Pastërtia dhe Namazi

Namazet nafile

Namazet vullnetare: namazi i duhasë, namazi i natës (tehexhudi) dhe kohët e tyre.

Namaz nafile quhet çdo namaz vullnetar që nuk bën pjesë në namazet sunete të forta që ka kryer i Dërguari i Allahut gjatë ditës. Namazet nafile janë dy llojesh: namaze të njohura, të cilat shpesh i ka falur Profeti (alejhissalatu uesselam) në kohë të caktuar, dhe namaze nafile të tjera, të cilat falen herë pas here në kohë të ndryshme për të madhëruar Allahun Fuqiplotë. Këto namaze, duke qenë se nuk kanë kohë të caktuar, mund të falen kurdo, përveç kohëve të ndaluara që i kemi përmendur më parë.

Namazet më të njohura nafile janë namazi i duhasë dhe namazi i natës. Koha e namazit të duhasë nis pas lindjes së Diellit e deri në kohën e namazit të drekës. Namazi i duhasë mund të falet dy, katër, gjashtë ose tetë rekate, dhe është e pëlqyeshme t'i jepet selam çdo dy rekate.

Për sa i përket namazit të natës, ai është namazi më i mirë vullnetar. Profeti (alejhissalatu uesselam) çohej çdo natë për të falur namaz nate. Ai tregohej tepër i përkushtuar në këtë namaz, saqë këmbët e tij ënjteshin nga qëndrimi i gjatë në këmbë. Një herë Aishja (bashkëshortja e tij) e pyeti se përse mundohej kaq shumë, kur Allahu ia kishte falur mëkatet e kaluara e të ardhshme. Profeti (alejhissalatu uesselam) iu përgjigj: "Pse të mos jem një rob falënderues?" Transmetuan Buhariu dhe Muslimi. Namazi i natës, në kohën kur njerëzit janë në gjumë, tregon përulësinë e besimtarit dhe përkushtimin e tij kushtuar Allahut të Plotfuqishëm.

Për mënyrën e faljes së këtij namazi kemi folur te namazi i vitrit, ku kemi shpjeguar se namazi më i mirë i natës është ai pasi çohesh nga gjumi në pjesën e fundit të natës. Ky quhet namazi i tehexhudit.

Burimet

  • Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
  • Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë