Pastërtia dhe Namazi
Sexhdja për shkak të harresës
Sehvi sexhde: si shlyhet harresa në namaz, farzet, sunetet, mustehabet dhe dyshimi te rekatet.
Në qoftë se gjatë namazit, pa dashur, lëmë diçka mangët ose shtojmë diçka, atëherë ajo shlyet duke bërë dy sexhde në fund të namazit. Këto dy sexhde quhen sehvi sexhde.
Gjërat e harruara gjatë namazit janë tre llojesh: farze, sunete dhe mustehabe.
- Nëse është harruar njëra nga shtyllat e brendshme (farzet kryesore) të namazit, si: këndimi i Fatihasë, rukuja etj., atëherë sehvi sexhde nuk mjafton, por duhet plotësuar fillimisht ajo që është harruar, pastaj në fund të namazit bëhen dy sexhde. Pra, nëse besimtari kujtohet gjatë namazit ose pak kohë pas tij për harrimin e ndonjë shtylle, e plotëson atë shtyllë ose pjesë të farzit (duke shtuar një rekat) dhe në fund bën dy sehvi sexhde.
- Për sunetin e harruar, siç është ulja në teshehudin e parë, nuk është e nevojshme të plotësohet si në rastin e farzit, por mjafton ta shlyesh duke bërë dy sehvi sexhde në fund të namazit.
- Për mustehabin e harruar, siç është lutja në ruku ose në sexhde, nuk është e nevojshme as të plotësohet e as të shlyhet me sehvi sexhde.
Në rast se namazliu dyshon gjatë namazit rreth rekateve që ka falur (p.sh. nuk është i sigurt në ka falur tre apo katër rekate), atëherë e vazhdon namazin duke u mbështetur në atë që është i sigurt. Pra, e konsideron sikur ka falur tre rekate, plotëson rekatin e katërt dhe në fund bën sehvi sexhden.
Në të gjitha rastet e harresës, sehvi sexhde bëhet para se të jepet selami: këndon ettehijatin, salavatet dhe duatë, pastaj bën sehvi sexhden dhe jep menjëherë selam.
Në rastin kur namazliu shton një rekat tepër dhe kujtohet sapo ka mbaruar namazin, atëherë ai rikthehet sërish në namaz vetëm për të bërë dy sehvi sexhde dhe pas tyre jep menjëherë selam, pa kënduar ettehijatin apo ndonjë lutje tjetër. Kjo formë na është përcjellë nga vetë Profeti (alejhissalatu uesselam), kur ai njëherë fali namazin pesë rekate me harresë dhe këtë ia kujtuan shokët e tij pas dhënies së selamit. Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë