Pastërtia dhe Namazi
Namazi i dy Bajrameve
Namazi i Fitër dhe Kurban Bajramit, zekati i fitrit, kurbani dhe tekbiret e Bajramit.
Festat fetare vjetore të muslimanëve janë dy: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami. Me këto dy festa muslimani falënderon dhe madhëron Allahun e Lartësuar, si dhe manifeston gëzimin e tij për kryerjen me sukses të dy adhurimeve madhështore: agjërimin e Ramazanit dhe kryerjen e haxhit.
Namazi i Bajramit është sunet për meshkujt dhe për femrat. Sipas traditës profetike, muslimanët dalin për faljen e Bajramit në shesh, ose siç njihet ndryshe me termin "namazgjah" (në arabisht: musal-la). Në pamundësi të faljes në musal-la, namazi i Bajramit falet në xhamitë ekzistuese, duke mbushur fillimisht më të mëdhatë. Është e pëlqyeshme që në shesh të jenë të pranishëm fëmijët, pleqtë dhe gratë, madje edhe ato me menstruacione, të cilat qëndrojnë në një kënd të namazgjasë dhe nuk përzihen me femrat e tjera që falin namazin.
Koha e faljes së namazit të Bajramit është 30-40 minuta pas lindjes së Diellit. Namazi i Bajramit përbëhet nga dy rekate, të cilat falen pa kënduar ezanin dhe as ikametin. Nuk ka sunete para dhe pas tij, ndërsa Kurani këndohet me zë. Në rekatin e parë, ndërmjet tekbirit fillestar dhe këndimit të Kuranit, bëhen shtatë tekbire, kurse në rekatin e dytë, në të njëjtin pozicion, bëhen pesë tekbire. Kjo vlen për të dy Bajramet.
Pas kryerjes së namazit, imami mban hutben e Bajramit, e cila ndahet në dy pjesë si hutbeja e xhumasë. Gjatë saj madhërohet Allahu me tekbire, falënderohet dhe lavdërohet, e më pas u jepet këshillë besimtarëve sipas rastit.
Sunetet dhe mustehabet e ditës së Bajramit janë të njëjtat me ato të ditës së xhumasë, përveç dy rekateve të hyrjes në xhami, të cilat nuk falen kur dilet në shesh. Përveç kësaj, është e pëlqyeshme të hahet diçka përpara se të dilet nga shtëpia për në faljen e Fitër Bajramit, për të treguar se ajo nuk është më ditë agjërimi. Gjithashtu, është e pëlqyeshme që muslimani të shkojë në faljen e Bajramit nga një rrugë dhe të kthehet nga një tjetër.
Zekati i fitrit
Zekati i fitrit është një lëmoshë e cila jepet zakonisht në fund të muajit Ramazan e deri para namazit të Bajramit. Nëse jepet pas namazit të Bajramit, atëherë nuk konsiderohet më zekat fitr, por lëmoshë e zakonshme.
Zekati i fitrit jepet për të shprehur falënderimin ndaj Allahut, për t'u pastruar nga të metat e shfaqura gjatë Ramazanit dhe për t'u garantuar të varfërve ushqimin e asaj dite, në mënyrë që të mos lypin të paktën për ditën e Bajramit.
Zekati i fitrit është një lëmoshë që e ka detyrë çdo musliman, mashkull ose femër, rob ose i lirë, të çfarëdo moshe qoftë. Madje është detyrë të jepet edhe për fëmijën e sapolindur. Sasia e tij është një sa' për çdo frymë, e barabartë me katër grushte të një burri normal të mbushura me drithë. Përveç drithërave mund të jepen të gjitha zahiretë ose tëmotjet që janë ushqim bazë në vendet ku muslimanët jetojnë, siç janë: fasulet, bathët, rrushi dhe hurmat e thata etj. Në rastet kur drithërat dhe zahiretë nuk janë aq të nevojshme, lejohet të jepet zekati i fitrit në vlerë monetare.
Kurbani dhe rregullat e tij
Ndryshe nga Fitër Bajrami, që pason mbylljen e Ramazanit dhe dhënien e zekatit të fitrit, Bajrami i dytë përkon me kohën kur kryhen ritet e haxhit dhe shoqërohet me therjen e Kurbanit. Kurban do të thotë të therësh një kafshë të caktuar, sipas disa rregullave, për hir të Allahut të Madhërishëm.
Me Kurbanin e Bajramit manifestohet qartë falënderimi dhe madhërimi i Allahut, si dhe mëshira, solidariteti, përulësia dhe sinqeriteti i besimtarëve. Kurbani është një ringjallje e rrugës së pastër që ndoqi babai i profetëve, Ibrahimi (alejhis selam), i cili ishte i gatshëm të flijonte birin e tij, Ismailin, për të çuar në vend urdhrin e Allahut. Pasi Allahu ia zëvendësoi flijimin e djalit me një kurban të madh, kujtimi i këtij gjesti mbeti një shembull i mirë për brezat e mëvonshëm.
Therja e kurbanit në ditën e Kurban Bajramit është sunet i fortë (sunet muekkedeh). Për ta zbatuar sa më mirë këtë rit duhen ndjekur këto rregulla:
- Kur të hyjë hëna e re e Dhul-Hixhes, personi që ka vendosur të bëjë kurban nuk duhet të presë thonjtë ose të heqë a shkurtojë qimet kudo qofshin në trupin e tij, deri në prerjen e kurbanit.
- Nuk duhet që kafsha e veçuar për kurban të qethet, sepse leshi i saj është pjesë e kafshës që është destinuar për këtë adhurim. Qumështi i saj duhet të milet, sepse është në dobi të njerëzve dhe mund t'i sjellë dëm kafshës.
- Kafsha e kurbanit duhet të jetë e majme dhe jo në moshë të vogël. Lopa duhet të ketë plotësuar dy vjet, dhia duhet të ketë mbushur vitin, kurse delja së paku të ketë gjashtë muaj.
- Lopa vlen për shtatë persona, ndërsa delja dhe dhia për një person (familjarët e tij nuk futen në numërim — një dele mjafton si kurban për të gjithë pjesëtarët e familjes).
- Kafsha duhet të jetë e shëndoshë fizikisht dhe pa të meta të dukshme: të mos jetë e sëmurë, e verbër ose e çalë; të mos jetë me veshë të prerë ose të shqyer, me bisht të këputur, apo me brirë të thyer. Të metat e vogla janë të tolerueshme.
- Në qoftë se kafsha, pasi është veçuar për kurban, bëhet me ndonjë të metë, kjo nuk prish punë.
- Kurbani theret pas namazit të Bajramit dhe nuk është i vlefshëm nëse theret para namazit. Për këtë Profeti (alejhissalatu uesselam), kur pa se Ebu Burde kishte therur kurbanin para namazit, e urdhëroi të bënte një kurban tjetër. Transmetoi Buhariu.
- Koha e kurbanit fillon pas namazit të Bajramit dhe vazhdon deri në ditën e katërt, para se të perëndojë dielli. Këto ditë quhen ditët e teshrikut.
- Është e pëlqyeshme që çdo njeri ta therë vetë kurbanin e tij; nëse nuk di ose nuk ka mundësi, mund t'ia lërë dikujt tjetër.
- Kurbani theret me emrin e Allahut: gjatë therjes thuhet "Bismil-lah" dhe është e pëlqyeshme të shtohet "Allahu ekber", ose të thotë: "Bismil-lah, o Zot, pranoje këtë kurban nga filani dhe familja e tij!"
- Nuk lejohet që kasapit t'i jepet si hak pune lëkura e kurbanit ose diçka prej tij, por mund të shpërblehet në formë tjetër. Lëkura dhe mishi mund të dhurohen, por jo të shiten.
- Lejohet që gruaja e pasur të presë kurban nga pasuria e saj dhe t'ia japë mishin si sadaka burrit dhe fëmijëve, kur këta nuk janë në gjendje ta bëjnë vetë.
Dijetarë të ndryshëm kanë këshilluar që mishi i kurbanit të ndahet në tri pjesë: një pjesë për vete, një pjesë sadaka dhe një pjesë dhuratë, pasi Allahu në Kuran thotë: "Hani prej mishit të tyre dhe ushqeni atë që lyp dhe atë që nuk lyp!" (El-Haxh, 36). Përveç këtyre rregullave, muslimanët duhet të kenë kujdes e mëshirë ndaj kafshës. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kur të therni, bëjeni atë në mënyrën më të mirë, mprehni tehun e thikës dhe rehatojeni kafshën në therje!" Transmetoi Muslimi.
Tekbiret e Kurbanit
Në ditën e Kurban Bajramit nuk duhen harruar tekbiret e shumta, që bëhen gjatë gjithë ditës dhe vazhdojnë në tri ditët e teshrikut, sepse në këto ditë festimi gjëja më parësore është madhërimi i Allahut. Imam Buhariu përcjell se Ibn Umeri bënte tekbire gjatë qëndrimit në çadrën e tij në Mina, dhe kur besimtarët i dëgjonin, fillonin edhe ata, saqë e gjithë Minaja ushtonte nga tekbiret.
Forma më e njohur në vendin tonë është ajo e Umerit dhe Ibn Mes'udit:
اللَّهُ أَكْبَرُ اللَّهُ أَكْبَرُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ. وَاللَّهُ أَكْبَرُ اللَّهُ أَكْبَرُ وَلِلَّهِ الْحَمْدُ
Allahu ekber, Allahu ekber. La ilahe il-lall-llahu uall-llahu ekber. Allahu ekber ue lil-lahil-hamd.
Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut. Allahu është më i madhi, Allahu është më i madhi dhe Allahut i takon falënderimi.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë