Pastërtia dhe Namazi

Namazi i istihares

Namazi dhe duaja e istihares: si kërkohet nga Allahu udhëzimi kur merr një vendim.

Namazi i istihares është një namaz i veçantë që njeriu e fal kur kërkon t'i hyjë një veprimi ose pune, pa ditur nëse do të jetë e dobishme apo jo për të. Në këtë rast merret abdes, falen dy rekate namaz dhe pas selamit bëhet duaja e istihares, pra lutja ku i kërkohet Zotit ta udhëzojë njeriun tek ajo që është më e mirë për të.

Nga Xhabir ibn Abdil-lah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) shënohet të ketë thënë: "I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) na e mësonte istiharen për të gjitha çështjet tona, ashtu siç na mësonte suret e Kuranit, dhe thoshte: 'Kur ndonjëri prej jush vendos të bëjë diçka, le të falë dy rekate namaz, jo namaze farze, pastaj të thotë duke u lutur: O Allah! Unë kërkoj ndihmë në dijen dhe fuqinë Tënde që të më japësh më të mirën, dhe të lutem të më dhurosh prej mirësisë Tënde të madhe, sepse Ti ke fuqi e jo unë, Ti ke dije e jo unë, Ti di çdo të fshehtë. O Allah! Nëse në dijen Tënde kjo punë është e mirë për mua, për fenë time, jetën dhe përfundimin tim, atëherë bëje pjesë të caktimit tim, ma lehtëso dhe bekoje! E nëse në dijen Tënde kjo punë është e keqe për mua, për fenë time, jetën dhe përfundimin tim, atëherë më largo prej saj dhe largoje atë prej meje! Më cakto atë që është më e mira, kudo qoftë, dhe më bëj mua të jem i kënaqur me të!'" Transmetoi Buhariu. Pastaj Profeti (alejhissalatu uesselam) tha: "Pas kësaj lutjeje përmend edhe hallin që ka."

Pas duasë së istihares nuk duhet pritur ndonjë shenjë e menjëhershme, si p.sh. nëpërmjet ëndrrave, por njeriu duhet të shikojë në të ardhmen, në ditët e javët në vazhdim, lehtësimin ose vështirësimin e punëve që lidhen me çështjen e tij. Nëpërmjet kësaj njeriu dallon se çfarë ka caktuar Allahu për të.

Duaja e istihares

اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْتَخِيرُكَ بِعِلْمِكَ وَأَسْتَقْدِرُكَ بِقُدْرَتِكَ وَأَسْأَلُكَ مِنْ فَضْلِكَ الْعَظِيمِ، فَإِنَّكَ تَقْدِرُ وَلَا أَقْدِرُ وَتَعْلَمُ وَلَا أَعْلَمُ وَأَنْتَ عَلَّامُ الْغُيُوبِ

All-llahumme inni estehiruke bi-ilmike ue estakdiruke bikudretike ue es'eluke min fadlikel-adhim, feinneke takdiru ue la akdir ue ta'lemu ue la a'lemu ue ente al-lamul gujub. All-llahumme in kunte ta'lemu enne hadhel-emre hajrun li fi dini ue meashi ue akibeti emri fakdurhu li ue jessirhu li thumme barik li fihi. Ue in kunte ta'lemu enne hadhel-emre sherr-rrun li fi dini ue meashi ue akibeti emri fasrifhu anni vasrifni anhu vakdur lijel-hajre hajthu kane thumme erdini bihi.

O Allah! Unë kërkoj ndihmë në dijen dhe fuqinë Tënde që të më japësh më të mirën. Ti ke fuqi e jo unë, Ti ke dije e jo unë, Ti di çdo të fshehtë. O Allah! Nëse kjo punë është e mirë për fenë, jetën dhe përfundimin tim, ma cakto, ma lehtëso dhe bekoje; e nëse është e keqe për mua, largoje prej meje dhe më largo prej saj, dhe më cakto të mirën kudo qoftë e më bëj të kënaqur me të.

Burimet

  • Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
  • Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë