Pastërtia dhe Namazi

Namazi me rastin e eklipsit

Namazi i kusufit dhe khusufit: dy rekate me dy ruku secili, gjatë eklipsit të Diellit ose Hënës.

Me eklips kuptojmë zënien e plotë ose të pjesshme të Diellit ose të Hënës. Eklipsi i Diellit ndodh kur Hëna ndodhet në një vijë të drejtë mes Diellit dhe Tokës, ndërsa eklipsi i Hënës ndodh kur ajo hyn në hijen e Tokës. Për këto dy fenomene natyrore ka një namaz të posaçëm.

Namazi i eklipsit të Diellit ose të Hënës është sunet i fortë (sunet muekkedeh), për burrat dhe për gratë. Kur ndodhi eklipsi në kohën e Profetit (alejhissalatu uesselam), ai doli me nxitim në xhami, i frikësuar, u priu muslimanëve në namaz dhe më pas u tha: "Dielli dhe Hëna janë argumente dhe shenja nga Allahu. Ato nuk zihen sepse vdes një njeri apo lind një tjetër. Kur ta shikoni këtë dukuri, frikësojuni Allahut të Lartësuar!" Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.

Namazi i eklipsit përbëhet nga dy rekate, dhe në secilin rekat bëhen dy ruku. Forma e tij, sipas haditheve profetike, është:

  1. Pasi rreshtohen safet në drejtim të kibles, imami jep tekbir dhe fillon namazin.
  2. Qëndrohet gjatë në këmbë duke kënduar sure të gjata e me zë. Pastaj bien në ruku, ku qëndrojnë gjatë.
  3. Pastaj çohen sërish në këmbë dhe qëndrojnë ashtu gjatë duke kënduar Kuran, por më pak se në qëndrimin e parë. Pastaj bien sërish në ruku, ku qëndrojnë më pak se rukuja e parë.
  4. Pas ngritjes nga rukuja e dytë bëhen dy sexhdet.
  5. Pas ngritjes nga sexhdja e dytë fillon rekati i dytë, i cili falet si rekati i parë.

Namazi i eklipsit mund të falet edhe vetëm, por më e mira është të falet në xhami me xhemat. Është e pëlqyeshme që pas namazit imami t'u japë këshilla besimtarëve dhe t'u flasë rreth dukurisë së eklipsit, ashtu siç u foli vetë Profeti (alejhissalatu uesselam) shokëve të tij.

Burimet

  • Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
  • Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë