Shtyllat e Besimit
Besimi në Engjëjt
Kush janë melekët, detyrat e tyre, besimi në xhindet dhe Iblisi, si dhe si mbrohemi nga shejtani.
Kushti i dytë i Imanit: Besimi në engjëjt
Besimi në engjëjt (melekët) është njëra nga bazat dhe kushtet e besimit. Ai që i beson Allahut, emrave dhe cilësive të Tij, beson dhe në krijesat që Ai krijoi. Prej krijesave të ndryshme janë dhe melekët që janë krijuar nga Allahu me Dijen dhe Urtësinë e Tij hyjnore. Kush mohon besimin në melekët, qoftë dhe pjesërisht, nuk quhet besimtar, përveç rasteve kur mohon ndonjë kategori të veçantë nga padija, siç kemi sqaruar në temën: "Çfarë e prish Teuhidin".
Melekët (engjëjt) janë krijesa të padukshme që Allahu i krijoi shumë kohë para njerëzve. Ata nuk janë qenie abstrakte, por qenie fizike të prekshme, pra ekzistojnë realisht. Allahu i krijoi melekët nga drita, u dha formë të caktuar dhe aftësi që të tjetërsohen në forma të ndryshme. Për këtë arsye ata hyjnë dhe dalin kudo pa pengesa. Melekët nuk kanë gjini, d.m.th. nuk janë meshkuj e as femra, për pasojë ata nuk martohen e as trashëgohen. Melekët gjithashtu nuk hanë e nuk pinë. Numrin dhe format e tyre i di vetëm Allahu; Ai i krijoi disa prej tyre të kenë dy krahë, disa tre ose katër, dhe disa akoma më shumë. Xhibrili, për shembull, ka 600 krahë (flatra). Melekët janë krijesa tepër të fuqishme dhe kanë aftësi për të bërë shumë punë që janë të pamundura për njerëzit. Ata janë shumë të shpejtë, saqë kanë mundësi të depërtojnë në distanca dhe hapësira të mëdha sa hap e mbyll sytë, madje me shpejtësinë e vetë shikimit, ose më shpejtë. Po ashtu, melekët janë krijesa të urta, fisnike, shumë të pastra dhe tepër të turpshme.
Melekët janë krijesa që nuk gabojnë dhe as mëkatojnë, sepse nuk janë të sprovuar në çështjet e besimit. Pra, Allahu nuk i krijoi që të sprovohen se kush do besojë e kush jo, cili do bëjë vepra të mira e cili jo, ose cilët do jenë adhuruesit e Allahut e cilët do jenë mohuesit. Zoti i Gjithëdijshëm në Kuran thotë: "Ata kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato." Et-Tahrim, 6. Në një ajet tjetër Ai thotë: "…edhe engjëjt, të cilët nuk janë kryelartë. Ata i frikësohen Zotit të tyre lart mbi ta dhe bëjnë atë, që u urdhërohet." En-Nahl, 49-50. Pra, melekët janë krijuar vetëm që të adhurojnë Allahun, t'i binden Atij dhe të zbatojnë urdhrat e Zotit të Plotfuqishëm.
Melekët, sipas urdhrave që zbatojnë, janë të ndarë në kategori të ndryshme. Disa janë të ngarkuar të mbajnë Arshin (fronin) e Allahut të Gjithëfuqishëm. Disa janë të ngarkuar me shpalljet hyjnore, të tjerë me funksionimin e dukurive natyrore, ose për ruajtjen e punëve të robërve, shënimin dhe ruajtjen e veprave të tyre, apo për marrjen e shpirtrave të njerëzve. Disa të tjerë janë të ngarkuar me urdhra të posaçme si: ruajtës të hapësirës qiellore, rojtarë të dyerve të tyre, ngritës të veprave të njerëzve në qiell etj. Një shumicë tepër e madhe e tyre janë krijuar vetëm që të adhurojnë, lavdërojnë, madhërojnë dhe falënderojnë Allahun e Lartësuar, mëngjes e mbrëmje. Gjithashtu, ata kanë faltoren e tyre në qiell, e cila quhet "Bejtul Ma'mur", ashtu siç kanë njerëzit Qabenë në Mekë. Çdo ditë hyjnë dhe dalin në "Bejtul Ma'mur" 70 mijë melekë të cilët nuk e përsërisin më këtë cikël. Kjo tregon për numrin mjaft të madh të këtyre krijesave, që janë krijuar enkas për të madhëruar dhe adhuruar Allahun Fuqiplotë. Ka prej tyre që i kërkojnë falje Allahut dhe luten për besimtarët.
Disa melekëve u janë përmendur emrat në tekstet e Sheriatit, si p.sh.: Xhibrili, që është engjëlli i ngarkuar drejtpërdrejt me shpalljet hyjnore dhe zbritjen e librave; Mikaili, që merret me dukuritë natyrore; Israfili, që është i ngarkuar t'i fryjë Surit (bririt) kur të bëhet Kijameti dhe kur të ringjallen sërish njerëzit për të dhënë llogari në Ditën e Gjykimit. Maliku është kryemeleku i Xhehenemit, ashtu si Ridvani që është kryemeleku i Xhenetit. Munkeri dhe Nekiri janë dy melekët që merren me pyetjet e varrit etj.
Fakti se melekët janë të padukshëm për syrin tonë, ka të bëjë me procesin e sprovimit të njerëzve, përndryshe nuk do kishte kuptim sprovimi i tyre në këtë botë. Nga ana tjetër, ky fakt nuk pengon aspak besimin në melekët, sepse në botë sot ka shumë gjëra të cilat nuk i shohim, megjithatë ne jemi të bindur për ekzistencën e tyre. Mendjen, me të cilën mendojmë, nuk mund ta shohim dot, as shpirtin që është e fshehta më e afërt e njeriut, po ashtu dhe shumë qenie të jashtme që na rrethojnë, megjithatë ne jemi të bindur në ekzistencën dhe ndikimin e dukshëm të tyre. Ka mjaft gjëra të cilat njeriu nuk i sheh me sy, ndoshta s'do të ketë mundësi t'i shohë asnjëherë, por ai është i bindur për ekzistencën e tyre, sepse prova të panumërta evidentojnë ekzistencën e tyre. Për shembull, valët elektromagnetike, fusha gravitacionale e tokës, thërrmijat mikroskopike që përbëjnë lëndën etj. Edhe pse këto gjëra i përkasin botës materiale lëndore, pamundësia për t'i parë ato drejtpërdrejtë tregon se sa i kufizuar është njeriu në njohjen e botës vetëm me anë të shqisave. Kështu ndodh dhe me melekët, të cilët nuk shihen me sy, por punët e tyre të ngarkuara prej Zotit të Urtë e të Gjithëdijshëm i vërejmë përditë në ndryshimin e dukurive natyrore etj.
Besimtari musliman i beson melekët dhe gjithçka që lidhet me ta. Gjithashtu, ai duhet të ndjejë gjithnjë praninë e melekëve, të cilët zbatojnë urdhrat e Allahut. Prej tyre janë dhe "Kiramul Katibin", melekët që ka caktuar Zoti i Plotfuqishëm për të shënuar veprat e njerëzve. Allahu në Kuran thotë: "Mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë). Ata janë shënues të nderuar, që dinë gjithçka që ju veproni." El-Infitar, 10-12. Çdo njeri ka nga një melek djathtas dhe majtas që shënojnë veprat e tij. Engjëlli i krahut të djathtë shënon veprat e mira, kurse engjëlli i krahut të majtë shënon veprat e liga. Allahu në Kuran thotë: "Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)." Kaf, 17-18.
Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Urtë nuk ka nevojë për melekët, por i ka caktuar engjëjt të shënojnë dhe ruajnë veprat e njerëzve, në mënyrë që njeriu të ndjejë se përveç Zotit që di gjithçka mbi Arshin e Tij, ka dhe dy melekë që i qëndrojnë pranë dhe e shoqërojnë atë kudo. Ata nuk gabojnë kurrë, madje Allahu u ka dhënë aftësi që të shohin edhe punët e zemrës e të shënojnë çdo gjë që është mirë ose e ligë. Për shembull, melekëve nuk u shpëton shtirja e njerëzve në vepra, ose dyfytyrësia e tyre në fe, as mohimi ose dyshimi që zë vend në zemër. Ata e dinë shumë mirë nijetin (qëllimin) e njerëzve në veprat dhe adhurimet që bëjnë dhe sipas nijetit shënohen dhe veprat.
Besimi në xhindet
Pjesë e besimit në krijesat e padukshme është dhe besimi në xhindet. Ashtu si melekët, xhindet janë krijuar nga Allahu me Dijen dhe Urtësinë e Tij hyjnore. Kush mohon besimin në xhindet, qoftë dhe pjesërisht, nuk quhet besimtar (përveç rasteve kur mohon ndonjë kategori të veçantë, nga padija).
Xhindet janë krijesa të padukshme që Allahu i krijoi shumë kohë para njerëzve. Ata janë qenie fizike të prekshme, pra ekzistojnë realisht dhe jo qenie abstrakte. Allahu i krijoi xhindet nga zjarri, ata kanë formë të caktuar dhe u ngjasojnë më shumë njerëzve. Xhindet hanë dhe pinë, martohen dhe trashëgohen. Gjithashtu, xhindet janë të sprovuar në këtë botë për besimin dhe veprat e tyre ashtu si njerëzit. Pra, ata janë krijesa që gabojnë dhe mëkatojnë. Ditën e Gjykimit do të japin llogari njësoj si njerëzit për gjithçka që kanë vepruar, sepse Allahu i krijoi xhindet që ta adhurojnë Atë. Allahu në Kuran thotë: "Nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për gjë tjetër, por vetëm që të më adhurojnë Mua." Edh-Dharijat, 56.
Xhindet nuk janë fantazma ose hije, as vegime dhe imagjinata, por janë krijesa me forma të ndryshme që jetojnë e vdesin si njerëzit. Në një hadith profetik, i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhissalatu uesselam), thotë: "Xhindet janë tri llojesh; ka prej tyre që janë të pajisur me krahë dhe fluturojnë në ajër. Një pjesë e tyre janë në formën e gjarpërinjve dhe qenve dhe një pjesë tjetër banojnë në vendqëndrime ose shtegtojnë." Transmetuan Ibn Hibbani, Hakimi e të tjerë. Në kategorinë e fundit bëhet fjalë për xhindet që banojnë bashkë me njerëzit në vendqëndrimet e tyre, kurse shtegtuesit janë ata që nuk kanë vend të caktuar, por jetojnë në lugina, hapësira dhe vende të ndryshme nga ku mund të lëvizin në çdo moment. Ashtu si melekët, edhe xhindet kanë aftësi të tjetërsohen në forma të ndryshme, zakonisht në pamjen e kafshëve.
Duke qenë se xhindet janë pjesë e sprovimit në këtë botë, atëherë dhe besimet e tyre ndryshojnë. Ashtu si njerëzit, edhe xhindet besojnë ose mohojnë teuhidin. Disa janë muslimanë, disa janë të krishterë ose ithtarë të fesë së hebrenjve. Shumë prej tyre janë paganë dhe idhujtarë. Mjaft nga xhindet e adhurojnë Allahun, e këndojnë Kuranin dhe marrin pjesë bashkë me njerëzit në ritet fetare. Që në fillimet e shfaqjes së Islamit, ashtu si njerëzit, edhe një pjesë e xhindeve pranuan Islamin. Allahu në Kuran thotë: "Thuaj (o Muhamed): 'Mua më është shpallur se disa prej xhindeve kanë dëgjuar (Kuranin) dhe kanë thënë: Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm, i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të, prandaj kurrsesi më nuk do t'i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!'" El-Xhinn, 1-2.
Iblisi (shejtani i mallkuar)
Iblisi, si krijesë, i përket racës së xhindeve. Ndryshe nga xhindet e tjerë që kishin jetuar në Tokë dhe kishin sjellë aty shkatërrime, Iblisi përkushtohej me adhurime. Iblisi, bashkë me melekët, e adhuronin Allahun me zell dhe përkushtim, që para se të krijohej njeriu i parë, Ademi. Kur Allahu i Madhëruar e krijoi Ademin, i urdhëroi melekët bashkë me Iblisin që t'i përulen Ademit në formë respekti, sepse vërtet ishte një krijesë e përsosur në krijim. Melekët ranë në sexhde, kurse Iblisi kundërshtoi duke thënë: "Unë jam më i mirë se ai. Mua më ke krijuar prej zjarrit, kurse atë prej balte." Kështu Iblisi kundërshtoi hapur urdhrin e Allahut të Lartësuar, duke u treguar arrogant dhe mendjemadh, sjellje kjo që buronte nga smira që kishte për Ademin. Kundërshtimi i urdhrave të Allahut me mendjemadhësi përbën kufër, andaj dhe Allahu e mallkoi dhe e nxori nga Xheneti ku jetonte. Allahu na e përshkruan këtë në Kuran, ku thotë: "Mallkimi Im do të jetë mbi ty deri në Ditën e Gjykimit." Ai tha: "O Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen ata!" Zoti tha: "Në të vërtetë, ty do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar (kur i fryhet Surit për herë të parë)." Ai tha: "Betohem në Madhërinë Tënde se unë do t'i mashtroj ata të gjithë, përveç robërve të Tu të sinqertë!" Sad, 78-83.
Kështu Iblisi, pasi bëri kufër, meritoi mallkimin e Allahut dhe u quajt shejtan. Ai u betua se do të jetë armiku i hapur i njeriut, deri në ditën e fundit të kësaj bote. Në çdo punë të ligë që kryejmë, duhet të dimë se aty ka gisht shejtani, sepse ai nxit dhe cyt vazhdimisht për të bërë punë të liga dhe vepra të këqija.
Të gjithë ato xhinde që mohojnë të vërtetën dhe bëhen ushtarë të bindur të Iblisit, quhen shejtanë. Në gjuhën tonë ne i themi dreqër ose djaj. Iblisi e ka vendosur fronin e tij në det. Nga aty ai urdhëron dhe dërgon pasuesit e tij që të sjellin prishje dhe shkatërrime në Tokë. Shejtanët janë të betuar që t'u sjellin dëm njerëzve, t'i largojnë ata nga teuhidi, nga adhurimi i Allahut dhe veprat e mira. Ata nxisin armiqësi mes njerëzve, ftojnë në shthurje dhe në vepra të këqija. Për këtë gjë çdo njeriu i është caktuar një shejtan që të rrijë gjithmonë me të. Ky shejtan quhet "el-Karin". Ndryshe nga shejtanët e tjerë që qarkullojnë, karini qëndron gjithmonë me njeriun deri në vdekje. Për këtë arsye, besimtari duhet të jetë vigjilent përherë që të mos bie në kurthet e shejtanit. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
"…dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur. Ai ju nxit vetëm në të këqija, në vepra të turpshme dhe të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini." El-Bekare, 168-169.
"Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t'ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?" El-Maide, 91.
"Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm." El-Bekare, 268.
Ajetet kuranore dhe hadithet profetike na tregojnë se shejtani ka fuqi të depërtojë në brendësinë e njeriut, madje të qarkullojë me qarkullimin e gjakut. Ai kërkon të jetë gjithmonë prezent që të nxisë për keq. Shejtani ka forcë të ndikojë në të gjithë njerëzit, përveç robërve të Allahut, besimtarëve të devotshëm, që u ruhen mëkateve dhe i mbështeten Zotit Fuqiplotë. Allahu i Lartësuar, kur na përshkruan në Kuran mallkimin e Iblisit, na tregon për këtë gjë tek thotë: "(Allahu) tha: 'Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! – Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime. – Por në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë pushteti ndaj robërve të Mi! Zoti yt mjafton si mbrojtës (i tyre)!'" El-Isra, 63-65.
Ky ajet na mëson se të gjithë njerëzit mund të bien shumë shpejt pré dhe viktimë e shejtanit të mallkuar. Ndërsa besimtarët, që i mbështeten Zotit Fuqiplotë, janë të mbrojtur dhe shejtani nuk mund të depërtojë tek ata.
Si të mbrohemi nga shejtani?
Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Me të vërtetë Shejtani (djalli) është armik për ju, andaj dhe ju konsiderojeni atë armik. Vërtet ai i fton ithtarët e tij, që të jenë nga banorët e zjarrit." Fatir, 6. Allahu i Madhëruar na tregon qartë armiqësinë e shejtanit dhe na urdhëron që ta konsiderojmë atë armik.
Që të ruhesh nga armiku, të duhen armë. Arma më e fortë kundër shejtanit është mbështetja në Zotin e Plotfuqishëm që na krijoi ne dhe djallin. Allahu në Kuran thotë: "Nëse djalli përpiqet të cytë e të ngacmojë, kërko strehim te Allahu, se vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka." El-Araf, 200. Mbrojtja dhe strehimi te Allahu realizohet me frazën e njohur në arabisht: "Eudhu bil-lahi minesh shejtanirr-rraxhim", që do të thotë: "I kërkoj mbrojtje Allahut nga shejtani i mallkuar." Kjo është një formë e shkurtër që mund të bëjë besimtari për ta larguar shejtanin. Përveç kësaj, në hadithet profetike tregohet se në çdo punë që besimtari e fillon me emrin e Zotit, pra, duke thënë "Bismil-lah", shejtani largohet. Për shembull, kur njeriu hyn në shtëpi duke thënë "Bismil-lah", shejtani del; nëse është jashtë, nuk futet më brenda. Edhe kur ushqehet, nëse thotë "Bismil-lah", shejtani largohet nga ushqimi i tij etj. Një armë tepër e fuqishme që e bën shejtanin t'ia mbathë është këndimi i Ezanit. Gjithashtu, një armë e fortë është dhe këndimi i ajetit Kursi (që është ajeti 256 i sures El-Bekare) dhe dy suret e fundit të Kuranit, El-Felek dhe En-Nas. Këto sure të Kuranit, nëse këndohen mëngjes e mbrëmje, shërbejnë për t'u ruajtur nga xhindet, magjia dhe syri i keq. Sidoqoftë, arma kryesore kundër shejtanit është vetë besimi tek Allahu, mbështetja në Të, sinqeriteti dhe përkushtimi në adhurim, përmendja e Tij, leximi i ajeteve të Kuranit, si dhe largimi nga gjynahet e mëdha, të cilat janë shkaku kryesor i afrimit të shejtanëve.
Shënim: Çdo gjë që është e padukshme dhe e fshehtë për ne, për të cilën kemi informacion nga Kurani dhe fjalët profetike, quhet gajb. Çdo gjë që futet në botën e gajbit, muslimani e beson me bindje të plotë dhe s'ka kurrfarë dyshimi për të. Prej besimit të drejtë është që besimtari të besojë çdo gjë që lidhet me gajbin, pa u thelluar dhe pa hulumtuar që të gjejë diçka më shumë se ajo që na ka thënë Zoti dhe i Dërguari i Tij. Allahu, me Dijen dhe Urtësinë e Tij, jo pa qëllim, i ka lënë shumë çështje gajb. Njeriu nuk mundet dot të gjejë e as të kuptojë si është dhe nga se përbëhet e fshehta më e afërt e tij, shpirti; atëherë, si mund të kuptojë gjëra që janë të fshehta më të largëta? Zoti i Gjithëdijshëm dhe i Urtë u ka lënë mesazh njerëzve që të qëndrojnë brenda kufijve e të mos dalin jashtë kompetencave të tyre. Allahu në Kuran thotë: "E të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: 'Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë nga dituria vetëm se pak.'" El-Isra, 85.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë