nëse veprat e besimtarëve janë mëkate që u kanë sjellë padrejtësi të tjerëve, duke u hyrë atyre në hak, atëherë çdo njeri që ka mëkatuar do të marrë hakun e tij. Atë ditë shpagimi nuk bëhet me pasuri, por me veprat e njeriut; zullumqari do t'i japë veprat e mira atij që i është bërë padrejtësi, për t'ia shlyer atë në masën që i takon. Nëse të mirat i mbarojnë para se të ketë larë detyrimet, atëherë zullumqarit do t'i hidhen të ligat e tjetrit, derisa çdo njeri të marrë hakun e tij.
Për sa i përket kafirit dhe munafikut, edhe atyre do t'u shfaqen të gjitha veprat. Punët e liga ata do t'i mohojnë, por Zoti Fuqiplotë sjell dëshmi kundër tyre. Allahu në Kuran thotë: "Sot Ne do t'ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë." Ja Sin, 65.
Besimtari do ta marrë librin apo regjistrin ku janë shënuar veprat e tij, nga e djathta. Kjo gjë tregon për shpëtimin e tij. Kurse kafiri dhe munafiku do t'i marrin librat e vet nga e majta, ose pas shpine. Kjo gjë tregon për shkatërrimin dhe dënimin e tyre. Allahu në Kuran thotë: "Ai, të cilit do t'i jepet libri i tij në dorën e djathtë, do ta ketë të lehtë llogarinë dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij. Kurse ai, të cilit do t'i jepet libri i tij pas shpinës, do të lutet për të vdekur dhe në zjarr do të digjet." El-Inshikak, 7-12.
Vendosja e peshoreve
Për çdo njeri, pasi t'i paraqiten veprat e tij, Allahu i Lartësuar urdhëron engjëjt të vendosin peshoret ku do të peshohen punët e tij. Çdo njeri ka peshoren e vet. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Dhe në Ditën e Kijametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje." El-Enbija, 47.
Umeti i parë që do të fillojë llogarinë është umeti i Muhamedit (alejhissalatu uesselam). Pastaj fillojnë me radhë popujt e tjerë. Allahu do t'u kërkojë llogari të gjithë njerëzve në të njëjtën kohë. Maksimumi i dhënies së llogarisë për larjen e të gjitha detyrimeve do të zgjasë pesëdhjetë mijë vjet.
Haudi (Burimi i të Dërguarit të Allahut)
Në transmetime të ndryshme, Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) na ka lajmëruar se Allahu, për nder të tij, i ka dhuruar një burim të posaçëm Ditën e Gjykimit. Ky burim quhet haud. Kushdo që arrin aty do të pijë prej tij dhe nuk do të ketë etje më kurrë. Ndërsa ata njerëz që kanë devijuar nga Kurani dhe tradita profetike nuk do të lejohen të afrohen aty.
Shefaati
Me fjalën shefaat kuptojmë ndërmjetësimin e profetëve dhe njerëzve të mirë tek Allahu Ditën e Gjykimit për shpëtimin e njerëzve. Shefaati nënkupton dhe procesin e amnistisë që jep Allahu për mëkatarë të ndryshëm pasi të jetë bërë ndërmjetësimi.
Njeriu i parë që do t'i jepet leje të bëjë shefaat është Profeti Muhammed (alejhissalatu uesselam). Shefaati i tij do të jetë më i madhi. Shefaati i parë do të bëhet para se të jepet llogaria. Njerëzit, për të shpëtuar nga sikleti i atyre momenteve të vështira, pasi të ringjallen nga varret e tyre e të tubohen në fushën e mahsherit (grumbullimit), do t'u kërkojnë Profetëve të mëdhenj që të ndërmjetësojnë te Zoti i Plotfuqishëm, që Ai t'ua lehtësojë sikletin e madh që po përjetojnë. Leje do t'i jepet vetëm Profetit Muhammed (alejhissalatu uesselam), i cili, pasi të kërkojë ndërmjetësimin, Allahu do t'ia pranojë atë.
Ky është ndërmjetësimi i parë. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut, Muhammedi (alejhissalatu uesselam), do të bëjë shefaat për mëkatarët e umetit të tij, për nxjerrjen e gjynahqarëve që janë duke u dënuar përkohësisht në zjarr, dhe për banorët e Xhenetit që të përfitojnë grada më të larta në të. Pas tij, do të bëjnë shefaat Profetët e tjerë dhe njerëzit e mirë (salihinët). Shefaat do të bëjnë edhe engjëjt për njerëz të ndryshëm. Pasi të kenë mbaruar krijesat që kanë leje të bëjnë shefaat Ditën e Gjykimit, Zoti i Plotfuqishëm do të bëjë amnistinë e fundit, duke thënë: "Ka mbetur tashmë shefaati Im!" Pas kësaj, Allahu i Madhëruar nxjerr nga zjarri i Xhehenemit çdo njeri që ka pasur në zemrën e tij qoftë dhe një grimcë besimi.
Shënim: Të gjitha gjërat që lidhen me Ditën e Gjykimit, si: peshoret, haudi, shefaati etj., janë të vërteta dhe reale, ato nuk janë nënkuptime të qëllimeve të ndryshme, as alegori. Për këtë arsye nuk lejohet të komentohen me kuptime alegorike, por duhen besuar në kuptimin e mirëfilltë që tregojnë.
Ura e Siratit
Pas llogarisë në fushën e arasatit, njerëzit do të drejtohen për tek ura e siratit, e cila është vendosur mbi zjarrin e Xhehenemit. Të mirët do ta kalojnë, kurse të ligët do të shkasin e do të bien brenda. Kur të kalojnë njerëzit mbi urë, ajo do jetë e pajisur me mjete shpuese, ganxha si dhe mengene, të cilat mbërthejnë dhe rrëmbejnë njerëzit djathtas e majtas. Njerëzit do të kalojnë sipër urës sipas punëve që kanë bërë. Dikush kalon si vetëtima, dikush si era që fryn, dikush si kali i shtruar në kalërim, dikush me vrap, dikush duke ecur, dikush këmbadorëz e dikush duke u zvarritur. Kurse banorët e përhershëm të zjarrit bien brenda dhe nuk do të vdesin e as do shijojnë jetën (për shkak të dënimit). Ndërsa disa të tjerë, për mëkatet që kanë bërë, do të merren, do të futen brenda dhe do të dënohen duke u djegur derisa të bëhen qymyr.
Njerëzve atë ditë, kur të shikojnë urën e siratit dhe poshtë saj errësirën e Xhehenemit, kur të ndiejnë e të dëgjojnë afshin dhe zërin e zjarrit flakërues, zemrat do t'u çrregullohen, këmbët do t'u lëkunden dhe një frikë e llahtarshme do t'i kaplojë. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Krimineli dëshiron sikur të kishte paguar dënimin e asaj dite me bijtë e tij, me gruan, me vëllanë dhe me të afërmit e tij, tek të cilët mbështetej, dhe me krejt çka ka në tokë, vetëm që të shpëtonte." El-Mearixh, 11-16.
Xheneti
Xhenet quhet vendi që Allahu ka krijuar enkas për shpërblimin e besimtarëve. Xheneti është me kate për së larti dhe shkallët e tij quhen "derexhat". Hapësira e Xhenetit është shumë e madhe. Allahu na e përshkruan në Kuran një hapësirë sa hapësira e qiejve dhe e tokës bashkë. Xheneti më i lartë dhe më i mirë quhet Xheneti Firdeus.
Ata që kanë bërë vepra të mira dhe që e kaluan urën e siratit, Allahu do t'i fusë në kopshte të Xhenetit, ku rrjedhin lumenj të shumtë. Ato kopshte quhen kopshtet (Xhenetet) e Adnit dhe do të jenë të përhershëm aty ku ndodhen. Zoti Bujar dhe i Mëshirshëm ka përgatitur në Xhenet për robërit e Tij të mirë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as mendja nuk e ka imagjinuar.
Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Ndërsa ata që kanë besuar dhe bërë vepra të mira, do të jenë në kopshtet e mrekullueshme të Xheneteve. Ata do të kenë te Zoti i tyre çfarë të duan; kjo është dhurata e madhe." Esh-Shura, 22.
"Kurse robërit e sinqertë të Allahut do të kenë mirësi të caktuara dhe fruta të ndryshme e do të jenë të respektuar, në kopshtet e lumturisë, në kolltuqe, përballë njëri-tjetrit. Aty t'u shërbehet me gotë të mbushur nga një burim i rrjedhshëm, të bardhë e të shijshme për ata që do ta pinë. Prej saj as nuk do të trullosen dhe as nuk do të dehen. Pranë tyre do të jenë gra me shikim të ulur e sy të bukur, sikur të jenë inxhi të paprekur." Es-Safat, 41-49.
"Atë Ditë, fytyrat e disave do të jenë të gëzuara, të kënaqura për punët e bëra. Ata do të jenë në kopshtin e lartë, në të cilin nuk do të dëgjojnë fjalë boshe. Atje ka një burim rrjedhës uji dhe divane të ngritura, ka kupa të vëna (për t'u mbajtur në dorë) dhe jastëkë të renditur, si dhe shumë qilima të shtruar." El-Gashije, 8-16.
Kështu, pra, njerëzit në Xhenet do të kenë hyri të cilat do jenë si xhevahiri dhe diamanti, bardhoshe që do ta kenë të kufizuar qëndrimin vetëm në shtëpitë e tyre. Ato nuk i ka prekur dikush para tyre, as njerëzit dhe as xhindet. Aty do t'u jepet verë me enë të mbyllura, pije që në fund i vjen era myshk, nëpër banesa e kështjella të qeta e të rehatshme në Xhenetet e larta të adnit. Do jenë të mbështetur në mbështetëse të gjelbra dhe të shtroje të bukura dhe mbi shtretër të mbuluar me kadife të trashë. Rrobat e tyre janë prej mëndafshi. Aty do të stolisen me byzylykë të artë e me argjend. Kush hyn aty nuk vdes kurrë, rrobat nuk i vjetrohen, rinia nuk i kalon dhe do të ketë çfarë të dëshirojë pa mbarim e në amshim. Do të shikojnë në Fytyrën e Sunduesit, Bujarit dhe fytyrat e tyre do të shndrijnë nga mirësitë e shumta që përjetojnë.
Ushqimi i banorëve të Xhenetit është i larmishëm, me fruta të shumtë, shpendë të majmë, rrëshirë të ëmbël, mjaltë, qumësht e shumë lloje të tjera. Përngjasimi mes frutave dhe ushqimeve të Xhenetit dhe frutave apo ushqimeve të kësaj bote është vetëm në emërtim. Mirësia më e lartë dhe më e madhe në Xhenet është kënaqësia e përhershme e Zotit, shikimi në Të, dëgjimi i selamit dhe fjalës së Tij, si dhe prehja e përhershme në audiencën hyjnore.
Xhehenemi
Xhehenem quhet vendi që Allahu ka krijuar enkas për dënimin e jobesimtarëve. Ashtu si Xheneti, Xhehenemi ka një hapësirë tepër të madhe. Ai është i ndërtuar me kate që shkojnë për poshtë. Shkallët e Xhehenemit, që të zbresin në humnerën e tij, quhen "derekat".
Kafirët dhe munafikët do të hidhen në zjarr, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë, por që bëjnë vetëm atë që u urdhërohet. Kur të hidhen brenda, dëgjojnë kërcitjet e fuqishme të Zjarrit dhe flakët të cilat shkrumbojnë gjithçka. Ata do të përjetojnë edhe dënimin në sekar, i cili nuk lë gjë pa djegur dhe sa herë që ripërtërihen, përsëri i gllabëron në flakët e tij. Ai ua prish dhe ua nxin lëkurat. Mbikëqyrësit e tij do jenë nëntëmbëdhjetë zebanitë (nga engjëjt e zjarrit). Aty do të hanë nga pema e zekumit, prej së cilës do t'i mbushin barqet. Ajo pemë mbin nga fundi i Xhehenemit, frytet e saj janë si koka djajsh. Ky, pra, është ushqimi i mëkatarëve, i cili vlon në barqet e tyre si katrani ose si uji i valuar. Ndërsa për të pirë do t'u jepet prej një kroi të valë. Ushqim tjetër s'do të kenë përveç një barishteje me ferra helmuese, e cila nuk jep fuqi e as largon urinë. Aty s'do mund të shijojnë freskim e pije të mira, përveç uji të vluar e kalbësirë.
Allahu ka përgatitur për dënimin e tyre pranga, zinxhirë, zjarr flakërues dhe dënim të dhimbshëm.
Fytyrat u janë errësuar nga errësira e mëkateve. Pasi t'u jenë pjekur mirë lëkurat, thërrasin e bërtasin nga qoshet e Xhehenemit: "O Zoti ynë! Na nxirr nga këtu se nuk kthehemi më (në mëkate)." Atyre do t'u thuhet: "Nuk ka dalje për ju nga vendi i poshtërimit, shporruni e mos flisni më, sepse po të dilnit nga aty, do të ktheheshit te ndalesat përsëri." Atëherë i humbin shpresat dhe për atë që bënë e lanë mangët në dynja, u vjen keq e pikëllohen. Lëvizin nëpër ngushticat e Xhehenemit, rrëzohen e copëtohen në shkallët e tij për poshtë. Aty do të jenë përherë, dëshirojnë të vdesin, por nuk munden.
Zjarri i Xhehenemit është i mbushur plot brenga e dhimbje. Më e madhja është dhimbja e urrejtjes, zemërimit, dëbimit dhe largimit nga mëshira e Zotit. Mjerë për atë që e shiti të çmuarën e qëndrueshme me të neveritshmen që e pret fundi i pashmangshëm. Shiti Xhenetin për të përfituar këtë dynja.
Shënim: Xheneti dhe Xhehenemi janë të krijuara nga Allahu shumë kohë më parë dhe ekzistojnë si krijesa reale. Nuk lejohet që t'u jepen atyre kuptime alegorike. Njerëzit, ashtu siç jetuan në dynja, ashtu do të ringjallen dhe do të japin llogari, me trup dhe me shpirt. Edhe përjetimi në Xhenet ose Xhehenem do të jetë me trup dhe me shpirt, në përjetësi. Në hadithet profetike është përmendur se banorët e Xhenetit, kur të futen në të, do të jenë në moshën 33-vjeçare, në gjatësinë e Ademit (alejhisselam), i cili ka qenë 60 krahë i lartë. Banorët e Xhenetit nuk kanë jashtëqitje, nuk urinojnë, nuk kanë pështymë dhe as rrjedhje nga hundët.
Pendimi (Etteube)
Të gjitha pendimet e sinqerta nga padrejtësitë, zullumet, mëkatet dhe besimet e kota i përfshin fjala teube. Njeriu ka dy afate për të bërë teube. Afati i parë është para se t'i vijë shpirti në fyt, dhe afati i dytë është para se Dielli të lindë nga perëndimi. Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Vërtet Allahu ia pranon teuben robit të Tij, përderisa s'i ka ardhur shpirti në fyt." Transmetoi Tirmidhiu. Në një hadith tjetër thotë: "Kushdo që pendohet përpara se Dielli të lindë nga perëndimi, Allahu do t'ia pranojë teuben atij." Transmetoi Muslimi.
Nëse dikush mund të pyesë: Pse Faraonit, në kohën e Musait, nuk iu pranua pendimi, pasi ai e shfaqi besimin pa i ardhur akoma shpirti në fyt? Atëherë përgjigja është e thjeshtë: Para ardhjes së Muhamedit (alejhissalatu uesselam), popujt e atëhershëm afatin e teubes e kishin të lidhur me dënimin. Ndërsa me ardhjen e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam), kur Allahu nuk çon më dënime të tilla, koha e teubes është e lidhur me ardhjen e shpirtit në fyt, ose lindjen e Diellit nga perëndimi.
Shënim: Mëkatet janë dy llojesh: gjynahe të mëdha dhe gjynahe të vogla. Gjynahet e vogla s'kanë nevojë për teube, sepse ato mund të fshihen sa herë që bën punë të mira. Kurse gjynahet e mëdha kanë nevojë për teube të sinqertë. Gjynahet e mëdha janë të gjitha ato mëkate që sheriati islam i ka emërtuar të tilla. Po ashtu, mëkate të mëdha quhen të gjitha gjynahet për të cilat ajetet kuranore ose hadithet profetike kërcënojnë hapur dhe na tregojnë për llojin e dënimeve dhe ndëshkimeve Ditën e Gjykimit. Këtu futen dhe shkeljet ligjore për të cilat njeriu meriton masa ndëshkimore në këtë botë, siç është vjedhja, grabitja etj. Sidoqoftë, besimtar i mirë është ai që kërkon falje nga Allahu për të gjitha mëkatet, të vogla apo të mëdha qofshin. Kërkimi i faljes nga Allahu quhet ndryshe edhe Istigfar.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë