Pastërtia dhe Namazi
Namazi i Teravive
Namazi i teravive në Ramazan: vlera, numri i rekateve dhe mënyra e faljes me xhemat.
Namazi i teravive nuk ka dallim nga namazi i natës si strukturë, përveç faktit se ai falet në muajin e Ramazanit me xhemat. Fjala "teravi" është shumësi i fjalës "tervihatun", e cila rrjedh nga fjala "rahatun" që do të thotë pushim, çlodhje. Është quajtur kështu ngaqë muslimanët e gjeneratës së parë, kur falnin namazin e teravive, pushonin pas çdo dy selamesh, pra pas çdo katër rekatesh. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se për vlerën e këtij namazi Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kush ngrihet për të falur në Ramazan (teravitë) me besim të plotë dhe duke pritur shpërblim nga Allahu, atij do t'i falen gjynahet e mëparshme."
Namazi i teravive është sunet për burra dhe për gra. Ai falet pas namazit të jacisë dhe para namazit të vitrit, në xhami dhe me xhemat, por mund të falet edhe në shtëpi, vetëm. Suneti është të falen tetë rekate, duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh. Aishja (radijallahu anha) thotë: "Profeti (alejhissalatu uesselam) nuk ka falur më shumë se njëmbëdhjetë rekate në Ramazan dhe as jashtë Ramazanit." Transmetoi Buhariu. Pra, tetë rekate teravi dhe tre rekate namaz vitër.
Dijetarët e mëdhenj të umetit islam, siç janë juristët e shkollave të njohura juridike islame, janë të mendimit se namazi i teravive mund të falet edhe më shumë se tetë rekate, pasi diçka e tillë ka qenë e njohur te tabiinët (pasuesit e sahabëve), të cilët i kanë falur teravitë dikush 20 rekate, dikush 36, dikush më shumë e dikush më pak. Kjo është edhe në varësi të këndimit të Kuranit, ku përcaktohet të këndohet gjatë apo shkurt. Prej traditës profetike është që namazi i teravive të falet dy e nga dy, d.m.th. të jepet selam çdo dy rekate.
Është e pëlqyeshme që në namazin e teravive të merren edhe fëmijët të cilët kanë mbushur moshën shtatë vjeç, që ta praktikojnë këtë namaz me xhemat në muajin e Ramazanit dhe që të marrin pjesë në mbarësinë dhe mirësinë që Allahu i Lartësuar zbret në këtë muaj.
Duhet pasur kujdes që namazi i teravive të falet i rregullt, duke qëndruar më gjatë në ruku dhe sexhde. Po ashtu, edhe këndimi i Kuranit të jetë i qetë dhe të tregohet devotshmëri. Është bërë zakon në shumë xhami që namazi i teravive të falet shpejt, duke nxituar tepër në këndimin e Kuranit dhe duke mos u dhënë rukusë e sexhdes qetësinë që u takon, e cila është një nga kushtet e pranimit të namazit.
Burimet
- Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
- Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë