Pastërtia dhe Namazi
Forma e Namazit
Namazi hap pas hapi: nijeti, tekbiri, Fatihaja, rukuja, sexhdja, teshehudi, salavatet dhe selami.
Drejtohem nga kibla (Meka), ngre duart afër supeve ose afër veshëve, me pëllëmbët të hapura mirë, dhe them: الله اكبر "Allahu Ekber". Shikimin e mbaj poshtë, aty ku bie në sexhde.
Më pas i lidh duart duke vendosur të djathtën mbi të majtën dhe këndoj duanë e hyrjes në namaz:
اللَّهُمَّ بَاعِدْ بَيْنِي وَبَيْنَ خَطَايَايَ كَمَا بَاعَدْتَ بَيْنَ الْمَشْرِقِ وَالْمَغْرِبِ، اللَّهُمَّ نَقِّنِي مِنَ الْخَطَايَا كَمَا يُنَقَّى الثَّوْبُ الأَبْيَضُ مِنَ الدَّنَسِ، اللَّهُمَّ اغْسِلْ خَطَايَايَ بِالْمَاءِ وَالثَّلْجِ وَالْبَرَدِ
All-llahumme baid bejni ue bejne khatajaje kema baadte bejnel-meshriki uel-magribi. All-llahumme nekkini min khatajaje kema junekkath-theubul ebjedu mineddenes. All-llahummegsil khatajaje bil-mai ueththelxhi uel-bered.
O Zoti im! Më largo mua nga mëkatet e mia ashtu siç ke larguar Lindjen nga Perëndimi. O Zoti im! Më pastro mua nga mëkatet e mia ashtu sikur pastrohet rroba e bardhë nga papastërtia. O Zoti im! Pastroji gjynahet e mia me ujë, me borë dhe me breshër.
Kjo është lutja hyrëse më e njohur e Profetit (alejhissalatu uesselam), por në vend të saj mund të këndohet edhe kjo lutje tjetër:
سُبْحَانَكَ اللهُمَّ وبِحَمْدِكَ، وَتَبَارَكَ اسمُكَ، وتَعالى جَدُّكَ، وَلا إِلَهَ غَيْرُكَ
Subhanekell-llahumme ue bihamdike, ue tebarekesmuke, ue teala xhedduke, ue la ilahe gajruke.
I pastër dhe larg të metave je Ti, o Zoti im. Lavdërimi të takon Ty. I bekuar është emri Yt, e lartësuar është Madhëria Jote. Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Teje.
Më pas them:
أَعُوذُ بِاللَّهِ مِنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيمِ بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ
Eudhu bil-lahi mineshshejtanirraxhim. Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim.
I kërkoj mbështetje Allahut të më ruajë nga shejtani i mallkuar. Me emrin e Zotit të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Menjëherë pas kësaj recitoj të plotë suren el-Fatiha dhe, në përfundim të saj, them: Amin! Pas Fatihasë recitoj ndonjë sure tjetër nga Kurani ose disa ajete kuranore.
Më pas ngre duart duke thënë: "Allahu Ekber" dhe bie në ruku. Pasi bie në ruku, vendos mirë pëllëmbët me gishtat e hapura mbi gjunjë dhe them tri herë ose më shumë:
سُبْحَانَ رَبِّيَ الْعَظِيمِ
Subhane rabbijel-adhiim. (I përkryer është Zoti im Madhështor.)
Në ruku shpina mbahet drejt, duke shikuar poshtë pingul.
Më pas ngrihem nga rukuja duke ngritur sërish duart dhe duke thënë:
سَمِعَ اللهُ لِمَنْ حَمِدَه رَبَّنَا وَلَكَ الْحَمْد
Semiall-llahu limen hamideh, rabbena ue lekel hamd. (Allahu e dëgjon atë që e lavdëron. Zoti ynë, Ty të përket lavdërimi.)
Pasi kam qëndruar në pozicion të lirë, bie në sexhde duke thënë: "Allahu ekber". Bie në sexhde duke vendosur shtatë pjesë të trupit: ballin dhe hundën, duart, gjunjët dhe gishtat e këmbëve të përkulura drejt kibles, dhe them tri herë ose më shumë:
سُبْحَانَ رَبِّيَ الأَعْلَى
Subhane rabbijel a'la. (I përkryer është Zoti im, Ai është më i Larti.)
Më pas ngrihem nga sexhdja duke thënë: "Allahu ekber" dhe qëndroj në pozicionin ulur. Në këtë pozicion them dy herë:
رَبِّ اغْفِرْ لِي
Rabbigfirli. (Zoti im! Më fal mua.)
Ky qëndrim bëhet duke u ulur mbi këmbën e majtë të shtrirë, kurse këmba e djathtë mbahet ngritur, e mbështetur mbi gishtat drejtuar nga kibla. Pas kësaj bie sërish në sexhde si herën e parë duke thënë: "Allahu ekber" dhe them tri herë ose më shumë: Subhane rabbijel a'la.
Të gjitha këto lëvizje, nga tekbiri fillestar e deri këtu, quhen rekat. Pas ngritjes nga sexhdja e dytë kemi plotësuar një rekat.
Më pas ngrihem në rekatin e dytë duke thënë: "Allahu Ekber" dhe veproj në të siç veprova në rekatin e parë, por duke filluar menjëherë me këndimin e Kuranit dhe jo me lutjen e çeljes. Pasi bëj dy sexhdet e rekatit të dytë, qëndroj ulur në teshehudin e parë për të thënë:
التَّحِيَّاتُ لِلَّهِ وَالصَّلَوَاتُ وَالطَّيِّبَاتُ، السَّلَامُ عَلَيْكَ أَيُّهَا النَّبِيُّ وَرَحْمَةُ اللهِ وَبَرَكَاتُهُ، السَّلَامُ عَلَيْنَا وَعَلَى عِبَادِ اللهِ الصَّالِحِينَ، أَشْهَدُ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ وَأَشْهَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ
Ettehijjatu lil-lahi uessalevatu uettajjibatu, esselamu alejke ejjuhennebijju ue rahmetull-llahi ue berekatuhu. Esselamu alejna ue ala ibadil-lahissalihin. Esh'hedu en la ilahe il-lall-llah ue esh'hedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu.
Qëndrueshmëria (përhershmëria) është vetëm për Allahun. Atij ia drejtojmë lutjet dhe fjalët më të mira. Të mirat e Allahut, mëshira dhe begatitë e Tij qofshin për ty, o Profet. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për ne dhe për robërit e Tij të mirë. Dëshmoj se s'ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.
Në qoftë se namazi përbëhet vetëm nga dy rekate, atëherë pas ettehijatit them salavatet (lutjet për Profetin):
اللَّهُمَّ صَلِّ عَلَى مُحَمَّدٍ وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ، كَمَا صَلَّيْتَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ وَعَلَى آلِ إِبْرَاهِيمَ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيد. اللَّهُمَّ بَارِكْ عَلَى مُحَمَّدٍ وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ، كَمَا بَارَكْتَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ وَعَلَى آلِ إِبْرَاهِيمَ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيد
All-llahumme sal-li ala Muhammedin ue ala ali Muhammedin kema sal-lejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime inneke hamidun mexhid. Ue barik ala Muhammedin ue ala ali Muhammedin kema barekte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime inneke hamidun mexhid.
O Zot! Mëshiroje dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç mëshirove dhe bekove Ibrahimin dhe familjen e tij! Vërtet Ti je i Falënderuar dhe i Lavdëruar. Gjithashtu, begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç begatove Ibrahimin dhe familjen e tij! Vërtet Ti je i Falënderuar dhe i Lavdëruar.
Pasi këndoj ettehijatin, salavatet dhe lutjet, jap selam duke e kthyer kokën fillimisht nga supi i djathtë dhe them: "Esselamu alejkum ue rahmetull-llah", pastaj e kthej kokën në drejtim të supit të majtë duke shprehur sërish të njëjtën lutje. Tërësia e këtyre veprimeve, nga tekbiri fillestar e deri në dhënien e selamit, quhet namaz i plotë.
Në namazet që kanë katër rekate, pasi them teshehudin e parë nuk këndoj salavatet apo lutje të tjera, por çohem menjëherë në këmbë duke ngritur duart dhe duke thënë: "Allahu Ekber". Më pas plotësoj dy rekate të tjera dhe në fund, pasi kam lexuar teshehudin e dytë, salavatet dhe duatë, jap selam. Ndërsa në namazin e akshamit, që ka tre rekate, pasi ngrihem nga teshehudi i parë fal vetëm një rekat dhe qëndroj ulur për të lexuar teshehudin e dytë, salavatet dhe duatë, pastaj jap selam.
Çfarë e prish namazin
- Të folurit me qëllim.
- Veprimet e tepërta, të cilat nuk janë pjesë e namazit.
- Prishja e abdesit.
- Njollosja me papastërti (si: jashtëqitja, urina ose gjaku).
- Zbulimi i auretit.
- Devijimi nga kibla.
- Ngrënia me qëllim.
- Pija me qëllim.
- Ndryshimi i nijetit gjatë namazit (del nga namazi nëpërmjet nijetit; nëse vendos të vazhdosh sërish, duhet të fillosh nga e para).
- Të qeshurit me zë.
- Kalimi në mosbesim (kufër).
Radhitja e pesë namazeve farze
Numri i rekateve për çdo namaz, bashkë me namazet sunete përkatëse:
| Namazi | Sunet (para) | Farz | Sunet (pas) | Vitri |
|---|---|---|---|---|
| Sabahu | 2 | 2 | — | — |
| Dreka | 2 + 2 | 4 | 2 | — |
| Ikindia | 2 + 2 | 4 | — | — |
| Akshami | — | 3 | 2 | — |
| Jacia | — | 4 | 2 | 3 |
Namazi i Xhumasë ka 2 rekatet e hyrjes në xhami, 2 rekate farz dhe 4 sunete pas farzit në xhami. Nëse sunetet i fal në shtëpi, atëherë fal dy rekate dhe jo katër.
Shënim: Katër rekatet para ikindisë dhe dy rekatet para akshamit konsiderohen sunete të lehta, të cilat, nëse lihen, nuk përbëjnë mekruh. Ndërsa sunetet e tjera para ose pas farzeve konsiderohen sunete të forta. Gjithashtu, kur sunetet janë katër rekate, sipas traditës profetike ato falen dy e nga dy, d.m.th. duke dhënë selam në çdo dy rekate.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë