Pastërtia dhe Namazi
Kohët dhe vendet e ndaluara për namaz
Kohët kur ndalohet namazi vullnetar dhe vendet ku është e ndaluar të falet namazi.
Kohët kur ndalohet falja e namazit
Profeti (alejhissalatu uesselam) në disa hadithe të sakta na ka treguar se gjatë ditës janë disa kohë në të cilat është e ndaluar të falet namaz. Bëhet fjalë për namazet vullnetare, ndërsa namazet që kanë shkak të dukshëm — siç janë namazet kaza, sunetet e përshëndetjes së xhamisë etj. — lejohet të falen edhe në këto kohë.
Kohët e ndaluara janë:
- Që nga falja e namazit të sabahut deri në lindjen e Diellit.
- Nga fillimi i lindjes së Diellit deri në ngritjen e tij në qiell sa një heshtë.
- Kur Dielli shkon në zenit (në kupë të qiellit).
- Që nga falja e namazit të ikindisë deri në perëndim të Diellit.
- Nga fillimi i perëndimit të Diellit deri në perëndimin e plotë të tij.
Shënim: Kur muslimani gjendet brenda territorit të xhamisë së shenjtë, Qabesë në Mekë, e ka të lejuar të falë çfarëdo namazi në çdo kohë të ditës dhe të natës.
Vendet ku është e ndaluar të falet namazi
- Varrezat. Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka ndaluar namazin mes varreve, si dhe namazin në drejtim të tyre.
- Vendi ku hidhen plehrat dhe mbeturinat.
- Thertoret ku theren kafshët.
- Banjat publike (përfshi vendet ku kryhen nevojat personale).
- Stallat e deveve.
- Mesi i rrugës apo udhëkryqet ku vërshojnë njerëzit.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë