Shtyllat e Besimit
Besimi në të Dërguarit
Profetët e Allahut, mrekullitë e tyre, Muhamedi si vula e Profetëve, suneti, bidati dhe sahabët.
Kushti i katërt i Imanit: Besimi në të Dërguarit (Profetët)
Besimi në të Dërguarit e Allahut, ose Profetët, apo siç quhen ndryshe Pejgamberët, është njëra nga bazat dhe kushtet e imanit. Kush mohon ose përgënjeshtron Profetët, qoftë dhe njërin prej tyre, ka bërë kufër të madh dhe për pasojë nuk quhet besimtar, përveçse në rastet kur mohon ndonjë detaj rreth tyre, nga padija, atëherë ai mund të justifikohet, siç kemi shpjeguar në temën e teuhidit. Sidoqoftë, besimtari duhet të mësojë çfarë është e nevojshme për të ditur rreth Profetëve dhe të plotësojë besimin e tij. Allahu në Kuran thotë: "Ju o besimtarë thoni: 'Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që u është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë Profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi.'" El-Bekare, 136.
Të Dërguarit e Allahut janë ata njerëz të zgjedhur e të devotshëm, që Allahu i Madhëruar i dërgoi herë pas here te njerëzit dhe popujt e tyre, si: përgëzues, këshillues dhe qortues. I dërgoi ata që t'i nxjerrin njerëzit nga errësira e injorancës dhe shirkut (politeizmit) në dritën e besimit dhe teuhidit (monoteizmit). Përveç shpëtimit nga politeizmi dhe idhujtaria, Profetët janë dërguar dhe për pastrimin e njerëzimit nga shthurja dhe degjenerimi.
Ashtu si çdo kope ka nevojë për bariun, çdo anije për kapitenin dhe çdo popull për prijësin, po ashtu dhe njerëzimi ka nevojë për udhërrëfyesit e tij. Shejtanët u kanë ardhur vazhdimisht njerëzve për t'u humbur besimin e tyre dhe për t'i kthyer nga teuhidi në shirk. Ata i nxitën njerëzit dhe i shtynë për ta ndryshuar bindjen në dyshim dhe për të shpikur në fenë e Zotit atë për të cilën nuk kishin leje të veprojnë. Kjo bëri që njerëzit të ndryshonin edhe sjelljen e tyre e të kalonin në shthurje dhe degjenerim. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar, dërgoi herë pas here të Dërguar te njerëzit e tyre për t'u komunikuar dhe kumtuar atyre mesazhin hyjnor. Profetët e kryen misionin e tyre me besnikëri, këshilluan dhe udhëzuan për në rrugën e drejtë. Ata, gjithashtu, u tërhoqën vëmendjen njerëzve dhe i paralajmëruan për dënimin e dhimbshëm që u kanosej.
Të Dërguarit e Allahut ishin njerëzit më të mirë të përzgjedhur nga mesi i popujve të tyre. Ata u përzgjodhën nga vendet dhe qytetet ku kishte qytetërim, vinin nga fise të njohura me prejardhje fisnike dhe kishin një biografi model. Ata ishin njerëz fisnikë, bujarë, besnikë e të sinqertë. Kishin mendje të shëndoshë, ishin njerëz të urtë, të durueshëm, të devotshëm dhe me shpirt të dëlirë. Ata nuk ishin të ashpër dhe as të vrazhdë. Ata ishin njerëz të thjeshtë, aspak arrogantë e mendjemëdhenj. Profetët ishin shembuj të gjallë të moralit të lartë për njerëzit. Sjellja dhe morali i tyre ishte i përsosur, ata ishin nga njerëzit më të respektuar që para se të dërgoheshin si Profetë. Ata ishin të paprekur nga sëmundjet e zemrës, ishin të ruajtur nga shthurja, degjenerimi, padrejtësitë dhe gjynahet e mëdha. Flisnin gjithnjë të vërtetën dhe kurrë nuk kanë mashtruar dhe abuzuar me njerëzit.
Cilësitë dhe atributet e Profetëve përkonin me zbritjen dhe kumtimin e shpalljeve hyjnore. Allahu i Madhëruar i zgjodhi të Dërguarit e Tij që të ishin shembull dhe larg akuzave të rëndomta. Zoti i Gjithëdijshëm i pajisi Profetët me virtytet më të mira, për të mos u lënë asnjë shkak njerëzve që të mohonin dhe përgënjeshtronin të vërtetën hyjnore. Sidoqoftë, Profetët mbi të gjitha ishin njerëz, hanin dhe pinin, shkonin e vinin, sëmureshin e lodheshin dhe jetonin si gjithë njerëzit e tjerë. Ata nuk kishin gjë në dorë, por vetëm ishin urdhëruar të kumtojnë Mesazhin Hyjnor. Kushdo që u vesh Profetëve, qoftë dhe njërit prej tyre, atribute hyjnore që i përkasin vetëm Allahut, ka bërë padrejtësi të madhe dhe ka shembur teuhidin.
Mrekullitë e Profetëve
Për të vërtetuar shpalljet hyjnore, Allahu i pajisi Profetët me mrekulli. Mrekullia quhet ndryshe mu'xhize. Zakonisht mrekullitë kanë ardhur si kërkesë e popujve ndaj Profetëve të tyre për të vërtetuar profetësinë. Ka dhe mrekulli që Allahu ua dha disa të Dërguarve pa kërkesën e njerëzve. Njëkohësisht, mrekullitë kanë qenë dhe paralajmërim për dënimin dhe shkatërrimin masiv të atyre që nuk besonin. Për këtë arsye, do të ndeshim në histori shembuj kur popujt, që përgënjeshtruan mrekullitë, janë ndëshkuar me zhdukje masive, e pas tyre Zoti i Plotfuqishëm ka sjellë popuj të tjerë.
Mrekullitë më të njohura janë: dalja e devesë nga shkëmbi në kohën e Profetit Salih; hedhja e Ibrahimit mes flakëve të zjarrit dhe shndërrimi i flakëve në freskim dhe shpëtim për të; shndërrimi i shkopit të Musait në gjarpër të madh që gëlltiste gjarpërinjtë e magjistarëve të Faraonit; hapja e detit për të kaluar Musai dhe populli i tij, mrekulli në të cilën u mbyt vetë Faraoni; e folura e Isait që në djep dhe shërimi i të sëmurëve me lebrosë, pasi u dërgua si Profet; ngjallja e të vdekurve, e cila ka ndodhur si mrekulli në kohën e Musait, por edhe në kohën e Isait etj.
Që nga fillimi i njerëzimit e më pas, numri i të Dërguarve të Allahut ka qenë i madh. Numri i Profetëve të përmendur në Kuran është 25 dhe ata janë: Ademi, Idrisi, Nuhu, Hudi, Salihu, Ibrahimi, Luti, Ismaili, Is'haku, Ja'kubi, Jusufi, Shuajbi, Ejjubi, Dhul-Kifli, Musai, Haruni, Davudi, Sulejmani, Iljasi, Iljesai, Junusi, Zekerijjai, Jahjai, Isai dhe Muhamedi (alejhisalatu uesselam). Nga këta, pesë më të mëdhenjtë janë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhamedi, ndër të cilët më të veçuarit janë: Ibrahimi dhe Muhamedi (alejhissalatu uesselam). Ndërsa nga këta të dy, Muhamedi është më i përzgjedhuri dhe më i dashuri tek Allahu i Lartësuar.
Muslimani duhet t'i pranojë të gjithë Profetët, pa përjashtuar asnjërin. Gjithashtu, besimtari duhet të besojë dhe të dijë se jo çdokush mund të bëhej Profet, sepse profetësia nuk është zanat dhe as profesion që fitohet. Nga kjo kuptojmë se profetësia nuk është dinasti që kalon nga babai tek i biri, por është një zgjedhje e Zotit për këdo që Ai dëshiron.
Thirrja e Profetëve
Të gjithë Profetët thirrën në një besim të vetëm, në teuhid, pra në njësimin e Allahut dhe adhurimin e Tij, i vetëm e pa ortak. Allahu në Kuran thotë: "Ne nuk kemi dërguar asnjë Profet para teje, që të mos i kemi shpallur se: 'S'ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!'" El-Enbija, 25. Në një verset tjetër Ai thotë: "Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): 'Adhuroni Allahun dhe shmangiuni idhujve.'" En-Nahl, 36.
Ja si na e përshkruan Allahu i Lartësuar thirrjen e Profetëve më të njohur në Kuran:
"Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i vet, e ai tha: 'O populli im! Adhurojeni Allahun, nuk keni Zot tjetër përveç Tij. Unë kam frikë për dënimin tuaj në një ditë të madhe.'" El-Araf, 59.
"Edhe te populli Adit, dërguam vëllain e tyre Hudin, e ai tha: 'O populli im! Adhurojeni Allahun, nuk keni Zot tjetër përveç Tij, a nuk po frikësoheni!?'" El-Araf, 65.
"Edhe te populli Themud, dërguam vëllain e tyre, Salihun, e ai tha: 'O populli im! Adhurojeni Allahun, nuk ka Zot tjetër përveç Tij.'" El-Araf, 73.
"Edhe te populli Medjen, dërguam vëllain e tyre Shuajbin, e ai tha: 'O populli im! Adhurojeni Allahun, nuk ka Zot tjetër përveç Tij.'" El-Araf, 85.
Kjo ishte gjithashtu thirrja e Profetit Ibrahim (alejhisselam) dhe kur pa që populli i tij nuk e dëgjoi, ai u tha: "Unë po largohem prej jush dhe prej asaj që ju adhuroni përveç Allahut, e me adhurimin ndaj Zotit tim nuk do të jem i humbur." Merjem, 48.
I urdhëruar nga Zoti, të njëjtën thirrje bëri edhe Musai (alejhisselam) duke i thënë popullit të tij: "Vërtet ai që duhet të adhuroni është vetëm Allahu, që përveç Tij s'ka Zot tjetër. Dituria e Tij ka përfshirë çdo send." Ta Ha, 98.
Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe Profeti i parafundit në vargun e Profetëve, Isai (alejhisselam), të cilin të krishterët e kanë lartësuar deri në gradën e Zotit! "Dhe kur Allahu tha: 'O Isa, bir i Merjemes, a ti u the njerëzve: Më besoni mua dhe nënën time dy zota përveç Allahut!?' (Isai) tha: 'Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua të them atë që s'është e vërtetë. Po ta kisha thënë, Ti do ta dije. Ti e di ç'ka në veten time, ndërsa unë nuk di çfarë ka në veten Tënde. Vërtet Ti je më i Dijshmi i të fshehtave. Unë nuk u kam thënë atyre përveç asaj që më urdhërove: ta adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj.'" El-Maide, 116-117.
"Kanë mohuar (të vërtetën) ata që thanë: Allahu është Ai, Mesihu, bir i Merjemes. E vetë Mesihu (Isai) tha: 'O beni Israil, adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse ai që i përshkruan Zotit shok, Allahu ia ka ndaluar atij Xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.'" El-Maide, 72.
E gjithë kjo tregon se, edhe nëse ligjet ndryshonin nga një popull në tjetrin, thelbi i thirrjes te Zoti ishte teuhidi, ndryshe nuk do të kishte kuptim dërgimi i shumë Profetëve nga një Zot i vetëm, ndërkohë që ata ndryshonin në thelbin e mesazhit hyjnor.
Feja e vërtetë është Islami
Sot në botë shikojmë fe të ndryshme dhe besime të panumërta. Përse këto besime janë aq të shumta dhe përse fetë e njohura duhet të jenë ndryshe nga njëra-tjetra, kur Zoti Krijues, që urdhëron për adhurimin e Tij, është vetëm një!? A mos vallë këta Profetë kanë ftuar në zotë të ndryshëm dhe, për rrjedhojë, besimet ndryshojnë? Jo, kurrsesi! Të gjithë Profetët u dërguan nga Allahu i Lartësuar dhe të gjithë ata kanë ftuar në një fe dhe në një besim të vetëm.
Kemi përmendur më parë se Islam do të thotë t'i dorëzohesh dhe nënshtrohesh Allahut. Kjo tregon se të gjithë të Dërguarit që kanë ftuar në teuhidin e kulluar, kanë ftuar drejtpërdrejt në fenë islame, sepse Islami është feja e vetme monoteiste në botë. Allahu në Kuran thotë: "Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami." Ali Imran, 19. Në një ajet tjetër Ai thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t'i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur." Ali Imran, 89.
Ja si na e përshkruan Allahu i Madhëruar pohimin e Islamit nga vetë Profetët e mëdhenj:
"Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke ngritur themelet e shtëpisë (Qabes, luteshin): 'Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di.' 'Zoti ynë, bëna ne të dyve muslimanë të sinqertë ndaj Teje.'" El-Bekare, 127-128.
Pasi iu plotësua dëshira, Jusufi tha: "Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, më mësove komentimin e ëndrrave. O Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestar imi në dynja e në Ahiret, më bëj të vdes musliman dhe më bashko me të mirët." Jusuf, 101.
"Musai tha: 'O populli im! Nëse i keni besuar Allahut, vetëm Atij mbështetuni po qe se jeni muslimanë.'" Junus, 84.
Asaj (Belkisës) iu tha: "Hyr në pallat", e kur e pa atë mendoi se është një ujë i madh dhe përvoli këmbët. (Sulejmani) tha: "Ky është një pallat i lëmuar prej qelqi!" Ajo tha: "Zoti im, unë i kam bërë krim vetes e tani jam bërë muslimane bashkë me Sulejmanin, Allahut, Zotit të botëve." En-Neml, 44.
E kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim, tha: "Kush janë ndihmëtarët e mi për në rrugë të Allahut?" Havarijjunët thanë: "Ne jemi ndihmëtarë të fesë së Allahut, i besuam Atij, e ti dëshmo për ne se jemi muslimanë (të bindur, të dorëzuar)." Ali Imran, 52.
Kjo do të thotë se Islami, feja me të cilën erdhi Muhamedi (alejhissalatu uesselam) nga Zoti, ishte feja e të gjithë Profetëve të tjerë. Për këtë arsye të gjithë të Dërguarit janë vëllezër, të cilët kanë predikuar një fe dhe të gjithë së bashku kanë ndërtuar ndërtesën e madhe të besimit dhe teuhidit.
Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Shembulli im me Profetët e tjerë i ngjan një njeriu që e ndërtoi një banesë të mirë, e zbukuroi dhe e përsosi atë, vetëm se në një qoshe të saj la një tullë pa vendosur. Njerëzit shkonin e vinin rreth saj dhe mahniteshin nga ajo ndërtesë, por ata thoshin: 'Sikur të plotësohej dhe ky vend bosh.'" Pejgamberi (alejhissalatu uesselam) shtoi: "Unë jam në mesin e Profetëve si ajo tulla e asaj shtëpie (që nuk plotësohet vetëm se me mua)." Transmetuan Ahmedi dhe Tirmidhiu.
Muhamedi a.s., vula e Profetëve
Muhamedi është i Dërguari i fundit në vargun e Profetëve. Ai është vula e të gjithë Profetëve. Me fjalën vulë kuptojmë se me të Allahu vulosi dhe përmbylli përfundimisht dekretet dhe shpalljet hyjnore si dhe vargun e gjatë të të gjithë Profetëve të Zotit. Pas tij s'ka më Profet tjetër deri në Ditën e Gjykimit. Muhamedi (alejhissalatu uesselam) ishte i biri i Abdullahit dhe Aminesë; ata rridhnin nga fisi i madh i Kurejshëve. Ai i përkiste barkut Benu Hashim, që ishte më i miri mes barqeve të Kurejshëve. Ndërsa fisi Kurejsh ishte më i përzgjedhuri dhe më i njohuri mes të gjithë fiseve të tjera arabe.
Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) ishte pajisur me virtytet më të larta, me sjelljet më të mira dhe me moralin më të bukur. Allahu në Kuran thotë: "Vërtet ti (o Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit." El-Kalem, 4.
Historia nuk njeh ndonjë personalitet që mund t'i afrohet Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) në thjeshtësinë, butësinë, mëshirën dhe bujarinë e tij. Ai është njeriu që, me karakterin e tij të fortë, duroi fatkeqësitë më të mëdha me një qetësi vërtet të mahnitshme. Kush ishte më i drejtë se ai në gjykim? Kush ishte më i devotshëm se ai në adhurim? Kush ishte më i urtë se ai në arsyetim? Kush ishte më bujar se ai për të vobektit? Kush ishte më fisnik se ai në trajtimin e armiqve më të egër? Ai është njeriu i vetëm në botë për të cilin historia flet me imtësi mbi çdo detaj të jetës së tij.
Librat autentikë ku janë transmetuar e shënuar fjalët dhe veprat e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (alejhissalatu uesselam), na tregojnë me qartësi dhe imtësi çdo gjë të jetës së tij. Aty është përshkruar me besnikëri, si ngrihej, ulej, mbështetej e flinte, si qeshte e buzëqeshte, si hante dhe pinte, si vishej e zhvishej, si lahej e pastrohej, si falej dhe e kujtonte Allahun, si fliste dhe komunikonte, si hynte e dilte, si ecte dhe udhëtonte, si sillej e luftonte, madje deri te gjërat intime bashkëshortore. A ka njeri në botë ta ketë jetën e tij kaq të ekspozuar duke qenë i njëjti me njerëzit brenda dhe jashtë shtëpisë? Jo më kot Allahu e zgjodhi këtë njeri si Profet të fundit dhe e bëri më të dashurin nga Profetët e tjerë.
Një nga shenjat e vërtetësisë së Pejgamberit të fundit, Muhammedit (alejhissalatu uesselam), është se ai jetoi dhe vuajti ashtu siç jetuan dhe vuajtën Profetët e tjerë. Atë e kanë tallur dhe përqeshur, e kanë përgënjeshtruar, i kanë sjellë mundime nga më të ndryshmet dhe e kanë persekutuar. Allahu në Kuran thotë: "Edhe para teje janë përgënjeshtruar Profetë të tjerë dhe duruan përgënjeshtrimet, u torturuan derisa u erdhi ndihma Jonë." El-En'am, 34. Në një verset tjetër kuranor Ai thotë: "Të dërguarit e tjerë para teje janë përqeshur, e ata që përqeshën pësuan (dënim) për shkak se u tallën." El-En'am, 10.
Mundime nga më të ndryshmet, Pejgamberi (alejhissalatu uesselam) ka përjetuar edhe pas hixhretit (emigrimit në Medinë). Uria, sëmundjet, komplotet kundër tij deri në atentatet për eliminim fizik, luftërat e njëpasnjëshme, prania dhe kërcënimi i armiqve brenda dhe jashtë Medinës, bënë që ai të mos jetonte aspak një jetë të qetë. Megjithatë, Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam), me vullnetin e tij të hekurt dhe energjitë e tij të pashtershme, mundohej më shumë se çdo tjetër t'u sillte dobi njerëzve edhe në vlera materiale. Gjithnjë përpiqej me sa të kishte mundësi t'u largonte njerëzve urinë, t'u shlyente atyre borxhet, t'i mbante afër njerëzit e mjerë e të pafuqishëm, të kujdesej për jetimët, t'u jepte lëmoshë nevojtarëve, të çlironte njerëzit nga brengat dhe hallet e kësaj bote, të vizitonte të sëmurët, të merrej me ceremonitë martesore, mortore etj. Në të njëjtën kohë ishte shembull i gjallë për njerëzit e familjes së tij, me kujdesin që tregonte ndaj tyre. Ku e gjente ai këtë forcë? Nga i merrte gjithë këto energji, si mundte ta planifikonte kohën e ngushtë që t'i përkushtohej Allahut me adhurim, njerëzve me ndihmë, të edukonte muslimanët me moral e arsim dhe të mbante në këmbë, në gjendje paqeje dhe lufte, shtetin e sapoformuar islam dhe administratën e tij!? Nëse nuk do të ishte ndihma e Allahut dhe shpallja e Tij hyjnore, Muhamedi (alejhissalatu uesselam) nuk do të mund të bënte as gjysmën e këtyre veprave.
Suksesi dhe reformat e gjëra shpirtërore dhe sociale që bëri Muhamedi (alejhissalatu uesselam) për një kohë tepër të shkurtër, tregojnë qartë për ndihmën e Allahut dhe vërtetësinë e Profetësisë së tij. Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) konsiderohet më i suksesshmi nga të gjithë Profetët e tjerë në aspektin fetar, organizativ, shoqëror dhe politik. Kush tjetër, përveç tij, do të mund të bënte për një kohë të shkurtër reforma aq të thella duke zhdukur idhujtarinë dhe besëtytnitë e kota, bixhozin, pijet alkoolike, prostitucionin, padrejtësitë e të tjera sëmundje shkatërruese për shoqërinë!? Ai ishte njeriu i cili nuk jetoi në pallate, nuk kishte trupa roje as ushtri moderne, megjithatë arriti t'i bashkojë fiset arabe dhe beduinët endacakë në një fjalë të vetme: "La ilahe il-lall-llah." Me këtë fjalë arriti t'i bashkojë ata në një komb të fuqishëm e hijerëndë, nga i cili do të frikësoheshin perandoritë e mëdha. Ai ishte njeriu i cili arriti, nëpërmjet fjalës së teuhidit dhe porosive të tij, të bashkojë popuj e racat e ndryshme në një popull të vetëm, i cili quhet "Umeti i Muhamedit".
Pas Allahut, besimtari duhet ta dojë Profetin Muhamed më shumë se gjithçka tjetër, më shumë se veten dhe familjen e tij; duhet të ndjekë rrugën e tij dhe të ringjallë sunetin (traditën) e tij kudo që të jetë. Muslimani asnjëherë nuk do ta plotësojë besimin e tij, nëse nuk e do Profetin Muhamed (alejhissalatu uesselam) më shumë se gjithçka tjetër, përveç Allahut.
Për kë u dërgua Muhamedi (alejhissalatu uesselam) si Profet
Dallimi mes të Dërguarit Muhamed (alejhissalatu uesselam) dhe Profetëve të tjerë është se ata u dërguan enkas për popujt e tyre, kurse Muhamedi (alejhissalatu uesselam) u dërgua për të gjithë njerëzit. Allahu në Kuran thotë: "Vërtet Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) për mbarë njerëzit, përgëzues dhe qortues, por shumica e njerëzve nuk e dinë." Sebe, 28. Vetë Profeti (alejhissalatu uesselam) në një hadith profetik shprehet: "Më janë dhënë pesë gjëra që askush nga të Dërguarit e tjerë nuk i ka pasur." Ndër to, përmendi: "Çdo Profet është dërguar enkas për popullin e tij, ndërsa unë jam dërguar për mbarë njerëzimin." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi. Kjo do të thotë se secili Profet u dërgua te populli i tij dhe për pasojë nuk kishte detyrë t'ua kumtonte fenë popujve të tjerë. Ndërsa me përmbylljen e shpalljeve hyjnore dhe me dërgimin e Muhamedit (alejhissalatu uesselam) si Profet të fundit, u bë e qartë se popujt dhe kombet e ndryshëm nuk do të presin më t'u vijë Profet nga Allahu, por do të kenë të gjithë një fe dhe një legjislacion të vetëm.
Të gjithë Profetët e tjerë kanë përgëzuar dhe paralajmëruar për ardhjen e Pejgamberit të fundit. Muhamedi (alejhissalatu uesselam) është përmendur qartë si në Teurat, ashtu dhe në Inxhil (Ungjill). Allahu në Kuran thotë: "...dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t'i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t'i ndalojë nga të këqijat; do t'ua lejojë të mirat e do t'ua ndalojë të këqijat." El-Araf, 157. Në një verset tjetër Ai thotë: "Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: 'O bijtë e Izraelit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t'ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t'ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje.' Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: 'Kjo është magji e hapur!'" Es-Saff, 6. Gjithashtu, Allahu në Kuran thotë: "Atyre që u kemi dhënë librin (krishterëve dhe çifutëve), e njohin atë (Muhamedin) ashtu siç njohin bijtë e vet, e një grup prej tyre, edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën." El-Bekare, 146.
Por, pavarësisht kësaj, ky është një element dytësor për muslimanët, sepse vërtetësia e Muhamedit (alejhissalatu uesselam) si Profet i Zotit dhe mbartës i fesë së vërtetë pohohet nga vetë Zoti në Kuran. Përmendja e Muhamedit (alejhissalatu uesselam) në librat hyjnorë është me rëndësi për të krishterët dhe hebrenjtë. Këtu nuk flitet për ata që ndryshuan tekstet origjinale të librave qiellorë, as për ata që e fshehin të vërtetën, por po flitet pikërisht për kërkuesit e së vërtetës, të cilët gëzojnë arsye të shëndosha.
Me dërgimin e Muhamedit (alejhissalatu uesselam) si Profet të fundit për mbarë njerëzimin, Allahu i thërret njerëzit ta besojnë atë dhe ta ndjekin rrugën e tij, ta përkrahin dhe ta respektojnë, t'i binden dhe ta ndihmojnë. Nëpërmjet Kuranit, Allahu i mëson Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) si të ftojë edhe ndjekësit e feve të tjera që të bashkohen në besimin e vërtetë, në besimin e pastër, në besimin e thjeshtë e të qartë për mendjen njerëzore, i pakoklavitur dhe i zhveshur nga misteret. I tillë është besimi Islam: ai fton në adhurimin e një Zoti të vetëm dhe mohon perënditë dhe besëtytnitë e kota, ai fton në vëllazërimin mes njerëzve rreth një besimi dhe i lidh njerëzit e kombeve dhe racave të ndryshme pa dallim mes tyre.
Veç kësaj, i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhissalatu uesselam), është dërguar si mëshirë për mbarë njerëzimin. Kjo do të thotë se ai është mëshirë në këtë botë edhe për ata që nuk e besojnë. Allahu në Kuran thotë: "Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët." El-Enbija, 107. Kjo tregon se Allahu Mëshirëplotë, me dërgimin e Muhamedit (alejhissalatu uesselam) si Profet të fundit, i mëshiroi të gjithë njerëzit e kësaj bote, duke garantuar që s'do ketë më dënime dhe zhdukje masive deri në Ditën e Gjykimit. Pra, ardhja e Profetit të fundit është ftesë universale për mbarë xhindet dhe njerëzit, që t'i bashkohen Islamit si fe e vërtetë, sepse Allahu nuk i ndëshkon më jobesimtarët në këtë botë siç ka bërë me shumë popuj të mëparshëm. Dënimi i tyre është përgatitur për Ditën e Gjykimit.
Shënim: Në popujt e mëparshëm, Allahu i Madhëruar ka dërguar mesazhe dhe u ka folur atyre nëpërmjet engjëjve, ëndrrave ose drejtpërdrejtë disa njerëzve të mirë, edhe pse ata nuk ishin Profetë. Me ardhjen e të Dërguarit Muhamed (alejhissalatu uesselam) u mbyll përfundimisht shpallja hyjnore për Profetët dhe çdo bisedë hyjnore për njerëzit e mirë.
I Dërguari i Allahut ka thënë: "Në popujt e mëparshëm ka pasur njerëz që u është folur nga qielli. Nëse do të ishte dikush në këtë kohë i tillë, ai do të ishte Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi. Çdokush që pretendon se është Profet pas ardhjes së Muhamedit (alejhissalatu uesselam), ai është gënjeshtar e mashtrues dhe ka bërë kufër të hapur. Ky hadith profetik përgënjeshtron qartë të gjithë ata që pretendojnë se u vjen frymëzim ose inspirim nga Zoti dhe gënjejnë e mashtrojnë njerëzit. Ata nuk shfaqen si profetë, por si njerëz të mirë, bamirës dhe të dashur të Zotit. Megjithatë ata nuk janë tjetër veçse mashtrues, ose njerëz të mashtruar nga shejtani.
Mrekullitë e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam)
Si shumë Profetë të tjerë, edhe Muhamedin (alejhissalatu uesselam), Allahu e pajisi me mrekulli. Këto mrekulli, Allahu ua dha atyre si argumentim të qartë për vërtetësinë e profetësisë së tyre. Mrekullitë e Pejgamberëve të tjerë, para ardhjes së Muhamedit (alejhissalatu uesselam), ishin vetëm për popujt e tyre ku u dërguan. Pra, ato ishin mrekulli për një kohë të caktuar dhe për bashkësi të caktuara. Ndërsa mrekullitë që iu dhanë Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) nuk ishin argument vetëm për popullin e Mekës, prej nga u dërgua si Profet, por edhe për popullin e Medinës, arabëve të tjerë të gadishullit dhe mbarë njerëzimit.
Këto mrekulli janë tre llojesh:
Mrekulli të ngjashme si ato të Profetëve të tjerë. Ato ndodhën brenda periudhës 23-vjeçare të profetësisë së tij në Mekë dhe Medinë. Më kryesoret janë: ndarja e hënës në dy pjesë; udhëtimi i tij brenda natës nga Meka në xhaminë Aksa të Jerusalemit dhe ngritja e tij, po në këtë natë, sipër shtatë qiejve; shtimi i ushqimit në luftën e Hendekut, aq sa të ushqeheshin dhe ngopeshin një mijë vetë; burimi dhe shtimi i ujit nga gishtat e Pejgamberit (alejhissalatu uesselam) në enën e vetme që kishte me ujë në Hudejbije, aq sa të pinin dhe të merrnin abdes plot 115 vetë, madje dhe të mbushnin enët e tyre; prekja dhe fërkimi i këmbës së thyer të Abdullah ibn Utejk, duke e kthyer atë menjëherë në gjendjen e mëparshme.
Mrekulli që lidhen me parashikimin dhe paralajmërimin e ngjarjeve dhe ndodhive në të ardhmen. Këto ndodhi, të radhitura njëra pas tjetrës, provojnë kohë pas kohe vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit (alejhissalatu uesselam). Shumë prej këtyre ngjarjeve të paralajmëruara kanë ndodhur pikërisht ashtu siç i ka profetizuar Muhamedi (alejhissalatu uesselam), si p.sh.: rënia e perandorisë Perse dhe asaj Bizantine në duart e muslimanëve; çlirimi i Damaskut, Jerusalemit dhe Egjiptit nga muslimanët; vdekja dhe vrasja e shumë shokëve të tij në vende të caktuara; lufta e madhe ndërmjet Aliut dhe Muavijes; dalja e havarixhëve nga ushtria e Aliut dhe rebelimi i tyre kundër tij; bashkimi i muslimanëve sërish pas dorëheqjes së Hasanit, birit të Aliut, dhe merita e tij për këtë bashkim; luftimi me Mongolët (tartarët); rënia e Kalifatit Islam dhe prapambetja e muslimanëve; shtimi i padrejtësive dhe i sëmundjeve shoqërore, si: alkooli, bixhozi, imoraliteti, kamata etj.; shfaqja e lakuriqësisë nga ana e grave; shfaqja e sëmundjeve të reja të pashërueshme; shtimi i vrasjeve masive; shtimi i tërmeteve; konkurrimi për ndërtimin e pallateve dhe godinave të larta; zbukurimi dhe stolisja e xhamive dhe mburrja e njerëzve me to; shtimi i vdekjeve të papritura etj.
Për sa i përket profetësive që priten të ndodhin, më kryesoret janë: kthimi i gadishullit arabik në kopshte e lumenj; shfaqja e kodrës prej ari në lumin Eufrat në Irak; lindja dhe shfaqja e Mehdiut, pas të cilit do të bashkohen muslimanët; aleanca e muslimanëve me të krishterët perëndimorë dhe triumfi i tyre në luftë kundër një armiku të përbashkët; ndarja mes muslimanëve dhe të pafeve, si dhe triumfi i muslimanëve kundër tyre; zbritja e Profetit Isa (alejhisselam) në Damask nga qielli dhe radhitja e tij në ushtrinë e muslimanëve; vrasja e Dexhalit nga dora e Isait (alejhisselam); lufta e përgjithshme kundër çifutëve; sundimi i plotë i botës nga muslimanët dhe vënia e drejtësisë dhe ligjit të Allahut; përhapja e paqes dhe stabilitetit, si dhe shfaqja e dukshme e begative të Allahut në tokë; dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve dhe dëmet që sjellin ata; shfaqja e kafshës së tokës; dërgimi i një ere të mirë nga Allahu që merr shpirtrat e besimtarëve; shembja e Qabesë; lindja e diellit nga perëndimi; shkatërrimi i botës (Kijameti). Të gjitha këto profetësi quhen "Shenjat e Kijametit".
Kurani, fjala e Allahut. Mrekullia më e madhe dhe e përjetshme që iu dha Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) ishte Kurani. Për këtë mrekulli të madhe kemi folur kur kemi shpjeguar kushtin e tretë të besimit: "Librat e shenjtë".
Mrekullitë e evlijave
Përveç Profetëve, Allahu i Madhëruar ua ka bërë të mundur mrekullitë edhe njerëzve të mirë e të devotshëm. Njerëzit e mirë, që u ruhen mëkateve, përkushtohen me adhurime dhe e kanë zemrën të pastër nga sëmundjet e saj, konsiderohen të dashurit e Allahut. Njerëzit e tillë quhen evlija. Allahu i Lartësuar mundëson që prej duarve të evlijave të shfaqë mrekulli të ndryshme për të treguar një të vërtetë, për të triumfuar dhe ndihmuar të vërtetën, për të mbështetur fenë e Tij, ose për të dashurit e Tij. Këto mrekulli quhen kerametë.
Keremetet e evlijave kanë dy kushte:
- Njeriu nëpërmjet të cilit Zoti shfaq mrekullinë të njihet te njerëzit e tjerë si njeri i mirë, i devotshëm dhe zbatues me përpikëri i sunetit të Profetit (alejhissalatu uesselam).
- Besimtari i tillë të mos pretendojë se mund të sjellë mrekulli kur do ai, sepse mrekullia është në dorë të Zotit, i cili e sjell kur të dojë e si të dojë Ai.
Nëpërmjet këtyre dy kushteve mund të kuptosh lehtë dallimin e kerametit nga magjia dhe mashtrimi. Domethënë, për atë që nuk i plotëson këto dy kushte, veprat e tij që mund t'u ngjajnë kerametеve janë truk, mashtrim, ose magji prej shejtanit të mallkuar. Imam Shafiu thotë: "Nëse sheh dikë duke ecur mbi ujë, ose duke fluturuar në ajër, mos u mashtro prej tij dhe mos i beso, derisa të mësosh se është ndjekës i rregullt i sunetit të Profetit apo jo."
Duhet ditur, gjithashtu, se keremetet që mund t'i ndodhin ndonjë besimtari nuk e bëjnë atë më të mirë dhe më të ngritur tek Allahu se besimtarët e tjerë, siç besojnë disa njerëz, sepse nuk ka ndonjë argument nga feja për këtë gjë. P.sh. ne e dimë se sahabët kanë vlerë më të lartë tek Allahu sesa ata që erdhën më pas, edhe pse mes tyre ka pasur pak raste keremetesh, ndërkohë që pas tyre ka pasur mjaft njerëz që u kanë ndodhur keremete, por kjo kurrsesi nuk i pozicionon këta njerëz më lart sesa sahabët që nuk kishin keremete.
Allahu na tregon në Kuran se evlija të Allahut janë të gjithë muslimanët që i besojnë thellësisht Allahut dhe janë të ruajtur nga gjynahet: "Pa dyshim, miqtë e Allahut (evlijatë) nuk do të kenë arsye për t'u frikësuar dhe as për t'u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut)." Junus, 62-63.
Suneti dhe bidati
Sunet quhet tradita profetike dhe gjithçka që na ka ardhur nga i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhissalatu uesselam). Suneti është burimi i dytë i fesë islame pas Kuranit. Tradita profetike është pjesë e shpalljes hyjnore. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij." En-Nexhm, 3-4. Ndërsa Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Vërtet mua më është dhënë Libri dhe diçka e ngjashme me të." Transmetuan Ebu Davudi dhe Ahmedi. Kjo do të thotë se fjalët profetike janë pjesë e shpalljes hyjnore. Ato janë prej diturisë së Allahut që ia dha të Dërguarit të Tij, Muhamedit (alejhissalatu uesselam). Suneti ka ardhur si shpjegim dhe sqarim i fjalës së Zotit. Për shembull, Allahu në Kuran thotë: "Faleni namazin dhe jepeni Zekatin!", mirëpo nuk tregon formën e namazit, as detajet rreth zekatit. Është pikërisht suneti ai që shpjegon dhe sqaron detajet e tilla. Kjo tregon se feja islame është e plotë me Kuranin dhe sunetin së bashku.
Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar të ndjekim sunetin profetik me rigorozitet, na ka treguar se bindja ndaj Profetit është bindje ndaj Tij dhe se ndjekja e rrugës së Profetit është shenjë e dashurisë ndaj Tij.
Allahu në Kuran thotë: "Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut." En-Nisa, 80.
"Çfarëdo që t'ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t'ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu dënon vërtet ashpër." El-Hashr, 7.
"Thuaju (o Muhamed): 'Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t'ju dojë dhe t'jua falë gjynahet!'" Ali Imran, 31.
Duke qenë se suneti është shpjegim dhe sqarim i Kuranit, atëherë ai është i ruajtur me vetë Kuranin deri në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye shohim se dijetarët islamë që herët janë kujdesur shumë për sunetin e të Dërguarit (alejhissalatu uesselam) dhe kanë dhënë një mund dhe një shërbim tepër të madh në këtë fushë.
Hadithi
Transmetimet e ndryshme që na tregojnë mbi sunetin e Profetit (alejhissalatu uesselam) quhen hadithe. Hadithi, në përkufizimin terminologjik të tij, nënkupton çdo thënie, vepër ose miratim të Profetit (alejhissalatu uesselam). Dijetari që merret me studimin dhe trajtimin e hadithеve quhet muhadith. Transmetimet e hadithеve janë shënuar dhe ruajtur në koleksione dhe libra të posaçëm. Këto libra, sipas mënyrës së mbledhjes dhe ruajtjes së hadithеve, janë të llojeve të ndryshme dhe kanë emërtime të veçanta, si: sahih, sunen, musned, mu'xhem etj. Gjashtë librat më kryesorë, ku janë përmbledhur hadithet dhe tradita profetike, janë: Sahihu i Imam Buhariut, Sahihu i Imam Muslimit, Suneni i Imam Ebu Davudit, Suneni i Imam Tirmidhiut, Suneni i Imam Nesaiut dhe Suneni i Imam Ibn Maxhes. Libri më i saktë është Sahihu i Imam Buhariut, pastaj Sahihu i Imam Muslimit.
Hadithet e dobëta dhe të trilluara. Është e rëndësishme të vihet në dukje se hadithet e transmetuara ndahen në hadithe të sakta (autentike) dhe të pasakta, d.m.th. të dobëta. Kjo do të thotë se jo çdo hadith që e dëgjojmë apo e lexojmë e ka thënë me të vërtetë Profeti (alejhissalatu uesselam). Shumë hadithe janë të shpikura dhe të trilluara nga gënjeshtarë të ndryshëm gjatë shekujve dhe shumë të tjera janë të dobëta, sepse nuk plotësojnë kushtet që kanë vënë dijetarët e hadithit, për të dalluar hadithin e saktë nga i pasakti.
Pra, sipas rregullave bazë të shkencës së hadithit nuk vërtetohet autenticiteti i tyre dhe, për pasojë, nuk lejohet argumentimi me to, sidomos në lëmin e Akides dhe Fikhut. Muhadithinët dhe dijetarët e mëdhenj të shkencës së hadithit kanë bërë një punë kolosale në këtë temë delikate dhe u kanë lënë brezave të mëvonshëm një trashëgimi të madhe me librat ku janë shënuar hadithet e sakta dhe të pasakta. Muslimani duhet të jetë i kujdesshëm që të mos përdorë hadithe të dobëta dhe të trilluara, sepse nëpërmjet tyre mund të kuptojë gabim shumë çështje të fesë. Sa herë që dëgjon një hadith që nuk e di, le të pyesë dikë më të dijshëm për t'u siguruar. Enes ibn Maliku, njëri prej sahabëve të nderuar, thoshte: "Unë hezitoj t'ju tregoj juve shumë hadithe, sepse i Dërguari i Allahut ka thënë: 'Kush tregon me qëllim gënjeshtra në emrin tim, le ta përgatisë vetë vendin e tij në zjarr.'" Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
Duke u bazuar në thënien e Enesit dhe hadithin e Pejgamberit (alejhissalatu uesselam), dijetarët shpjegojnë se çdo njeri që neglizhon në çështjen e hadithеve dhe nuk u jep rëndësi atyre, nëse janë të sakta apo të dobëta, ai është përgjegjës për atë gjë. Kjo është argumentuar edhe me një hadith tjetër ku Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë: "Njeriu mjafton që të quhet gënjeshtar nëse ai tregon gjithçka që dëgjon." Transmetoi Muslimi.
Hadithi kudsi. Me hadith kudsi nënkuptojmë çdo fjalë që Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) e përcjell nga Allahu i Lartësuar. Ndryshe nga Kurani, hadithi kudsi mund të përcillet dhe të shprehet me fjalët e Profetit, pra, duke ruajtur thelbin dhe kuptimin dhe duke përdorur fjalë të përafërta. Duke qenë se edhe suneti, gjithashtu, është pjesë e shpalljes, që Profeti e shpreh me fjalët e tij, atëherë çfarë dallimi ka nga hadithi kudsi? Përgjigja është e thjeshtë: Suneti është formulim i Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) i cili rrjedh nga dija e gjerë që i ka dhënë Allahu, nëpërmjet të cilës Profeti (alejhissalatu uesselam) herë pas here shpreh sipas nevojës hadithe të ndryshme. Ndërsa hadithi kudsi është fjalë e Allahut, të cilën i Dërguari i Tij, Profeti Muhamed, ka marrë lejen ta përcjellë me fjalët e tij, pa ndryshuar kuptimin dhe pa e bërë pjesë të Kuranit. Gjithashtu, duhet ditur se besimtari shpërblehet për leximin dhe zbatimin e Kuranit, sepse vetë leximi i tij është adhurim, ndërkohë që ai shpërblehet jo thjesht nëse i lexon hadithet, por nëse i zbaton ato.
Shënim: Hadithet kudsije transmetohen dhe shënohen në koleksionet dhe librat e sunetit me të njëjtat rregulla të shkencës së hadithit dhe shikojmë se ka edhe hadithe kudsije të dobëta ose të trilluara nga gënjeshtarë të ndryshëm, gjoja se i ka thënë Allahu. Dijetarët Islamë përgjatë shekujve i kanë identifikuar të gjitha hadithet e dobëta, siç përmendëm më sipër, përfshi këtu dhe hadithet kudsije.
Bidati
Bidat quhet çdo risi në fe që nuk ka argument përkatës nga Kurani dhe suneti. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kush shpik në çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi. Në një hadith tjetër ai thotë: "Ai që do të jetojë prej jush pas vdekjes sime, do të shohë kontradikta të shumta, ndaj kapuni fort pas sunetit tim dhe rrugës që ndoqën Kalifët e drejtë e udhëzues. Shtrëngojeni atë fort me dhëmballët tuaja dhe ruhuni nga risitë, sepse çdo risi është bidat dhe çdo bidat të çon në humbje (dalalet)." Transmetuan Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
Ky hadith profetik na tregon qartë se pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut njerëzit do të përçahen në mendimet e tyre dhe për rrjedhojë do të shfaqen bidatet. Gjithashtu, hadithi na tregon se shpëtimi nga bidatet realizohet me kapjen fort pas sunetit dhe se çdo bidat është i urryer e të shpie në humbje (dalalet). Megjithatë, shejtani nxit njeriun dhe vetë muslimanin që të devijojë nga rruga e Profetit dhe të zbukurojë gabimet dhe risitë e veta duke menduar se ato janë prej fesë. Kjo gjë e shtyn njeriun të justifikojë bidatin e tij duke e konsideruar të mirë. Për këtë arsye Abdullah ibn Umeri, njëri prej dijetarëve në mesin e shokëve të Profetit (alejhissalatu uesselam), ka thënë: "Çdo bidat çon në humbje (dalalet), edhe nëse njerëzit e shohin si të mirë."
Tre brezat fatlumë
I Dërguari i Allahut thotë: "Njerëzit më të mirë janë brezi im, pastaj ata që e pasojnë atë, pastaj brezi që vjen pas tyre. Më pas do të vijnë njerëz që dëshmojnë pa iu kërkuar dëshmia, tradhtojnë e nuk e mbajnë besën, zotohen por nuk e mbajnë fjalën." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
Shokët që jetuan me Profetin (alejhissalatu uesselam) quhen Sahabë. Sahabi konsiderohet dhe ai që e ka takuar Profetin (alejhissalatu uesselam) si besimtar, qoftë dhe një herë të vetme, dhe ka vdekur i tillë. Sahabët më të njohur janë muhaxhirët dhe ensarët. Muhaxhirët janë shokët e të Dërguarit të Allahut (alejhissalatu uesselam), që emigruan bashkë me të nga Meka në Medinë për të ruajtur fenë e tyre. Ky emigrim quhet hixhret. Hixhreti shënon, gjithashtu, fillimin e kalendarit islam. Ndërsa ensarë quhen banorët e Medinës, të cilët i dhanë besën Profetit (alejhissalatu uesselam) se do ta strehonin, ndihmonin dhe do të sakrifikonin për të dhe fenë e Allahut. Për këtë arsye, muhaxhirët dhe ensarët konsiderohen muslimanët më të mirë dhe shokët më besnikë të Profetit tonë. Më të mirët e sahabëve kanë qenë katër kalifët e drejtë. Ata janë: Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre).
Brezi që jetoi me sahabët dhe përfitoi prej tyre pas vdekjes së Muhamedit (alejhissalatu uesselam) quhen tabiinë. Kurse ata që jetuan me tabiinët dhe përfituan prej tyre quhen tabi tabiinë.
Për të gjithë brezat e mëvonshëm, sahabët, tabiinët dhe tabi-tabiinët quhen selefë, ose selefu salih (të parët tanë të mirë). Për të ruajtur fenë tonë të fortë dhe besimin tonë të saktë, duhet të ndjekim rrugën e të parëve tanë të mirë. Të gjithë muslimanët që besojnë dhe e adhurojnë Allahun sipas porosive profetike dhe që ndjekin rrugën e sahabëve dhe tabiinëve për të kuptuar hadithet profetike dhe fenë e Allahut, quhen ehli sunet.
Shënim: Lutjet e muslimanëve për Profetin Muhamed (alejhissalatu uesselam) quhen salavate. Besimtari musliman duhet ta respektojë Profetin e tij sa herë që t'i përmendet emri duke rënë në salavat në formë të shkurtuar. Këto forma janë: "Sal-lall-llahu alejhi uesel-lem", ose "Alejhissalatu uesselam", ose "Alejhisselam". Dy format e para janë më të mira. Gjithashtu, është e pëlqyeshme që, sa herë të përmendet emri i ndonjë sahabi të njohur, të thuhet "radijallahu anhu", që do të thotë: Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Ndërkohë muslimani duhet të jetë gjithnjë i angazhuar që të madhërojë dhe lartësojë Zotin e Plotfuqishëm, sa herë që përmend emrin e Tij, duke thënë: Allahu i Madhëruar, Allahu i Lartësuar etj. Format më të njohura të madhërimit dhe lartësimit të Allahut në gjuhën arabe janë: "Subhanehu ue teala", ose "Xhel-le xhelaluhu", ose "Xhel-le shanuhu", ose "Azze ue xhel-le".
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë