Pastërtia dhe Namazi

Namazi me xhemat

Vlera e namazit me xhemat, rreshtat (safët), imami dhe përparësia në prijen e namazit.

Namazi me xhemat nënkupton mbledhjen e muslimanëve në xhami për të falur bashkërisht namazet farze. Ai konsiderohet nga shenjat dhe punët madhore të Islamit. Namazi me xhemat synon bashkimin e muslimanëve dhe forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe miqësisë mes tyre. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka urdhëruar që namazet farze të falen me xhemat dhe na ka treguar se vlera e tij është më e madhe se vlera e namazit që falet në formë individuale në shtëpi apo vende të tjera me 27 shkallë.

Namazi me xhemat dhe rëndësia kaq e madhe e tij lidhet kryesisht me meshkujt, sepse femrat kanë më shumë shpërblim kur falen në shtëpitë e tyre. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Namazi i femrës në shtëpinë e saj është më i mirë se namazi i saj në xhami." Transmetoi Ebu Davudi. Në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) thotë: "Mos i ndaloni gratë të shkojnë në xhami, mirëpo shtëpitë janë më të mira për to." Transmetoi Ebu Davudi.

Çdo njeri që vjen në xhami për të falur namazin me xhemat mundohet të zërë vend në rreshtin (safin) e parë, sepse shpërblimi është më i madh. Nëse nuk gjen vend në rreshtin e parë, mundohet të zërë vend në të dytin ose të tretin sipas mundësisë. Nuk është mirë të neglizhojë e të falet në rreshtin e fundit kur ka mundësi të jetë në rreshtat e para. Po ashtu, është e ndaluar që namazliu të falet ndaras nga rreshtat ku janë mbledhur besimtarët e tjerë, përveçse kur rreshti është plotësuar dhe nuk ka më hapësirë. Krijimi i rreshtave bëhet në formë të drejtë, ku përparësi i jepet krahut të djathtë. Imami, përpara se të fillojë namazin, e udhëzon xhematin në rregullimin e rreshtave. Profeti (alejhissalatu uesselam) na ka urdhëruar që të mos ia lëmë boshllëqet shejtanit, por të bashkojmë supet dhe këmbët. Kjo gjë e largon shejtanin dhe bashkon zemrat e besimtarëve.

Në namazet me xhemat duhet të prijnë vetëm meshkujt, ndërsa femrat nuk mund të bëhen imame për meshkujt. Në ambiente ku mblidhen vetëm femra dhe nuk ka meshkuj, mundet që imame të bëhet një femër për femrat e tjera; mirëpo, ndryshe nga mashkulli, ajo duhet të qëndrojë në një rresht me femrat e tjera, duke mos dalë përpara siç del imami mashkull në xhami.

Suneti profetik na ka mësuar se në faljen e namazit me xhemat përparësi i jepet imamit që e këndon më mirë librin e Allahut, Kuranin, pasi njeriu që nuk i di mirë rregullat e texhvidit mund të gabojë në shqiptim, duke ndryshuar kuptimin e ajeteve. Në qoftë se janë njësoj në këndim, përparësi i jepet atij që ka më shumë njohuri në sunetin e Profetit (alejhissalatu uesselam). Nëse edhe në dijen rreth sunetit janë njësoj, atëherë përparësi i jepet më të moshuarit.

Burimet

  • Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
  • Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë