Pastërtia dhe Namazi

Namazi i Vitrit

Namazi i natës dhe vitri, koha, forma, tehexhudi dhe duaja e kunutit.

Namazi i vitrit është namazi më i rëndësishëm prej namazeve jo të obliguara. Ai quhet ndryshe namazi i natës. Koha e tij fillon pas namazit të darkës (jacisë) dhe deri në agim. Ky është një namaz të cilit Profeti (alejhissalatu uesselam) i ka kushtuar rëndësi dhe vëmendje të veçantë, andaj nuk duhet neglizhuar.

Fjala vitr do të thotë "tek". Namazi i vitrit quhet kështu sepse namazi i natës mbyllet me një rekat tek. Sipas traditës profetike, është e pëlqyeshme që para rekatit përfundimtar "vitr" të falen dy, katër ose më shumë rekate namaz. Zakonisht Profeti (alejhissalatu uesselam) falte dhjetë rekate namaz nate dhe e mbyllte këtë cikël adhurimi me një rekat tek. Është e pëlqyeshme, gjithashtu, që në këto rekate të këndohen sure të gjata dhe të qëndrohet më gjatë në ruku e sexhde.

Namazi i vitrit mund të falet në të gjitha pjesët e natës, por më e mira është të falet në pjesën e fundit të saj. Namazi që falet natën, në çastet e fundit para agimit, pasi ke fjetur gjumë, quhet tehexhud. Duke qenë se besimtari e prish rehatinë e tij duke u çuar natën kur të tjerët janë në gjumë, kjo gjë bën që namazi i tij të jetë më i vlefshëm te Allahu. Në qoftë se muslimani nuk e ka të sigurt zgjimin natën, atëherë le ta falë namazin e vitrit përpara se të flejë gjumë.

Forma e namazit të natës bashkë me vitrin, siç ceket në hadithe të ndryshme, mund të falet dyshe-dyshe duke e mbyllur në fund me një rekat të vetëm. Mund të falen edhe tetë rekate resht, duke kënduar teshehudin çdo dy rekate dhe duke dhënë një selam të vetëm në fund. Namazi i vitrit mund të falet edhe me një rekat të vetëm, por më e pëlqyeshme është të mos jetë më pak se tre rekate.

Duaja e kunutit

Është e pëlqyeshme që rekati i fundit i namazit të vitrit të shoqërohet me duanë e kunutit. Duaja mund të bëhet para ose pas rukusë; të dyja kanë qenë forma të njohura në traditën profetike. Gjatë duasë mund të ngrihen duart ose të mbahen lidhur, por vitri mund të falet edhe pa bërë dua fare.

Në raste sprovash apo fatkeqësie është sunet të bëhet kunut edhe në namazet farze gjatë ditës. Në këto raste imami ngre duart dhe bën dua me zë, kurse xhemati pas tij thotë Amin!

Duatë e kunutit janë të ndryshme, por më e njohura ndër lutjet e sakta është ajo që Profeti (alejhissalatu uesselam) ia ka mësuar nipit të tij, Hasanit:

اللَّهُمَّ اهْدِنِي فِيمَنْ هَدَيْتَ وَعَافِنِي فِيمَنْ عَافَيْتَ وَتَوَلَّنِي فِيمَنْ تَوَلَّيْتَ وَبَارِكْ لِي فِيمَا أَعْطَيْتَ وَقِنِي شَرَّ مَا قَضَيْتَ إِنَّكَ تَقْضِي وَلَا يُقْضَى عَلَيْكَ وَإِنَّهُ لَا يَذِلُّ مَنْ وَالَيْتَ وَلَا يَعِزُّ مَنْ عَادَيْتَ تَبَارَكْتَ رَبَّنَا وَتَعَالَيْتَ

Allahummehdini fimen hedejte ue afini fimen afejte ue teuel-leni fimen teuel-lejte ue barik li fima a'tajte ue kini sherr-rre ma kadajte, inneke takdi ue la jukda alejke ue innehu la jedhil-lu men ualejte ue la jeizzu men adejte tebarekte rabbena ue tealejte.

O Allah! Më udhëzo mua ndër ata që i ke udhëzuar, më jep shëndet ndër ata që u ke dhënë shëndet, më merr në mbrojtje ndër ata që i ke marrë në mbrojtje, më beko në atë që më ke dhënë dhe më ruaj nga e keqja e asaj që ke caktuar. Vërtet Ti gjykon e nuk gjykohesh. Nuk poshtërohet ai që Ti e merr për mik dhe nuk lartësohet ai që Ti e armiqëson. I bekuar je, o Zoti ynë, dhe i lartësuar.

Burimet

  • Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
  • Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë