Pastërtia dhe Namazi

Namazi për Kërkimin e Shiut

Namazi i istiskasë: si falet lutja për shi, hutbeja dhe duaja për zbritjen e shiut.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju." (Ibrahim, 32).

Uji është baza jetike e çdo gjallese, andaj duhet falënderuar Allahu i Lartësuar për këtë mirësi shumë të madhe. Shumë vende dhe popuj janë të privuar apo të sprovuar me mungesën e ujit në kohë të ndryshme. Në raste të tilla, kur toka thahet nga mungesa e shiut, besimtarët muslimanë, të përulur, i drejtohen Allahut të Plotfuqishëm me lutje të posaçme që të zbresë nga qielli shi i bollshëm e i dobishëm. Vetë Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) është lutur për shi për popullin e tij.

Lutja për zbritjen e shiut shoqërohet me një namaz që përbëhet nga dy rekate dhe falet në një vend të hapur, ashtu si namazi i Bajramit. Prijësi i muslimanëve në vendin ku është i nevojshëm shiu i tubon njerëzit dhe i urdhëron të pendohen për gjynahet e tyre, të japin sadaka dhe të largohen nga padrejtësitë, sepse padrejtësitë janë shkak për largimin e begative. Të veshur me rroba të përdorura, mblidhen të gjithë në një vend të hapur, falin me imam dy rekate namaz me zë, dhe pas tyre imami mban fjalimin e tij në hutbe. Imami, ose dikush tjetër i ngarkuar prej tij nga njerëzit e mirë e të devotshëm, lutet me zë të lartë, ndërkohë besimtarët përreth thonë: amin.

Në kohën e Profetit (alejhissalatu uesselam) dhe të sahabëve pas tij është provuar menjëherë rënia e shiut. Sa më shumë devocion, përulësi dhe sinqeritet të tregojnë muslimanët në ato momente, aq më i shpejtë do të jetë pranimi i lutjes.

Duaja e shiut

اللَّهُمَّ اسْقِ بِلَادَكَ، وَارْحَمْ عِبَادَكَ، وَانْشُرْ رَحْمَتَكَ، وَأَحْيِ بَلَدَكَ الْمَيِّتَ. اللَّهُمَّ اسْقِنَا غَيْثًا مُغِيثًا مَرِيئًا نَافِعًا غَيْرَ ضَارٍّ عَاجِلًا غَيْرَ آجِل

Allahummeski biladeke uerham ibadeke uenshur rahmeteke ue ahji beledekel-mejjite. Allahummeskina gajthen mugithen merij'en nafian gajre darrin axhilen gajre axhilin.

O Allah! Ujit vendin Tënd dhe mëshiro robërit e Tu; shpërndaje mëshirën Tënde dhe ngjalle tokën Tënde të vdekur. O Allah! Na jep shi ndihmues, të këndshëm e të dobishëm, jo të dëmshëm, të shpejtë e jo të vonuar.

Burimet

  • Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
  • Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë