Shtyllat e Besimit
Besimi në Kader
Caktimi i Allahut, shkallët e kaderit, liria e vullnetit të njeriut dhe frytet e besimit në kader.
Kushti i gjashtë i Imanit: Besimi në përcaktimin e Allahut
Besimi në përcaktimin e Allahut është njëra nga bazat dhe kushtet e imanit. Kush mohon ose përgënjeshtron caktimin dhe gjithçka që lidhet me të, ka bërë kufër të madh dhe për pasojë nuk quhet besimtar, përveçse në rastet kur mohon ndonjë detaj, nga padija.
Besimtari duhet të besojë se çdo gjë që ka ndodhur dhe do të ndodhë, e mirë ose e keqe qoftë, është shkruar më parë me Dijen e plotë të Allahut. Përcaktimi i parakohshëm quhet kader, ndërsa zbatimi dhe përmbushja e kaderit në kohën e caktuar quhet kada. Kështu, besimi në përcaktimin e plotë të Allahut quhet ndryshe besimi në "kada dhe kader". Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar." El-Kamer, 49.
Kaderi është shkruar 50 mijë vjet përpara se të krijohen krijesat. Vendi ku është shkruar kaderi quhet leuhi mahfudh (pllaka e ruajtur), i cili gjendet sipër shtatë qiejve. Kaderi është një e fshehtë që i takon vetëm Allahut Fuqiplotë. Atë nuk e di asnjë Profet i zgjedhur dhe asnjë melek i afërt. Pas krijimit çdo gjë ndodh sipas asaj që është shkruar në leuhi mahfudh, pa asnjë ndryshim. Aty nuk janë shënuar ngjarjet dhe veprimet në formë të përgjithshme, por në formë të detajuar. Allahu në Kuran thotë: "Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç'ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai, dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh)." El-En'am, 59.
Shkallët e kaderit (përcaktimit)
Që të kuptohet më mirë çështja e kadasë dhe kaderit, duhet të dimë se përcaktimi i Allahut për krijesat e Tij është i ndarë në katër shkallë:
Dituria. Muslimani beson se Allahu di çdo gjë. Asgjë nuk i fshihet Atij, kudo që të jetë dhe sado e fshehur qoftë. Ai di gjithçka që ka qenë, është dhe do jetë, madje dhe atë që nuk është, e di e fare mirë si e qysh do jetë, deri në detajin më të vogël. Allahu, përpara se t'i krijonte krijesat, e dinte se çfarë do të punojnë ato. Ai është i Gjithëdijshëm për të gjithë njerëzit: si do lindin, si do rrojnë, çfarë rrizku (furnizimi) kanë, çfarë do të kryejnë e sa do jetojnë. Gjithashtu, Ai di fare mirë cili do jetë i lumtur e cili i brengosur. Pra, kush do jetë banor i Xhenetit dhe kush do jetë banor i Xhehenemit. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Vërtet Allahu është i Dijshëm për çdo gjë." Et-Teube, 115.
Shkrimi i kaderit. Muslimani, gjithashtu, duhet të dijë se Allahu i Gjithëdijshëm çdo gjë që e dinte për krijesat e Tij, e shënoi në leuhi mahfudh 50 mijë vjet përpara se të krijonte qiejt dhe tokën. Libri ku është shënuar kaderi përmban me detaje çdo gjë që ekziston e çdo gjë që do të ndodhë.
Vullneti dhe dëshira e Allahut. Kjo do të thotë se ajo që dinte Allahu i Gjithëdijshëm dhe e shkroi në leuhi mahfudh, do të ndodhte sipas vullnetit dhe dëshirës së Tij. Thënë ndryshe, asgjë nuk mund të ndodhë pa dijen dhe dëshirën e Allahut, por gjithçka është brenda Diturisë së Tij. Vullneti dhe dëshira e Allahut lidhen ngushtë me Dijen e Tij të pakufishme. Pra, çdo gjë që është shkruar në leuhi mahfudh sipas Dijes së Allahut nuk mund të dalë ndryshe dhe asgjë nuk bëhet jashtë asaj që dinte Ai.
Krijimi i krijesave. Allahu i Madhëruar është Krijuesi i Plotfuqishëm, i Cili krijoi çdo gjë me Dijen dhe Urtësinë e Tij. Ai krijoi krijesat dhe gjithçka që ata veprojnë. Krijimi i krijesave shënon fillimin e zbatimit të asaj që është shkruar në leuhi mahfudh me detaje, deri në Ditën e Gjykimit. Çdo gjë ecën sipas Dijes së Allahut dhe asaj që është shkruar në kader. Krijesat kurrsesi nuk mund të dalin nga ajo që është shënuar në leuhi mahfudh.
Në formë të përmbledhur themi se Allahu i Lartësuar dinte gjithçka për Krijesat e Tij që para se ato të ekzistonin. Atë që dinte, e shkroi dhe e shënoi në leuhi mahfudh. Çdo gjë që u shkrua nuk mund të ndodhte ndryshe. Gjithçka që përmban kaderi filloi të zbatohej me përpikëri kur u krijuan krijesat, e kjo quhet kada.
A konsiderohet kaderi imponim për veprat e njerëzve?
Gjithçka që shpjeguam më lart tregon se kaderi nuk është imponim për njeriun në veprat që bën. Njeriu është i lirë të veprojë me dëshirën e tij dhe të zgjedhë vetë të mirën ose të keqen. Allahu thjesht shënoi në leuhi mahfudh atë që dinte dhe njeriu nuk mund të dilte jashtë diturisë së Allahut. E gjithë kjo quhet Caktim. Domethënë, askush prej krijesave nuk mund të dalë Ditën e Gjykimit dhe të justifikohet duke thënë: "Unë bëra vepra të këqija, sepse ashtu ishte e paracaktuar për mua." Këtij i jepet përgjigje në dy mënyra:
- Ti, ku e dije se çfarë ishte shkruar sipas kaderit për ty? Në të vërtetë kishe dëshirë t'i bëje të ligat, andaj veprove sipas dëshirës dhe pasionit tënd. Allahu nuk u bën padrejtësi krijesave.
- Allahu nuk të detyroi të veprosh keq, por thjesht shkroi atë që dinte, ndërsa ti veprove sipas asaj që dinte dhe shkroi Allahu. Kjo nuk është padrejtësi, sepse s'mund t'i thuash Zotit: "Pse, o Zot, dite për mua të keqen dhe pse e shkrove atë në libër?"
Një sqarim logjik në lidhje me kaderin
Për ta kuptuar më mirë këtë gjë, po sjellim një shembull kur mësuesi e di shumë mirë se njëri prej nxënësve nuk ka mësuar asgjë. Në momentin që fillon provimi, mësuesi paraprakisht shënon për nxënësin në regjistër notë negative. Ky shënim nuk është aspak padrejtësi, por thjesht dije e mësuesit për nxënësin e tij. Nxënësi nuk e di se çfarë note ka shënuar mësuesi në regjistër. Për pasojë, ai nuk mund të akuzojë pas provimit mësuesin për notën negative që i kishte vënë. Ndërsa Allahut i përket shembulli më i lartë. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Në të vërtetë, Allahu nuk u bën njerëzve padrejtësi, por njerëzit i bëjnë padrejtësi vetvetes së tyre." Junus, 44.
Para së gjithash duhet ditur se kaderi është diçka e fshehtë, ashtu si mjaft gjëra të tjera të fesë që mbeten gajb (të fshehta) dhe kanë të bëjnë me botën tjetër apo me vetë Zotin, dhe të cilat ne nuk jemi në gjendje t'i perceptojmë dot plotësisht. I tillë është edhe kaderi, ai ngelet i fshehtë sado që të shpjegohet, sepse Allahu nuk ka informuar për të më shumë sesa na nevojitet. Jo çdo të fshehtë të kësaj bote ne e njohim, madje nuk dimë shumicën e tyre. Në çdo shkencë dhe fushë të dijes ka mjaft gjëra që nuk dihen dhe që ndoshta nuk do të njihen kurrë. Kështu është me çështjen e kaderit. Mirëpo, padija e plotë apo e pjesshme për diçka nuk do të thotë që duhet të mohojmë disa të vërteta të padiskutueshme, vetëm për faktin se ne nuk arrijmë të bëjmë dot lidhje logjike me arsyen tonë njerëzore, që, gjithsesi, është e mangët dhe e pamjaftueshme për të perceptuar botën që na rrethon, për më tepër sekretet e krijimit të Allahut. Edhe kaderi është një nga këto çështje të cilave nuk u jepet dot përgjigje përfundimtare në këtë botë.
Së dyti, fakti se Allahu di gjithçka nuk do të thotë se Ai i detyron njerëzit të kryejnë atë që ata bëjnë vetë; në fakt askush prej tyre nuk ndjen diçka të tillë në jetën e tij. Kur Allahu thotë që ti, o njeri, je i lirë, Ai nuk gënjen, pavarësisht se njeriu e pranon ose jo këtë. Ky është realitet që nuk varet aspak nga kuptimi dhe pranimi i njeriut. Fakti që Allahu e ka lidhur shpërblimin ose dënimin e njeriut me përmbajtjen e veprave, kjo do të thotë se ti, o njeri, je i lirë, ndryshe nuk ka asnjë kuptim që Zoti të të ngarkojë me përgjegjësi për diçka që nuk je i lirë.
Frytet dhe dobitë e besimit në kader
- Besimi në kader i kujton njeriut të pranojë se gjithçka në këtë univers i përket Allahut, Krijuesit të Gjithëdijshëm.
- Besimi në kader e bën njeriun ta ndjejë dhe ta njohë më shumë urtësinë e Allahut të Gjithëdijshëm.
- Besimi në kader e bën njeriun të bëjë sa më shumë punë të mira, në mënyrë që të kuptojë se çfarë është shkruar në kader për të.
- Besimi në kader e bën njeriun të jetë durimtar në sprovat dhe fatkeqësitë e jetës. Asnjë fatkeqësi nuk ndodh pa lejen e Allahut, i cili sprovon kë të dojë dhe dënon kë të dojë.
- Besimi në kader e bën njeriun më të thjeshtë. E bën të largohet nga mburrja dhe mendjemadhësia, sepse ai nuk di asgjë mbi të ardhmen. Kështu, njeriu i mbështetet Krijuesit të tij dhe jo krijesave apo të mirave materiale që posedon përkohësisht.
- Besimi në kader e bën njeriun t'i kthehet Krijuesit dhe t'i lutet Atij me sinqeritet që ta ruajë nga sprovat dhe fatkeqësitë dhe të ketë një përfundim të mirë.
- Besimi në kader e bën njeriun të jetë vigjilent e të ruhet nga çdo gjë që e çon në humbje, sepse humbja (dalaleti) tregon për përfundimin e keq.
- Besimi në kader shëron sëmundjet e zemrës, si: smira, zilia, xhelozia, inati, urrejtja etj., sepse rrizku është caktim i Allahut dhe çdo mirësi që u është dhënë njerëzve vjen nga mirësia e Zotit Bujar.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë