Pastërtia dhe Namazi

Pastërtia

Tahareti real dhe ritual: abdesi, gusli, mes’hi mbi meste, tejemumi, hajdi, nifasi dhe istihada.

Taharet quajmë pastrimin e trupit ose gjymtyrëve të tij. Tahareti ndahet në dy pjesë: taharet real dhe taharet ritual.

Taharet real quajmë pastrimin e trupit nga papastërtitë e dukshme, si: nevoja personale, urina, gjaku etj.

Taharet ritual quajmë pastrimin e trupit para se të kryejmë një adhurim. Kjo do të thotë se pastrimi real nuk mjafton për të bërë adhurime të ndryshme siç është namazi, nëse nuk shoqërohet me pastrimin ritual. Pastrimi ritual përfshin abdesin, guslin (larjen e plotë të trupit) dhe tejemumin (pastrimin simbolik me dhé), i cili zëvendëson dy të parat në raste të veçanta.

Papastërtia jo reale quhet hadeth. Me fjalën hadeth kuptojmë gjendjen që e pengon njeriun të kryejë adhurime të caktuara. Hadethi është dy llojesh: i vogël dhe i madh. Hadethi i vogël largohet nëpërmjet abdesit, ndërsa hadethi i madh largohet nëpërmjet guslit.

Mjeti që shërben për të larguar dy llojet e hadethit (nëpërmjet abdesit dhe guslit) është uji i pastër. Uji i pastër që shërben për pastrim është uji i zakonshëm: uji i shiut, i borës, i breshërit, i pusit, i burimit, i detit dhe i lumit.

Uji që është i papastër dhe nuk shërben për largimin e hadethit është tre llojesh:

  • Uji i pakët i mbledhur në një vend ku ka rënë ndonjë papastërti. Këtu nuk është kusht të vëresh ndotjen e ujit nga papastërtia, por mjafton që në të ka rënë ndonjë papastërti.
  • Uji i shumtë dhe i bollshëm që është ndotur nga papastërti të ndryshme. Ndotjen e ujit të bollshëm e vërejmë me ndryshimin e erës, shijes ose ngjyrës së tij për shkak të papastërtisë.
  • Uji i tjetërsuar, i cili ka dalë nga gjendja e tij e zakonshme pasi në të ka dominuar një përbërje tjetër, si: sapuni, shampoja, yndyra, vajrat etj. Ky lloj uji mund të jetë i pastër në vetvete, mirëpo nuk shërben për të pastruar trupin nga hadethi.

Abdesi

Abdes quajmë pastrimin ritual të disa prej gjymtyrëve të trupit, me anë të ujit të pastër. Argumenti që tregon se abdesi është prej kushteve të namazit është ajeti kuranor ku Allahu i Madhëruar thotë: "O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje." (El-Maide, 6). Kurse i Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Allahu nuk e pranon namazin e asnjërit prej jush kur ai është i papastër (me hadeth), derisa të marrë abdes." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.

Forma e abdesit në detaje, ashtu siç na ka treguar Profeti (alejhissalatu uesselam), është:

  1. Bërja e nijetit (njeriu vendos me zemër dhe shquan veprimin që është duke bërë).
  2. Përmendja e Allahut duke thënë: Bismil-lah.
  3. Larja e duarve deri te kyçet tri herë, duke fërkuar mirë hapësirat mes gishtave.
  4. Shpëlarja e gojës dhe e hundës tri herë.
  5. Larja e fytyrës tri herë. Vertikalisht fytyra fillon nga vendi ku dalin flokët deri nën mjekër, kurse horizontalisht kufiri është deri te veshët.
  6. Larja e parakrahëve bashkë me bërrylat tri herë.
  7. Dhënia mes'h kokës (fshirja e saj me duar të lagura) vetëm një herë. Mes'hi jepet me të dyja duart, duke filluar nga pjesa e përparme deri afër qafës, pastaj duke i kthyer duart në pjesën e përparme nga ku filloi.
  8. Dhënia mes'h veshëve nga brenda dhe nga jashtë një herë. Për veshët nuk merret ujë i ri, por mjaftojnë duart e lagura me të cilat iu dha mes'h kokës.
  9. Larja e këmbëve deri te nyjet tri herë, duke fërkuar mirë hapësirat mes gishtave.
  10. Ruajtja e radhitjes së abdesit.
  11. Fillimi me të djathtën para së majtës në larjen e duarve dhe këmbëve.
  12. Kryerja e abdesit brenda kohës së vet, pa pasur shkëputje kohe në larjen e gjymtyrëve.

Përveç kësaj, prej sunetit të Profetit është që abdesi të merret duke i fërkuar gjymtyrët, por pa shpërdoruar ujë, dhe në fund të shqiptohet njëra nga këto tri lutje, ose të trija:

اَشْهَدُ اَنْ لاَ اِلهَ اِلاَّ اللهُ وَحْدَهُ لاَ شَرِيكَ لَهُ، وَاَشْهَدُ اَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ

Esh'hedu en la ilahe il-lall-llahu uahdehu la sherike leh, ue esh'hedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, i vetëm e i pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

اَللّهُمَّ اجْعَلْنِي مِنَ التَّوَّابِينَ وَاجْعَلْنِي مِنَ الْمُتَطَهِّرِينَ

Allahummexh'alni minet-tevvabine uexh'alni minel-mutetahhirine.

O Allah! Më bëj mua njërin prej të penduarve dhe prej atyre që pastrohen.

سُبْحَانَكَ اللّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ، اَشْهَدُ اَنْ لاَ اِلهَ اِلاَّ اَنْتَ، اَسْتَغْفِرُكَ وَاَتُوبُ اِلَيْكَ

Subhanekell-llahumme ue bihamdike, esh'hedu en la ilahe il-la ente, estagfiruke ue etubu ilejke.

Lavdia dhe falënderimi të takojnë Ty, o Allah, që je pa të meta. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje. Ty të kërkoj falje dhe tek Ti pendohem.

Pas marrjes së abdesit dhe recitimit të lutjeve është e pëlqyeshme të falen dy rekate namaz, qoftë në shtëpi ose në xhami.

Çfarë e prish abdesin:

  • Jashtëqitja.
  • Urina.
  • Dalja e gazrave.
  • Dalja e spermës.
  • Dalja e medhjit. Medhji (spermatorea) është sekrecion i tejdukshëm dhe i hollë që del zakonisht nga eksitimi seksual.
  • Dalja e vedjit. Vedji është sekrecion i prostatës, i bardhë dhe disi i trashë, që del në mënyrë të pavetëdijshme bashkë me urinën ose pas saj.

Prej dobive të abdesit është se ai të pastron fizikisht, shpirtërisht dhe moralisht dhe të afron më shumë me Zotin. Abdesi gjallëron trupin dhe aktivizon më shumë njeriun, pasi kryhet disa herë në ditë. Mbi të gjitha, abdesi shlyen mëkatet e vogla. Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kush merr abdes në mënyrën më të mirë, mëkatet do t'i dalin prej trupit, deri edhe prej thonjve të tij." Transmetoi Muslimi.

Gusli

Gusli është lloji tjetër i pastrimit ritual. Gusël quajmë larjen me ujë të gjithë trupit, sipas një forme të caktuar. Gjërat që e bëjnë guslin vaxhib (obligim) janë:

  • Marrëdhëniet seksuale, edhe nëse nuk del spermë.
  • Dalja e spermës nëpërmjet masturbimit ose gjumit. Kjo vlen edhe për femrën.
  • Vdekja — kur njeriu vdes, është detyrë t'i jepet gusël.
  • Hajdi (shfaqja e menstruacioneve te femrat).
  • Nifasi (rrjedhja e gjakut të lehonisë).

Në dy rastet e para (marrëdhëniet seksuale ose dalja e spermës me masturbim a gjumë) njeriu quhet xhunub. Xhunubi (qoftë mashkull ose femër) e ka të ndaluar të veprojë disa gjëra që do të përmenden pas shpjegimit të tejemumit.

Forma e guslit në detaje, ashtu siç na tregohet nga Profeti (alejhissalatu uesselam), është:

  1. Bërja e nijetit. Nëse gusli merret jo me qëllim pastrimi nga xhunubllëku, ai nuk konsiderohet pastrim ritual dhe njeriu nuk mund të falë namaz.
  2. Përmendja e Allahut duke thënë: Bismil-lah.
  3. Heqja e papastërtive dhe larja e organeve gjenitale.
  4. Marrja e abdesit fillimisht në formë të plotë, përveç këmbëve.
  5. Hedhja e ujit tri herë mbi kokë derisa të depërtojë në rrënjët e flokëve.
  6. Larja e të gjithë trupit duke e fërkuar me dorë dhe duke përshkuar ujin në çdo pjesë të tij.
  7. Larja e krahut të djathtë të trupit para të majtës.
  8. Dalja nga vendi i larjes dhe larja e këmbëve.

Gusli është sunet ose mustehab të merret në këto raste: për namazin e xhumasë; për namazet e dy Bajrameve; për namazin e lutjes për shi; për namazin e eklipsit të Diellit ose të Hënës; pas larjes së xhenazes; me rastin e hyrjes së jobesimtarit në Islam; me rastin e veshjes së ihramit; me rastin e hyrjes në Mekë; për qëndrimin në Arafat; për qëndrimin në Muzdelife; për hedhjen e guralecëve në Akabe; me rastin e ecjes mes dy kodrave Safa dhe Merve; dhe me rastin e futjes në Medinë pas kryerjes së haxhit.

Shënim: Gusli është i njëjtë edhe për femrën, përveç rastit të gërshetave të saj, të cilat nuk e ka detyrë (vaxhib) t'i zgjidhë — mjafton që uji të përshkojë rrënjët e flokëve.

Hajdi

Hajd quhet rrjedhja e gjakut të menstruacioneve te femrat. Gjaku i hajdit dallon nga gjaku i zakonshëm, sepse është në ngjyrë të turbullt dhe në disa raste mund të jetë edhe si në të verdhë. Nuk ka ndonjë kohë të caktuar për minimumin ose maksimumin e kohëzgjatjes së hajdit. Çdo femër ka ciklin e vet mujor dhe ditët e saj të caktuara. Në rastet kur një femër i ka menstruacionet e çrregullta, ajo e dallon gjakun e hajdit nga gjaku i zakonshëm në bazë të cilësisë së tij.

Nifasi

Nifas quhet rrjedhja e gjakut te femrat për shkak të lehonisë, pavarësisht nëse fëmija lind i gjallë apo i vdekur. Bashkë me lindjen fillon cikli i lehonisë. Maksimumi i këtij cikli zgjat 40 ditë. Nëse femra sheh se gjaku i nifasit ndërpritet para se të plotësohen 40 ditë, atëherë ajo duhet të marrë gusël dhe të fillojë të falë namazin.

Istihada

Çdo gjak që rrjedh nga femrat pas ciklit të hajdit dhe nifasit quhet istihada. Gjaku i istihadas konsiderohet gjak i zakonshëm. Nëse femra me hajd plotëson ditët e saj të menstruacioneve, ajo merr gusël që të pastrohet nga hajdi. Nëse shikon që prej saj rrjedh sërish gjak, atëherë ky gjak konsiderohet istihada dhe nuk e ka detyrë të marrë gusël. Ajo duhet të pastrojë vetëm vendin ku ka rrjedhur gjaku, merr abdes dhe fal namazin rregullisht. Të njëjtën gjë bën edhe femra që pastrohet nga gjaku i nifasit.

Mes'hi mbi meste ose çorape

Meste quhen çorapet e trasha prej lëkure që mbathen në këmbë ashtu si çorapet e zakonshme. Nëse mestet ose çorapet e zakonshme janë mbathur pasi është marrë më parë abdesi, atëherë lejohet që në abdesin tjetër, pas hadethit, t'u jepet atyre mes'h me dorë të lagur në pjesën e sipërme të tyre dhe jo nga poshtë.

Kushtet e mes'hit mbi meste ose çorape janë:

  • Mestet ose çorapet të jenë të pastra.
  • Të jenë mbathur në gjendje abdesi dhe jo hadethi.
  • Si mestet ashtu dhe çorapet të mbulojnë pjesën e këmbës që është detyrë të lahet gjatë abdesit, përfshi edhe nyjet e këmbës.
  • Të mos jenë të grisura deri në atë masë sa të mos quhen më çorape.
  • Të mos përçojnë ujin në këmbë gjatë mes'hit. Nuk lejohet t'u jepet mes'h çorapeve të holla që qullen dhe e përshkojnë ujin në këmbë.

Koha e mes'hit mbi meste ose çorape zgjat një ditë dhe një natë (24 orë) për atë që nuk është udhëtar dhe tri ditë e tri netë (72 orë) për udhëtarin.

Çfarë e prish mes'hin: mbarimi i kohës; çdo gjë që e bën guslin detyrë (si xhunubllëku, hajdi etj.); heqja e mesteve ose çorapeve nga këmba.

Shënim: Në qoftë se njeriu heq mestet ose çorapet nga këmba, atij i është prishur mes'hi, por jo abdesi. Kështu, ai mund të falë namaz lirisht, përderisa nuk e ka prishur ende abdesin.

Tejemumi

Tejemum quhet pastrimi ritual me anë të dheut, në rastet kur nuk gjejmë ujë të pastër për të marrë abdes ose gusël. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Merrni tejemum me dhé të pastër." (En-Nisa, 43). Në qoftë se njeriu nuk gjen dhé të zakonshëm, mund të marrë tejemum me çdo send tjetër që e ka prejardhjen nga dheu, si p.sh. pluhuri. Tejemumi zëvendëson si abdesin ashtu dhe guslin në rastet kur nuk kemi ujë.

Mënyra e marrjes së tejemumit është:

  1. Bërja e nijetit (njeriu vendos me zemër dhe dallon veprimin e tij).
  2. Përmendja e Allahut duke thënë: Bismil-lah.
  3. Prekja një herë e dheut të pastër me dy pëllëmbët e duarve dhe fërkimi me to i fytyrës dhe i pjesës së sipërme të pëllëmbëve deri në kyçe.

Çfarë e prish tejemumin: gjetja e ujit dhe çdo gjë tjetër që e prish edhe abdesin.

Shënim: Tejemum merret edhe në rastet kur uji gjendet, por nuk mund të përdoret. Për shembull, ndodhet në një vend dhe nuk ka mjet për ta nxjerrë, ose njeriu rrezikon veten a shëndetin. Po ashtu, nëse uji është pak, aq sa mjafton vetëm për të pirë, atëherë merret tejemum.

Çfarë është e ndaluar për njeriun me hadeth të vogël (ai që nuk ka abdes):

  • Falja e namazit.
  • Tavafi rreth Qabesë.
  • Prekja e mus'hafit dhe mbajtja e tij.

Çfarë është e ndaluar për xhunubin:

  • Falja e namazit.
  • Këndimi i Kuranit.
  • Prekja e mus'hafit dhe bartja e tij.
  • Tavafi rreth Qabesë.
  • Qëndrimi në xhami.

Burimet

  • Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
  • Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë