Pastërtia dhe Namazi

Namazi i Xhumasë

Dita e xhuma, obligimi i namazit, hutbeja, dy rekatet dhe sunetet e mustehabet e ditës.

Përpara se të flasim për namazin e xhumasë duhet të dimë se xhumaja është dita më e mirë e javës. Për këtë Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Dita më e mirë në të cilën lind Dielli është dita e xhuma. Në këtë ditë është krijuar Ademi (alejhis selam), në këtë ditë është futur në Xhenet, në këtë ditë ka dalë prej tij dhe në të njëjtën ditë do të bëhet Kijameti." Transmetoi Muslimi.

Ashtu si namazi me xhemat, namazi i Xhumasë synon në një mënyrë më madhështore bashkimin, vëllazërinë, dashurinë dhe forcimin e marrëdhënieve mes muslimanëve. Namazi i Xhumasë u jep mundësi muslimanëve të shikojnë e të zgjidhin hallet e tyre, të shohin cili është i sëmurë, cili është në hall etj. Për këtë arsye namazin e xhumasë mund ta quajmë kongresin javor të muslimanëve, ku, përveç gjërave që u përmendën, muslimanët marrin këshillat e rastit nëpërmjet të cilave u përkujtohen mësimet e fesë.

Namazi i Xhumasë falet ditën e xhumasë në kohën e namazit të drekës dhe është detyrë për çdo musliman të rritur, të aftë mendërisht, të lirë, mashkull, të shëndoshë fizikisht dhe që nuk është udhëtar. Kjo do të thotë se xhumaja nuk është detyrë për jomuslimanët, fëmijët, të paaftët mendërisht, skllevërit, femrat, të sëmurët dhe udhëtarët. Këta të fundit kanë detyrë të falin namazin e drekës, mirëpo nëse prezantojnë në namazin e xhumasë, atëherë mjaftohen me këtë namaz dhe nuk e falin më drekën. Kurse ata persona që e kanë detyrë xhumanë, por nuk arrijnë ta kapin dot, duhet të falin namazin e drekës.

Dy kushtet themelore të namazit të xhumasë, pas mbledhjes së njerëzve në xhami, janë hutbeja dhe vetë namazi. Hutbeja është fjalimi që mban imami në ditën e xhuma. Ajo përbëhet kryesisht nga falënderime dhe lavdërime kushtuar Allahut, si dhe këshilla për besimtarët. Imami që mban hutben quhet hatib, kurse vendi ku hipën për ta mbajtur quhet mimber. Gjatë hutbes, sipas sunetit, njerëzit duhet të heshtin e të dëgjojnë me vëmendje. Sipas sunetit mbahen dy hutbe, të cilat ndahen me një ulje të shkurtër të imamit. Namazi i xhumasë përbëhet nga dy rekate; mirëpo, ndryshe nga namazet e tjera gjatë ditës, në të Kurani këndohet me zë, njësoj si në namazin e sabahut.

Namazi i xhumasë nuk ka sunete para, por vetëm dy rekatet e hyrjes në xhami, të cilat mund të falen edhe nëse njeriu shkon në xhami me vonesë dhe imami është në mimber duke mbajtur hutben. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kur të vijë ndonjëri prej jush ditën e xhuma dhe imami është duke mbajtur hutben, le t'i falë dy rekate namaz të lehta." Transmetuan Buhariu dhe Muslimi. Kurse pas namazit të xhumasë është sunet të falen katër rekate, dy e nga dy, në xhami. Nëse preferon t'i falë sunetet në shtëpi, atëherë fal vetëm dy rekate.

Që të arrihet namazi i xhumasë dhe të konsiderohet i rregullt, duhet të kapet të paktën rekati i dytë. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: "Kush arrin një rekat nga namazi, e ka arritur namazin." Transmetoi Muslimi. Rekati arrihet kur ke kapur së paku rukunë e tij.

Sunetet dhe mustehabet e Xhumasë

  • Marrja e guslit dhe pastrimi i trupit.
  • Veshja me rroba të pastra dhe të mira.
  • Shkurtimi i thonjve dhe parfumosja e trupit.
  • Dërgimi i salavateve për Profetin (alejhissalatu uesselam), sidomos natën e xhumasë.
  • Shkuarja në xhami herët (mundësisht në këmbë nëse nuk është shumë larg) dhe me qetësi.
  • Falja e dy rekateve namaz përpara se të ulesh.
  • Falja e namazit nafile nëse dëshiron, derisa imami të hipë në mimber.
  • Zënia vend në rreshtat e para sipas mundësisë.
  • Dëgjimi i hutbes me vëmendje të plotë.
  • Mbajtja e hutbes shkurt dhe falja e namazit gjatë.
  • Ngritja e zërit të imamit (hatibit) gjatë mbajtjes së hutbes.
  • Lutjet e shumta, që të mund të kapet momenti i pranimit të lutjeve në ditën e xhumasë.
  • Këndimi i sures Kehf në ditën e xhuma.

Shënim: Profeti (alejhissalatu uesselam) na ka treguar se në ditën e xhuma ndodhet një moment në të cilin pranohet lutja, andaj këshillohet të bëhen lutje të ndryshme gjatë asaj dite. Shumë prej dijetarëve janë të mendimit se ai moment ndodhet mes namazit të ikindisë dhe akshamit në ditën e xhuma.

Burimet

  • Libri "Udhërrëfyesi ISLAM" — Autori: Mustafa Tërniqi
  • Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë