Shtyllat e Besimit
Besimi në Librat e Shenjtë
Librat hyjnorë të zbritur Profetëve, Kurani si mrekulli e përhershme dhe njohuri themelore rreth tij.
Kushti i tretë i Imanit: Besimi në librat e shenjtë
Besimi në Librat e shenjtë është njëra nga bazat dhe kushtet e besimit. Kush mohon besimin në Librat e Shenjtë, qoftë dhe pjesërisht, nuk quhet besimtar, përveçse në rastet kur mohon ndonjë kategori të veçantë, nga padija, siç kemi sqaruar në temën: "Çfarë e prish Teuhidin".
Librat e shenjtë janë ato libra hyjnorë që përmbajnë fjalët e Zotit. Allahu i Madhëruar ua ka shpallur fjalët dhe porositë e Tij Profetëve për popujt e tyre, si udhëzim për në rrugën e drejtë dhe të vërtetë. Sa herë që njerëzit janë larguar nga rruga e drejtë dhe nga adhurimi i Allahut, Ai u ka tërhequr vëmendjen duke zbritur shpalljet hyjnore. Disa popuj Allahu u zbriti libra të posaçëm, disave fletushka dhe disa të tjerëve porosi të veçanta. Librat e shenjtë më të njohur e njëkohësisht më të mëdhenj janë: Tevrati që i zbriti Musait, Zeburi Davudit, Inxhili (Ungjilli) Isait dhe Kurani Muhamedit (alejhissalatu uesselam). Librat e shenjtë përmbajnë porositë, urdhrat dhe ndalesat e Allahut, shpërblimet dhe dënimet, si dhe udhëzimet përkatëse që u duhen njerëzve dhe xhindeve për të fituar këtë botë dhe botën tjetër. Shpalljet hyjnore, qofshin fjalë, rregulla, udhëzime, fletushka ose libra, Allahu ua shpalli Profetëve nëpërmjet engjëllit Xhibril, nën kujdesin e të cilit Profetët ua kumtuan popujve të tyre. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Thoni: 'Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë Profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi.'" El-Bekare, 136.
Disa shpallje hyjnore, Zoti ua ka shpallur disa Profetëve në formë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet inspirimit hyjnor ose pas perdes, pa ndërmjetësimin e Xhibrilit. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Nuk ka asnjë njeri me të cilin ka folur Allahu, veçse me anë të Frymëzimit ose pas perdes, ose me anën e një Kumtuesi (Engjëlli) të dërguar me lejen e Tij, për të shpallur vullnetin e Tij. Ai, me të vërtetë, është i Lartë dhe i Urtë!" Esh-Shura, 51.
Karakteristikë e Librave të Shenjtë, përveç Kuranit, është se ata janë zbritur menjëherë, në një çast të vetëm, kurse Kurani, si Libër i fundit hyjnor, ka zbritur brenda një periudhe kohore 23-vjeçare.
Shpalljet dhe Librat e mëparshëm hyjnorë qenë caktuar nga Zoti të ishin të përkohshëm dhe për popuj të caktuar, ndaj dhe ruajtja e tyre u ishte lënë atyre në dorë, kështu që me kalimin e kohës ata u bënë pré e ndryshimit njerëzor, duke u devijuar dhe shtrembëruar tekstet e tyre origjinale. Thënë ndryshe, Allahu nuk garantoi ruajtjen e tyre të plotë, përderisa misioni i tyre dhe ligji që përmbanin ishin të kufizuar sipas vendit, kohës dhe popujve të caktuar. Madje, në librat e shenjtë, si: Teurati dhe Inxhili, kanë ndërhyrë vetë rabinët dhe priftërinjtë duke ndryshuar tekstet origjinale të ardhura nga Zoti. Allahu në Kuran thotë: "Mjerë ata që me duart e tyre shkruajnë Librin, e pastaj thonë: 'Kjo është prej Allahut', që për këtë të kenë ndonjë dobi të vogël (materiale). Mjerë ata për çfarë kanë shkruar me duart e tyre dhe mjerë ata për çfarë kanë fituar!" El-Bekare, 79. Në një verset tjetër Ai thotë: "Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra. Ata i kanë shtrembëruar fjalët e Shkrimeve të shenjta dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla." El-Maide, 13. Ndërsa Kurani, si dekret i fundit hyjnor, që iu zbrit Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam), i cili ishte vula e Profetëve, do të jetë i pandryshuar dhe i ruajtur deri në Ditën e Gjykimit. Dërgimi i Muhamedit (alejhissalatu uesselam) si Profet i fundit dhe paraqitja e Islamit si fe për mbarë njerëzimin është garancia më e madhe që ka dhënë Allahu për ruajtjen e parimeve islame të shëndosha dhe librit hyjnor, Kuranit, të pandryshueshëm.
Kurani
Kurani është fjala e drejtpërdrejtë e Allahut që i zbriti Muhamedit (alejhissalatu uesselam) nëpërmjet engjëllit Xhibril. Ky Kuran u shkrua ashtu siç zbriti dhe është përcjellë te ne në mënyrën më të besueshme. Këndimi dhe leximi i tij është ibadet (adhurim) dhe përpjekja për të sjellë qoftë edhe një pjesë si ai, është e pamundur.
Kur themi se Kurani është fjala e drejtpërdrejtë e Allahut, kemi parasysh se ai Kuran që lexojmë sot nuk është kuptim ose domethënie e fjalës së Zotit, por është vetë fjala e Zotit. Çdo fjali, fjalë dhe germë që lexojmë nga Kurani është prej Allahut, ashtu siç ia kumtoi Xhibrilit. Ndërsa Xhibrili ia përcolli Muhamedit (alejhissalatu uesselam) dhe ky i fundit popullit të tij. Kjo do të thotë se kushdo që mohon qoftë dhe një germë të vetme nga Kurani ka bërë kufër të madh. Nga ana tjetër, duhet të besojmë dhe pohojmë se Kurani nuk është vepër letrare, as vepër shkencore, siç mund të quhen rëndom libra të tjerë që janë produkt njerëzor. Kurani është fjala hyjnore e Allahut dhe Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) nuk bëri gjë tjetër veçse ua kumtoi njerëzve si fjalë e Allahut, pa më të voglin ndryshim.
Kurani zbriti brenda periudhës 23-vjeçare të jetës profetike të Muhamedit (alejhissalatu uesselam). Shkaqet kryesore të zbritjes së Kuranit pjesë-pjesë dhe disa prej urtësive të tyre janë:
a) Forcimi i zemrës së Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam). Muhamedi (alejhissalatu uesselam) u dërgua në mesin e një populli ku njerëzit ishin të ashpër, të vrazhdë e kokëfortë, armiqësia e të cilëve ishte e rëndë. Zbritja e Kuranit pjesë-pjesë e forconte gradualisht zemrën e të Dërguarit (alejhissalatu uesselam) nga armiqësitë dhe mundimet që përjetonte. Allahu në Kuran thotë: "Jobesimtarët thonë: 'Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!' Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu." El-Furkan, 32.
b) Zbutja e zemrave të beduinëve dhe fiseve arabe. Nëse zbritja e Kuranit pjesë-pjesë forconte gradualisht zemrën e Profetit (alejhissalatu uesselam), nga ana tjetër u jepej kohë e mjaftueshme dhe një shans i mirë arabëve të zbuteshin dhe të reflektonin për vërtetësinë e Kuranit. Kjo gjë dha frytet e veta, sepse në fillim Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) u kundërshtua ashpër nga fiset arabe. Kështu që, brenda 23 vjeteve u plotësua zbritja e Kuranit dhe i gjithë gadishulli arab e pranoi Islamin. Kjo gjë ndihmoi ata dhe u shërbeu më shumë për të çrrënjosur besimet e kota dhe besëtytnitë e shumëllojshme që po përhapeshin tek arabët.
c) Përballja me të papriturat që shfaqeshin herë pas here përgjatë kohës së thirrjes islame. Sa herë që jobesimtarët dhe armiqtë e Islamit sillnin diçka të re, zbriste menjëherë shpallja dhe udhëzimi hyjnor. Allahu në Kuran thotë: "Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë." El-Furkan, 33.
d) Mësimi i muslimanëve dhe ngulitja graduale e parimeve fetare. Arabët në përgjithësi ishin një popull analfabet, që nuk lexonin e nuk shkruanin. Ata më së shumti përdornin memorien duke i mësuar gjërat përmendësh. Kështu që, Kurani, i cili zbriste herë pas here, do të zinte vend më mirë në zemrat e arabëve dhe do të ruhej më shumë në memorien e tyre. Allahu në Kuran thotë: "Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t'ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe." El-Isra, 106.
e) Përgjigje dhe zgjidhje për çdo situatë dhe për çdo problem jetik në mesin e besimtarëve e më gjerë. Kurani që zbriste pjesë-pjesë ishte mësim, udhëzim, udhërrëfyes dhe gjykim për të gjitha problemet shoqërore, për të gjitha paqartësitë në gjykimet fetare. Ai ishte udhëzues i qartë në qëndrimin që duhet të mbanin muslimanët me jomuslimanët. Allahu në Kuran thotë: "Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për muslimanët." En-Nahl, 89.
Kurani, një mrekulli e përhershme
Kurani është fjala e Allahut dhe mrekullia më e madhe që iu dha Muhamedit (alejhissalatu uesselam). Kurani është mrekulli në tre aspekte:
Mrekullia e tij nga ana gjuhësore. Arabët ishin të shquar si poetë dhe oratorë të mëdhenj; ata vazhdimisht konkurronin mes tyre. Paraqitja e Kuranit te arabët i befasoi ata, sepse asnjëherë nuk kishin dëgjuar fjalë dhe shprehje më të qarta dhe më të bukura se ai. Duke e njohur mirë Muhamedin (alejhissalatu uesselam), ata vetë dëshmuan se fjalët e Kuranit nuk ishin fjalë të tij. Stili i lartë artistik, retorika, përputhshmëria, bukuria e shqiptimit, fjalët e qarta dhe radhitja e përsosur e tyre, bëri që Kurani t'i sfidojë njëherë e përgjithmonë arabët dhe t'i mahnitë ata pa masë. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne i zbritëm gradualisht robit tonë (Muhamedit), atëherë sillni ju një sure të ngjashme si ai (Kurani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë. E mos e paçit bërë (deri tani) kurrë s'do mund ta bëni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët." El-Bekare, 23-24.
Mrekullia e tij në aspektin e ruajtjes nga ndryshimet dhe devijimet. Kurani, si dekret i fundit hyjnor, është i vazhdueshëm dhe do të mbetet i tillë deri në Ditën e Gjykimit. Kjo është arsyeja pse Allahu ka garantuar ruajtjen e plotë të Kuranit nga çdo shtrembërim dhe çdo ndryshim, qoftë edhe në një germë të vetme të tij. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Vërtet Ne e zbritëm Kuranin dhe Ne gjithsesi do ta ruajmë atë." El-Hixhr, 9. Nga ana tjetër, duke qenë se Kurani është shpallja e fundit hyjnore, ai është shfuqizues i të gjitha legjislacioneve të mëparshme në librat hyjnorë. Me këtë libër, Zoti i botëve, Krijuesi dhe Sunduesi i gjithësisë, i fton njerëzit dhe xhindet bashkë t'u përmbahen këshillave dhe mësimeve të tij. Ky libër është udhërrëfyesi i vetëm për të gjithë njerëzit deri kur të lindë dielli nga perëndimi.
Mrekullia e tij në zbulimet e të vërtetave shkencore. Fakti që Kurani është fjalë e Allahut dhe jo produkt njerëzor, si dhe fakti që është ruajtur vërtetë në çdo fjalë që përmban, e bën atë të pagabueshëm dhe pa asnjë kundërshtim brenda vetes, madje Kurani nxit për kërkimin e diturisë dhe shkencës. Allahu i Gjithëdijshëm në Kuran thotë: "Ne do t'u bëjmë atyre të mundur që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t'u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?" Fussilet, 53.
Kurani famëlartë, plot 14 shekuj më parë, ka përmendur fakte shkencore që shkenca i ka zbuluar shumë vonë, vetëm nëpërmjet mjeteve moderne dhe teknologjisë së lartë dhe pas një pune shumë të lodhshme. Kjo ka bërë që shkencëtarë të huaj, të fushave të ndryshme, të pohojnë se Kurani është frymëzim dhe shpallje nga Zoti, sepse Muhamedi (alejhissalatu uesselam) nuk mund të zbulonte asgjë nga vetja e tij me mjetet e rrethanat e kohës në të cilën jetonte. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "E atyre që u është dhënë dija, e dinë se kjo që të është shpallur nga Zoti yt, është e vërtetë dhe udhëzon në rrugën e të Gjithëfuqishmit dhe të Lavdëruarit." Es-Sebe, 6.
Njohuri themelore rreth Kuranit
Fjala e Allahut, Kurani, është i përbërë nga 114 kapituj të cilat quhen sure. Çdo sure përbëhet nga një numër i caktuar versetesh, që quhen ndryshe ajete. Kurani ka gjithsej 6236 ajete. Të gjitha suret janë të ndara në 30 pjesë. Çdo pjesë quhet xhuz'un. Secili xhuz' përbëhet nga 20 faqe. Kurani fillon me suren El-Fatiha dhe mbaron me suren En-Nas. Surja më e gjatë e Kuranit është surja El-Bekare, e cila ka 286 ajete, kurse surja më e shkurtër e Kuranit është surja El-Keuther, e cila ka tre ajete. Në Mekë kanë zbritur 86 sure, të cilat quhen sure mekase. Ndërkohë 28 sure kanë zbritur në Medinë, të cilat quhen sure medinase. Veçori e sureve mekase është se ajetet e tyre janë të shkurtra dhe përmbajnë kryesisht bazat e besimit, thirrjen në teuhid dhe largimin nga shirku. Gjithashtu, ato përmbajnë tregime rreth Profetëve, argumente logjike, meditim rreth qenies së njeriut dhe krijimit të gjithësisë. Ndërsa veçori e sureve medinase është se ajetet e tyre janë të gjata dhe përmbajnë kryesisht norma të fesë dhe dispozitat e Sheriatit, duke filluar nga rregullat rreth namazit, zekatit, agjërimit dhe haxhit, e deri te rregullat e shitblerjes, martesës, divorcit, gjidhënies, trashëgimisë, dënimeve penale etj. Gjithashtu, ato përmbajnë thirrjen e çifutëve dhe të krishterëve në Islam, si dhe cilësitë e munafikëve (hipokritëve).
Leximi dhe këndimi i Kuranit është ibadet (adhurim). Rregullat e posaçme për leximin e rregullt të Kuranit quhen texhvid. Për çdo germë, lexuesi meriton dhjetë sevape (shpërblime). Është e pëlqyeshme që Kurani të këndohet me zë të bukur dhe melodik.
Kurani, përgjatë kohës 23-vjeçare të zbritjes së tij, është shkruar me urdhër të vetë Profetit (alejhissalatu uesselam), i cili ishte shumë vigjilent që të shkruhej ashtu siç kishte zbritur, pa gabuar qoftë edhe në një shkronjë të vetme. Nga ana tjetër, në mesin e sahabëve, shokëve të Profetit (alejhissalatu uesselam), njihej një numër tepër i madh i hafizëve të Kuranit, të cilët e kishin memorizuar atë më së miri. Pas vdekjes së Profetit (alejhissalatu uesselam), shkrimet ku ishte shkruar Kurani i grumbulloi Ebu Bekri në një vend të vetëm. Ndërsa në kohën e Halifit Uthman ibn Affan (afërsisht 15 vjet pas vdekjes së Profetit), të gjitha këto shkrime u shkruan në një kopje të vetme në praninë e hafizëve më të mirë të Kuranit, të cilët kontrollonin shkrimin fjalë për fjalë. Kjo përmbledhje e Kuranit në një libër të vetëm u quajt mus'haf. Kopjet e mus'hafit u shpërndanë menjëherë në disa prej kryeqendrave të muslimanëve në atë kohë.
Në shkrimin e mus'hafit janë pranuar vetëm tekstet e shkruara në praninë e Profetit (alejhissalatu uesselam), duke mos lënë shteg për t'u shkruar asgjë që mund të bazohej vetëm në kujtesë. Kështu, Kurani u ruajt duke përdorur dy mënyrat e vetme të ruajtjes së një teksti origjinal, që janë: shkrimi dhe memorizimi. Kurani është përcjellë kështu brez pas brezi dhe memorizuesit e tij në çdo kohë sa vinin e shtoheshin. Përveç kësaj, Kuranit i është dhënë një rëndësi e veçantë në shpjegimin dhe komentimin e verseteve të tij. Komentimi i Kuranit quhet tefsir, ndërsa komentuesi quhet mufesir. Të gjitha komentet e sahabëve, shokëve të Profetit (alejhissalatu uesselam), dhe të dijetarëve që i pasuan ata, janë shkruar në libra të posaçëm, tefsire. Ky shërbim bëri që Kurani të ruhej e të përcillej brez pas brezi bashkë me komentin e tij.
Shënim: Nga cilësitë e larta e të plota të Allahut është fjala e Tij. Allahu flet me të folurën e Tij hyjnore. Kjo do të thotë se Kurani, që është fjala e Allahut të Madhëruar, është njëra prej cilësive të Tij. Cilësitë e Allahut janë të përhershme me Të dhe nuk janë të krijuara. Kështu, muslimani e ka detyrë të besojë se Kurani është fjalë që Zoti e tha, por nuk e krijoi.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë