Pastërtia dhe Namazi
Namazi i Xhenazes
Përgatitja e xhenazes, larja, qefinosja, namazi me katër tekbire, duatë dhe varrosja.
Përgatitja e xhenazes
Përpara se të flasim mbi namazin e xhenazes, le të sqarojmë disa gjëra të rëndësishme që lidhen me të vdekurin dhe përgatitjen e xhenazes. Sapo njeriu të vdesë, duhet t'i mbyllen sytë, sepse shikimi ndjek shpirtin që del dhe sytë mbeten hapur. Është e pëlqyeshme që ai të mbulohet fillimisht dhe të shpejtohet përgatitja e xhenazes. Nëse është e mundur, duhen shlyer borxhet e tij sa më shpejt dhe të kryhen amanetet që ka lënë.
Është detyrë që trupi i të vdekurit të lahet dhe të qefinoset. Është e pëlqyeshme që xhenazen ta lajë njëri nga të afërmit e tij; po ashtu, mundet burri të lajë gruan e tij, ose gruaja burrin. Larësi nuk duhet të shikojë pjesët e turpshme të të vdekurit dhe duhet të jetë i kujdesshëm që uji të përshkojë të gjithë trupin. Le të veshë dorashka ose ta mbështjellë dorën me leckë kur të fërkojë trupin. Gjatë larjes mund të përdoret sapuni ose shampoja. Larja bëhet si në formën e guslit për së gjalli: fillimisht i jepet abdes, pastaj lahet i gjithë trupi, fillimisht ana e djathtë e pastaj e majta; goja dhe hundët nuk shpëlahen përbrenda. Bashkë me larjen, është sunet që i vdekuri të parfumoset dhe të qefinoset me pëlhurë të bardhë. Mashkulli mbulohet me tri copa pëlhure, ndërsa femra me pesë copa, të cilat mbështillen mirë rreth trupit.
Namazi i Xhenazes
Namazi i xhenazes është farz kifaje dhe është detyrë të merret abdes sikurse në namazet e tjera. Namazi i xhenazes së shehidit (dëshmorit) dhe i fëmijës para moshës madhore nuk është detyrë. Shehidi varroset me rrobat me të cilat ka vdekur dhe xhenazja mund t'i falet ose jo; ndërsa fëmija qefinoset, i falet xhenazja, pastaj varroset si të tjerët.
Namazi i xhenazes nuk ka sexhde dhe as ruku, por vetëm qëndrim në këmbë. Pas rreshtimit të radhëve përpara xhenazes, imami bën katër tekbire, duke ngritur duart vetëm në tekbirin e parë. Nëse i vdekuri është mashkull, imami qëndron pranë kokës së tij; nëse është femër, imami qëndron në mes të xhenazes.
- Pas tekbirit të parë lidhet dora e djathtë sipër të majtës dhe këndohet sureja el-Fatiha (farz, sikurse në namazet ditore). Çdo njeri e këndon Fatihanë vetë.
- Pas tekbirit të dytë këndohen salavatet:
اللَّهُمَّ صَلِّ عَلَى مُحَمَّدٍ وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ، كَمَا صَلَّيْتَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ وَعَلَى آلِ إِبْرَاهِيمَ، إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيد
All-llahumme sal-li ala Muhammedin ue ala ali Muhammedin kema sal-lejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime inneke hamidun mexhid. Ue barik ala Muhammedin ue ala ali Muhammedin kema barekte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime inneke hamidun mexhid.
O Zot! Mëshiroje dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç mëshirove dhe bekove Ibrahimin dhe familjen e tij! Vërtet Ti je i Falënderuar dhe i Lavdëruar. Gjithashtu, begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç begatove Ibrahimin dhe familjen e tij! Vërtet Ti je i Falënderuar dhe i Lavdëruar.
- Pas tekbirit të tretë bëhet lutje (dua) për të vdekurin.
- Pas tekbirit të katërt jepet selam në të dyja krahët (mund të bëhet dua edhe ndërmjet tekbirit të katërt dhe selamit).
Duaja e Xhenazes
Profeti (alejhissalatu uesselam) pas tekbirit të tretë ka kënduar lutje të ndryshme. Ja disa prej më kryesoreve:
Allahummegfir lehu uerhamhu ue afihi va'fu anhu ue ekrim nuzulehu uagsilhu bil-mai ueththelxhi uel-beredi, ue nekkihi minel-khataja kema nekkajteththeubel-ebjeda mineddenesi, ue ebdilhu darren khajren min darihi, ue ehlen khajren min ehlihi, ue zeuxhen khajren min zeuxhihi, ue edkhilhul-xhennete, ue eidh'hu min adhabil-kabri ue min adhabinnari.
O Allah! Fale dhe mëshiroje atë! Nderoje në vendin ku do të shkojë dhe zgjeroje varrin e tij. Pastroje nga mëkatet me ujë, borë dhe breshër, ashtu siç pastrohet rroba e bardhë nga papastërtitë. Shtëpinë e tij zëvendësoja me një më të mirë, familjen dhe gruan gjithashtu me të mira. Fute atë në Xhenet dhe ruaje nga dënimi i varrit dhe nga dënimi i zjarrit.
All-llahummegfir lihajjina ue mejjitina ue sagirina ue kebirina ue shahidina ue gaibina. All-llahumme men ahjejtehu minna feahjihi alel-islam, ue men teveffejtehu minna feteveffehu alel-iman. All-llahumme la tahrimna exhrehu ue la teftinna ba'dehu vagfir lena ue lehu.
O Allah! Fali të gjallët dhe të vdekurit tanë, të vegjëlit dhe të moshuarit tanë, meshkujt dhe femrat tona, ata që janë prezent dhe ata që mungojnë! O Allah! Këdo që e ringjall prej nesh, ringjalle në Islam, dhe këdo që e vdes prej nesh, bëje të vdesë me besim! O Allah! Mos na privo nga shpërblimi i tij dhe mos na sprovo pas tij! Na fal neve bashkë me të!
All-llahumme inne (filanin, birin e filanit) fi dhimmetike ue habli xhivarike, fekihi fitnetel-kabri ue adhabinnari, ue ente ehlul-vefai uel-hamdi. All-llahumme fagfir lehu uerhamhu inneke entel-gafururr-rrahimu.
O Allah! Vërtet filani, biri i filanit, tashmë është në mbrojtjen dhe fqinjësinë Tënde. Ruaje nga sprova e varrit dhe nga dënimi i zjarrit. Ti e mban premtimin dhe Ty të takojnë të gjitha falënderimet. O Allah! Fale dhe mëshiroje atë, vërtet Ti je Falës dhe Mëshirues i madh.
Në vend të fjalëve në kllapa përmendet emri i të vdekurit dhe i babait të tij.
Është e pëlqyeshme që të mblidhen të paktën 40 vetë për të falur namazin e xhenazes dhe mundësisht të ndahen së paku në tre reshta. Profeti (alejhissalatu uesselam) na ka treguar se me këtë numër dhe formë Allahu ua pranon ndërmjetësimin besimtarëve dhe ia fal gjynahet të vdekurit. Namazi i xhenazes mund të falet edhe pasi i vdekuri të jetë varrosur, si dhe në mungesë, për atë njeri që ka vdekur larg. Profeti (alejhissalatu uesselam) na ka ndaluar të falim namazin e xhenazes në tre kohë: gjatë lindjes së Diellit, kur Dielli është në kupë të qiellit dhe kur është duke perënduar. Transmetoi Muslimi.
Varrosja
Pas faljes së xhenazes është sunet të shpejtohet bartja e saj. Xhenazja mbahet mbi supe dhe është e pëlqyeshme të shpejtohet drejt varrezave; nëse varret janë larg, mund të përdoret automjet. Gratë e kanë të ndaluar përcjelljen e xhenazes, ndërkohë e kanë të lejuar t'i vizitojnë varret më pas. Si në përcjelljen e xhenazes, ashtu edhe në vizitën e varreve, është ndaluar rreptë bërtitja dhe kuja, shqyerja e teshave dhe përdorimi i fjalëve që bien ndesh me etikën dhe besimin islam.
Gjatë përcjelljes së xhenazes nuk duhet ngritur zëri, qoftë edhe me dhikr ose këndim Kurani. Është e pëlqyeshme të flitet mirë për të vdekurin dhe të kujtohen veprat e tij të mira.
Gropa e varrit duhet të jetë e thellë dhe e gjerë. Është sunet të zbatohet praktika e lahdit: hapja e gropës së varrit, pastaj e një hapësire tjetër më të ngushtë poshtë, në anën e kibles, ku futet i vdekuri në krahun e tij të djathtë drejtuar nga kibla. Gjatë futjes së të vdekurit është e pëlqyeshme të thuhet: "Bismil-lah ue ala mil-leti resulil-lah." Pas mbulimit me dhé është e pëlqyeshme të bëhet lutje nga secili. Profeti (alejhissalatu uesselam) thoshte: "Lutuni për vëllain tuaj, sepse ai tashmë do të pyetet!"
Pas mbushjes së varrit me dhé është e pëlqyeshme të ngrihet sipër tij një pëllëmbë me grumbull dheu. Është e ndaluar të ndërtohet sipër varrit ashtu siç bëjnë jomuslimanët. Po ashtu, varret e muslimanëve duhet të jenë të ndara nga varret e komuniteteve të tjera.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë